A mund të shlyhet e kaluara!

Lehtë t’i thuash presidentit të Maqedonisë se manipulon me të vërtetën për depërtimin e hebrenjve, por nuk është lehtë ta shlyesh faktin se kjo ka ndodhur pikërisht në kohën e pushtetit bullgar këtu…Këtë e pohojnë vetë viktimat

 

Nga Daut DAUTI

“Skandal dhe arrogancë antibullgare”! Kështu e kishte përjetuar eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski deklaratën e kryetarit të Maqedonisë, i cili ka thënë:“Drejtësi do të thotë të njihet dhe të emërohet e vërteta dhe të respektohet nga të gjithë. Për të pasur pajtim, duhet të ketë kërkim falje për rolin e qeverisë profashiste të Sofjes në kohën e depërtimit të hebrenjve nga Maqedonia”. Xhambaski tha se gënjeshtrat e Pendarovskit janë fyerje serioze për popullin bullgar dhe kanë për qëllim ta poshtërojnë dhe mohojnë rolin historik të Mbretit, Kishës, politikanëve dhe popullit bullgar, të cilët “të vetmit ishin që i shpëtuan bashkëqytetarët tanë hebrenj nga deportimi dhe vdekja”. Xhambaski e potencon: “të vetmit në Evropë”. Sipas tij, është dëshmi e pamohueshme se pushteti i Sofjes(i asaj kohe), nuk kanë lidhje me deportimin e hebrenjve dhe se Pendarovski paska shpifur që pushteti i asaj kohe ka qenë profashiste! Sepse nuk paska pasur pushtet profashist dhe nacional-socialist.

Advertisements

Hajt Angel, hajt! Edhe pak dhe shpalle Carin pjesë të aleancës antifashiste! I gjori, merret me forma, pa thelb!

Ky është një manir i një politikani i cili mendon se Maqedonisë ia ka zënë rrasa bishtin dhe mund t’i thuash çka të duash, sepse Maqedonia është ajo që duhet të durojë gjithçka, madje edhe broçkulla dhe leksione nga historia. Kurse historia nuk është diçka që shkruhet e zbukurohet pas 70-80 vitesh si të të kujtohet. Nuk u desh që t’i përgjigjet as Pendarovski, e as dikush tjetër, por faktet historike, të cilat Xhambaski duhet më mirë t’i lexojë, sepse nuk është ai në pozitë për t’ia servirë botës, por e kundërta, bota i di kaherë.

E që nga më parë dihet: Bullgaria ka qenë pjesë e boshtit Berlin-Romë-Sofje! Në këtë bosht flamurin e ka mbajtur Hitleri dhe në saje të bashkëngjitjes në këtë bosht, Bullgaria fitoi të drejtën e administrimit(pushtimit) edhe të Maqedonisë. Për fat të keq të Xhambaskit, nga territori që administronte Bullgaria, është e njohur Nata e Kristaltë si ngjarje historike që lidhet me depërtimin e mijëra hebrenjve. Mijëra hebrenj, mbi 7.000 janë deportuar nga Maqedonia për në Treblinka. Këtë nuk e thotë Pendarovski, e thonë faktet historike. Po ta lexonte një libër të Vllado Popovskit me dokumente nga arkivat bullgare, Xhambaski që ato dokumente mund t’i ketë më afër, mund të kuptojë edhe rolin që kanë pasur autoritetet bullgare të asaj kohe, por po të mos i mbyllë sytë, do të shohë se intelektualë të kohës, si shkrimtari Elin Pelin, do ta kenë ngritur zërin kundër një ligji me të cilin iu kufizuan shumë të drejta hebrenjve. Askush nuk thotë se Bullgaria ose nga Bullgaria deportimi ka qenë masiv,me miliona, siç ka qenë nga vende tjera të pushtuara nga nazistët, por s’mund të mohohet se ka pasur deportim edhe nga Bullgaria, në “sasi” më të vogël, me mijëra. Nëse kjo është ngushëlluese.

Prandaj, mund të thuhet eurodeputeti bullgar shpreh mosnjohje totale të historisë, kur e shpall Bullgarinë si të vetmin vend(të vetmin, pra, si askund tjetër!) që i ka mbrojtur hebrenjtë. Se mund të ketë pasur ndonjë fazë kur dhe janë mbrojtur, s’mund ta mohojmë. Por të jetë i vetmi vend, kjo nuk është e vërtetë, sepse pikërisht prej Grupçinit e tutje, ku ka qenë zonë e pushtuar nga italianët, e më vonë kanë vazhduar edhe nga vetë shqiptarët, ka pasur një pushtet (shqiptar)i cili aspak nuk ka bashkëpunuar me gjermanët dhe se ata hebrenj që kanë ikur prej Maqedonisë së atëhershme të pushtuar/administruar nga bullgarët, kanë gjetur strehim pikërisht te pushteti shqiptar, anise kuisling. Ndryshe nga shumë vende tjera që i kanë lidhur ngushtë marrëdhëniet me Hitlerin, Mbreti Zog nuk kishte nënshkruar diçka të tillë.

