Vetëdeklarimi është një vlerë u universale nga fusha e të drejtave dhe lirive të njeriut, që nuk mund ta kontestojë askush, kurse populli shumicë në Maqedoni kaherë është deklaruar si maqedonas
Nga Daut DAUTI
Para disa vitesh, aktori dhe shoumeni i njohur maqedonas, Igor Xhambazov, kishte qenë mysafir në një shou televiziv bullgar. Udhëheqësi i emisionit e kishte provokuar rreth identitetit të tij kombëtar dhe Igori i kishte folur me shumë krenari dhe bindshëm se është maqedonas. Atë incizim, pastaj, e emetoi në televizionet e Maqedonisë me ndjenjë triumfalizmi, duke dashur të dëshmojë se si ia ka hedhur poshtë argumentet ose pretendimet e bashkëbiseduesit të tij, i cili kishte dashur të dëshmojë të kundërtën.
Ky episod është mjaft ilustrativ për atë përballje të përhershme midis dy popujsh fqinjë, për më shumë se një shekull që po debatojnë se çka janë maqedonasit, a janë popull i veçantë, apo janë me rrënjë bullgare. Debatet politike, shkencore, intelektuale, kulturore…pa fund, ndërkohë që realiteti është i njohur: dy shtete të veçanta dhe dy popuj tashmë të diferencuar. Problemi qëndron te këndvështrimi: do ta shikojmë përmes së kaluarës, teorive gjenetike, realitetit politik, vetëdijes? Do ta shikojmë nga këndvështrimi i shekulli 21 apo i 19-të dhe gjysmës së parë të shekullit 20-të? A vetëpërjashtojnë njëra tjetrin këndvështrimet? Bie fjala, a e përjashton realiteti i sotëm të kaluarën, apo a mundet e kaluara ta përjashtojë të tashmen? A mundet gjenetika ta përjashtojë vetëdijen?
RELATIVITETI I FAKTEVE
Mund të themi se përgjigjet tashmë janë dhënë, por dhe se dilemat mbeten të hapura për debate të përhershme… Në rastin e debatit rreth rrënjëve etnike të Goce Dellçevit që është aktual këto ditë, për çka shkrova në kolumnën e kaluar dhe me ndjenjën krenare të Igor Xhambazovit, më së miri duket relativizmi i fakteve. Goce Dellçevi nga “heroi më i madh i popullit maqedonas”, mund të shndërrohet në një figurë në suaza të objektivitetit historik: “luftëtar për Maqedoninë e pavarur”, që jo domosdo është e barabartë me të parën. Porse diferencimi bëhet pastaj te interpretimet. Sipas këndvështrimit maqedonas, meqë ka luftuar për Maqedoni, ai është maqedonas, kurse sipas historiografisë bullgare, “Maqedonia e pavarur” ka qenë vetëm një fazë autonomie për t’iu bashkëngjitur “shtetit amë”, Bullgarisë. E keqja për palën maqedonase nuk qëndron te hapja e debatit për rrënjët e Goces, sa te fakti që ai është vënë si figurë qendrore e maqedonizmës, dhe tash “largimi” i tij prej themeleve të saj, do të nënkuptonte se të gjitha kontestimet bullgare kanë qenë të bazuara. “Leximi” i fakteve nuk le shumë vend për komoditet. Edhe një bullgar kontrovers nga Maqedoni, i cili nuk është historian, në shumë debate televizive ua ka përplasur në sy shumë historianëve: Më thoni në cilin dokument Goce Dellçevi është deklaruar si maqedonas?
Por, nëse ai nuk është deklaruar si maqedonas, ose kur të jetë deklaruar, do të ketë menduar përkatësinë gjeografike, a duhet të jetë argument për ta kontestuar gjuhën dhe popullin maqedonas? Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për miqësi dhe bashkëpunim niset nga realiteti i ekzistimit të Maqedonisë, por në mënyrë indirekte e përjashton gjuhën si gjuhë amtare të një populli të veçantë, por natyrisht, nuk mund ta anashkalojë realitetin se populli dhe gjuha tashmë ekzistojnë, pavarësisht interesit për të mos i njohur. Sepse, vetëdeklarimi është një vlerë u universale nga fusha e të drejtave dhe lirive të njeriut, që nuk mund ta kontestojë askush, kurse populli shumicë në Maqedoni, kaherë është deklaruar si maqedonas dhe këtu pushon çdo debat.
Ndaj dhe teza e njohur bullgare se populli maqedonas është “krijesë e Kominternës” është një çështje kaherë e absolvuar. Maqedoninë si realitet dhe maqedonasit poashtu, i ka pas njohur pushteti komunist bullgar, madje edhe ekzistimin e pakicës maqedonase në Bullgari, për çka pat lejuar shkolla për ta. Prishja e marrëdhënieve Jugosllavi-Bullgari në kuadër të bllokut komunist, do të shënojë kthim prapa më vonë. Rrethana e krijimit të një kombi mund të jenë të ndryshme nga ato të një kombi tjetër, por veçoritë gjuhësore, gjeografike, kulturore, vetëdijësore janë ato që mund ta determinojnë atë. Fazat e ndryshme të lëvizje popullore për pavarësi të Maqedonisë janë përplot kundërthënie të brendshme e pretendime të jashtme, si ndaj territorit, si ndaj popullit sllavofolës të kësaj hapësire. Mund të jetë i kontestueshëm identiteti kombëtar i Goce Dellçevit, Nikolla Karevit, Jane Sandanskit, Dame Gruevit, Todor Aleksandrovit…, por faktin që kanë luftuar për Maqedoninë në rrethana të caktuara, askush nuk mund ta anashkalojë. Kjo Maqedoni mund të mos jetë ideali i tyre për të cilën kanë luftuar, siç pohon historiografia bullgare, e cila nuk mund të pajtohet me faktin që Bullgarisë ia hoqën prej dore Maqedoninë, e cila i ishte premtuar me Marrëveshjen e Shën Stefanit, por kjo Maqedoni është fryt i tyre.
