Përskaj sigurimit të tregut, mbetet edhe problemi kryesor i bujqësisë vendore – si të bindim të rinjtë se ia vlen të merresh me bujqësi dhe jo të ikësh jashtë shtetit
Nga Fisnik PASHOLLI
Krizat e mëdha ekonomike të shkaktuara më shumë se dhjetë vite më parë nga flluska e kredive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që më vonë u zgjeruan në tërë botën, por edhe kriza e fundit ekonomike e shkaktuar nga pandemia, sërish kanë vendosur në rend të ditës temën e shtrenjtimit të produkteve themelore ushqimore dhe mundësinë apo jo të çdo shteti të ushqejë apo veten.
Shtrenjtimet e produkteve ushqimore, pushteti mund që përkohësisht ti zbusë me intervenimin eventuale nga rezervat shtetërore, me përkufizimin apo ngritjen eventuale të çmimeve për një periudhë të caktuar në rast se për këtë ekzistojnë argumente dhe fakte. Mirëpo, kjo nuk e zgjidh problemin se sa kënaqim nevojat tona për ushqim nga prodhimi vendor.
Nuk e zgjidh as çështjen e nevojës për grurë që i plotësojmë me 70 apo 80 për qind, as çështjen se në një ekonomi të globalizuar – kur duhet edhe të respektojmë konventat e ndryshme ndërkombëtare për një tregti të lirë.
Si shtet, ngadalë po ecim drejt një eksporti më të madh të prodhimeve ushqimore dhe prodhimeve bujqësore të freskëta apo të përpunuara në fabrika.
Nuk ekziston shtet në botë që në tërësi i kënaq nevojat vetanake për ushqim vetëm nga prodhimtaria vendore, mirëpo orientimi i tyre është që maksimalisht të shfrytëzojnë ato resurse dhe potenciale që kanë për të qenë të suksesshëm në eksportin e 10 apo 15 kulturave bujqësore.
Në rastin e bujqësisë vendore, mund të prodhojmë jo vetëm për nevojat vendore, por edhe për eksport, sidomos të lule diellit dhe vajit nga kjo bimë, panxhar sheqeri dhe sheqer, qumësht dhe prodhime të qumështit, mish gjedhi dhe përpunime të mishit, drithëra për të siguruar bukën vetëm nga prodhimtaria vendore, shumicën e pemë perimeve për konsum të freskët, së paku në pjesën më të madhe të sezonit. Mund të prodhojmë dhe shesim jashtë edhe më shumë duhan, rrush dhe verë, përpunime të pemë-perimeve, mish dhe djathë qengji ujë dhe ujë të gazuar…
Mirëpo, në një konkurrencë të madhe në botë, nuk mjafton vetëm të prodhosh me sasi, cilësi dhe me respektimin e standardeve që kërkohen në prodhim dhe paketim, por kryefjala është gjetja e tregut dhe zgjerimi në tregje të reja, jo vetëm në Evropë, por edhe në Rusi, shtetet e Lindjes së largët dhe të mesme…
Zgjidhja ndoshta të ishte te hapja e dy apo tre kooperativave të mëdha në çdonjërin prej tetë rajoneve në shtet që do të organizonin prodhimin të orientuar me kërkesat e tregut.
Një ndihmesë do të ishte edhe ndërtimi më i madh i sistemeve për vaditje, frigoriferëve, qendrave për grumbullim, ato për tharjen e prodhimeve bujqësore…
Mirëpo, përskaj sigurimit të tregut, mbetet edhe problemi kryesor i bujqësisë vendore, si të bindim të rinjtë se ia vlen të merresh me bujqësi, dhe jo të ikësh jashtë shtetit. Si të bindësh rininë se ia vlen të punosh tokën edhe kur një litër qumësht grumbullohet gati njësoj apo edhe më pak se një litër ujë me gazë, mirëpo fitimi më i madh do të vijë me përpunimin e qumështit në djathë, nga turizmi rural, apo nga shitja e garantuar e mishit të gjedhëve. (koha.mk)