Por, kjo është vetëm një gjë e përciptë që flet se si dikush mëton ta fshijë të kaluarën me superioritetin e subjektivizmit të vet. Është edhe maniri që për gjithçka fajin t’ua lënë komunistëve, të cilët më pas janë distancuar nga bashkëpunimi me Hitlerin. Për fat të keq, cari bullgar e futi Bullgarinë në boshtin hitlerian, i cili, siç dihet bëri shumë të zeza, ndër to, gjenocidin ndaj hebrenjve i njohur si holokaust. Pendarovski mund t’u përgjigjej këtyre akuzave, por do të merrej me tendencën e një politikani, dhe e la me aq, ndërkaq Xhambaskit iu përgjigj një historian hebre, pastaj Penarovskin e përkrahu edhe një intelektual bullgar që u pajtua me të se së pari duhet kërkuar falje, e pastaj të vazhdohet tutje.

“Më falni që po e përdor këtë shprehje, po kjo është një “bajgë”, një gënjeshtër totale, ata janë plotësisht përgjegjës për depërtimin e hebrenjve nga Maqedonia, ata e bënë dhe për këtë duhet të ndihen fajtorë për dërgimin në vdekje të këtyre njerëzve të pafajshëm, gra, fëmijë, pleq, të cilët kishin vetëm një faj, që ishin hebre” deklaroi historiani izraelit dhe drejtor i Qendrës “Simon Vizental”, EfraimZurof. “Është me rëndësi të madhe të identifikohen njerëzit që janë përgjegjës për depërtimin e hebrenjve. “…nga territoret që i fituan nga nacistët, pasi iu bashkëngjitën forcave të Boshtit, nga territoret e Jugosllavisë, Greqisë, Serbisë, gjithsesi edhe nga Maqedonia, ata i mblodhën të gjithë hebrenjtë dhe i dërguan në Treblinkë dhe asnjë prej tyre nuk është kthyer. Mendoj se bëhet fjalë për 11.343 nga Piroti, Trakija dhe Maqedonia”.

Këtë nuk e thotë “tendenciozi” Pendarovski, e thotë historiani dhe pjesëtari i popullit që është deportuar. “Padyshim se për depërtimin e hebrenjve të Maqedonisë është përgjegjëse Bullgaria, por është e neveritshme që tash po bëhet presion kundër zbulimit të së vërtetës”.

Ky pohim nuk është as i historianit të sipërcituar izraelit, madje as i Pendarovskit, por i një historian bullgar, MihailIvanov, dhe këshilltar i ish-presidentit bullgar, Zhelu Zhelev, i cili pikërisht i është bashkangjitur presidentit të Maqedonisë për kërkim falje. Kaq benjine, dhe kaq e vështirë për t’u kuptuar?! Pendarovski i duket Xhambaskit manipulues, por e vërteta nuk ka të bëjë me çka pohon Pendarovski, por çka thotë viktima. Dhe historiani bullgar, Ivanov, i cili me gjasë nuk është aq i verbuar nga roli “humanist” i carit bashkëpunues me fashistët, duke u pajtuar me drejtorin e Muzeut të Holokaustit në Shkup, Goran Sadikario, ka shkruar: “E dëgjoj Goran Sadikarion dhe më dhemb. Sepse ai absolutisht ka të drejtë. Sepse nuk dëgjoj nga partitë politike demokratike për situatën e turpshme në të cilën gjenerali Radev dhe eskorta e tij e futën Bullgarinë”.

Duke analizuar këtë lloj qëndrimesh, edhe një herë vijmë te konkluza se rishikimet e historisë nuk mund të shkojnë nga një skaj në tjetrin. Ndërkaq në Bullgari është krijuar një bindje se të gjitha të këqijat kanë ardhur nga dobësia e regjimit komunist, që nga akuza pushtetit mbretëror, e gjer te krijimi i pakicës maqedonase dhe në këtë manir, duan ta rikthejnë të vërtetën se ata para komunistëve kanë qenë më të mirë. Më të mirë në gjithçka, duke dashur t’i mbulojnë edhe ato njolla prej të cilave vërtet as mund të shlyhen, e as të anashkalohen si fakte. Në dritën e debateve të këtilla, është dhe droja e bazuar se pikërisht duke u nisur nga pozita në strukturat e BE-së, qarqe të caktuara të politikës bullgare, mund ta bëjnë si kusht për t’i larguar këto fakte nga librat e historisë. Nuk ka pasur pushtim, nuk ka pasur deportim, nuk ka pasur as LNÇ…Ka pasur çlirim mbase? Ose shkruaj kështu, ose s’ka BE!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)