GJENETIKA AFRON POPUJ, POR RRETHANAT DIFERENCOJNË
Si janë deklaruar? Si janë ndjerë?…Ose, a ka pasur vetëdije të pjekur kombëtare në ato rrethana? A ka pasur te shumë popuj vetëdije përkatësie, si janë quajtur në të kaluarën? Etnonimin maqedonas e kemi të pranishëm nga antika e përtej periudhës së Skënderbeut(e përmend Marin Barleti) gjer më sot. Nga këndvështrimi teorik, kombet janë formuar me shfaqjen e borgjezisë, sidomos në shekullin 19-të, por kombe janë krijuar edhe më pas. Në shekullin 19-të nuk ka mundur të krijohet kombi maqedonas, sepse kombet sa me idealet dhe vetëdijen, lidhen edhe me shtetin. Rrethanat shoqërore e politike, në raste të caktuara edhe gjeostrategjike, kanë bërë që disa kombe të lindin më herët e disa më vonë. Kombi maqedonas, pa dilemë është ndër më të vonshmit, por a do të thotë se është i vonë, mund të kontestohet?
Në ato lëvizje të përmendura(në qendër të së cilës ka qenë VMRO-ja (TMORO-ja) historike, maqedonizma më së shumti mund të jetë përmendur në kontekst territorial dhe si bashkësi popujsh. Ka pasur lëkundje vetëdijësore te këta veprimtarë dhe historia njeh shumë të tilla. Në ndonjë periudhë historike, në mënyrë sporadike mund të jetë ngjizur bindja “ ne nuk jemi as bullgarë, as serbë, as grekë”, por pastaj gjërat kanë marrë kah të pakthyeshëm…Është interesant rasti i Todor Aleksandrovit, të cilin historiografia deri tash e ka konsideruar si probullgar, por në kohën e Gruevskit, e rehabilituan. Te figura e tij ka shumë kundërthënie, herë lufton për Maqedoninë, herë për Maqedoni bashkë me Bullgarinë, kurse në rrugën e tij revolucionare, siç ka thënë Lubço Georgievski, ka vrarë “gjysmën e qeverisë bullgare”, me dilemën si mund të jetë bullgar një i tillë(Edhe pa këtë debat rreth rrënjëve të Goce Dellçevit, që para disa vitesh vërejt një tendencë politike në kohën e regjimit të Gruevskit (është dhe një këngë për këtë), që T.Aleksandrovi ta zë vendin që i qe ndarë Goce Dellçevit! Rasti më ilustrativ mund të jetë ideologu ose ati shpirtëror i identitetit maqedonas, Kërste Petkov Misirkov, pa të cilin vërtet do të ishte problematik krijimi i kombit maqedonas. Në shkrimet e tij te vepra “Për çështjet maqedonase” (“Za makedonckite raboti”) ai ka vënë themelet e kombit por dhe të gjuhës së veçantë maqedonase, por në një ditar të tij të gjetur në Rusi para disa vitesh, u zbulua qartë pikërisht ajo lëkundje e vetëdijes që ka pasur gjatë jetës së tij, duke u deklaruar herë si bullgar, e herë si maqedonas.
Kuptohet, gjenetika është argumenti kryesor i kontestuesve, të cilët do të thonë se nuk ka ekzistuar popull maqedonas para një shekulli dhe se kjo gjuhë maqedonase, s’është gjë tjetër pos “dialekt i bullgarishtes”. Por, analogjia me popuj tjerë, dëshmon se gjenetika nuk i ka penguar procesit të krijimit të kombeve të veçanta nga të njëjtat rrënjë! Si për çdo qenie, edhe në proceset historike ose shoqërore, mund të merret kategoria e lindjes. Siç njerëzit nuk lindin njëkohësisht, ashtu edhe popujt(kombet) kanë lindur në rrethana të caktuara(shumë popuj dhe po në rrethana specifike, janë zhdukur). Nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg, mjafton të shikojmë fqinjësinë ballkanike të popujve sllavë. A nuk janë të gjithë popujt sllavë pasardhës të sllavëve të lashtë (antëve)? Edhe serbët edhe kroatët që dallohen për shkak të dy feve të krishtera, nuk mund ta relativizojnë faktin se janë të një origjine. Gjuhët e tyre janë më të afërta se sa maqedonishtja me bullgarishten. A nuk janë të një origjine të lashtë me ta edhe boshnjakët e malazezët, dy kombe që pothuajse paralelisht me maqedonasit janë diferencuar si kombe? A mund të thotë dikush se ata i përkasin kombit serb? Edhe në fqinjësi të sllavëve të jugut kemi rastin e rumunëve dhe moldovëve dhe kemi dy shtete të ndryshme, por a mund të thotë dikush se meqë gjenetikisht kanë “një origjinë” ata janë një popull nëse ndërkohë kanë hyrë dekada e shekuj ndërmjet dhe janë diferencuar?
Së fundmi, nëse të gjitha këto diferencime kanë ndodhur te popujt tjerë me origjinë të përbashkët, pse të jetë kontestues diferencimi i maqedonasve si komb në vete nga rrënjët e përbashkët me bullgarët dhe sllavët e jugut, me të cilët ndan shumë tipare të përafërta?
(Përfundon në kolumnën e ardhshme: Si autorët maqedonas u morën me të tjerët, në vend se me zbrazëtitë e historisë së tyre…)