A mund të parashikojnë ëndrrat të ardhmen?

42

Ëndrrat që shohim në gjumë janë rezultat i një procesi që kombinon shpesh fragmente të përvojave të shumta të jetës, dhe që parashikon ngjarje të ardhshme. Në këtë përfundim ka arritur një studim më i fundit mbi to. Rezultatet e studimit në fjalë, tregojnë se 53.5 për qind e ëndrrave kishin të bënin me kujtimet e personit që i sheh ato, dhe gati 50 për qind e raporteve me një burim kujtesën, ishin të lidhura me përvoja të shumta të së kaluarës. Po ashtu, studimi zbuloi se 25.7 për qind e ëndrrave, kishin të bënin me ngjarje specifike të afërta, dhe 37.4 për qind të ëndrrave me një burim të ardhshëm ngjarjesh, gjithashtu kishin të bënin me një ose më shumë kujtime specifike të përvojave të kaluara.

Në studim u vu re se ëndrrat e orientuara drejt së ardhmes, u bënë proporcionalisht më të zakonshme më vonë gjatë natës. Studimi përfshiu 48 studentë që e kaluan natën në laborator për vlerësimin e gjumit brenda natës, duke përdorur polisomnografinë. Gjatë natës, pjesëmarrësit u zgjuan deri në 13 herë për të raportuar mbi përvojat e tyre gjatë fillimit të gjumit, gjumit REM dhe gjumit jo-REM. Mëngjesin e ditës tjetër, pjesëmarrësit identifikuan dhe përshkruan burimet e jetës reale për secilën ëndërr të raportuar mbrëmjen e mëparshme. Në total u analizuan 481 raport mbi ëndrrat.