A mund të digjemi politikisht?

282

Ne digjemi politikisht, jo atëherë kur kemi humbur zgjedhjet, e as kur kemi dështuar të menaxhojmë ndonjë institucion publik, por ne digjemi politikisht veç kur të kemi hequr dorë nga politika si çështje publike, politika si luftë sublime dhe përpjekja e pafund, si e një eremiti të vërtetë që lufton kundrejt entropisë dhe degradimit të përgjithshëm shoqëror

Nga Latif MUSTAFA

Është pyetja që e dëgjojmë më së shumti. Në fakt është pyetja e cila restrospektivisht shtrohet pas një konkludimi apo këshille, “mos, se do të digjesh”. Kjo pyetje, zakonisht, shoqërohet pas praktikave kur të rinjtë vendosin të kyçen në ndonjë subjekt politik dhe në bisedat tona publike shprehim keqardhje dhe dhembshuri se si një vajzë apo djalë i tillë mund t’i nënshtrohet liderit të politik apo të jetë pjesë e “x” partisë politike. Mbase është e vërtetë që, në shumë raste, politika të djeg. Atë pak kapital e bagazh intelektual dhe kulturorë që ke akumuluar ndodh që “politika ta djeg” brenda një momenti. Bazuar në logjikën e thjeshtë se, i gjithë ky bagazh, që është bërë me mund e me djersë, i jepet krejt “falas” një lideri ordiner dhe një çfarëdo partie. Në një kuptim tjetër “mos u djeg në politikë” ose ” e dogji kartën në politikë” u thuhet individëve të cilët janë treguar naiv dhe janë rreshtuar në “anën e gabuar”.

Politika ka shumë definicione për politikën. Politika, para së gjithash, është çështje publike. Ajo definohet edhe si art i qeverisjes; kompromis dhe konsensus; politika është pushtet dhe shpërndarje e të mirave materiale. Në të gjitha këto ngërthehet një definicion edhe më reduksionalist por që konsiderohet edhe thelbi i saj. Politika është luftë. Luftë për pushtet dhe dominim. Lufta është përpjekje betejash për t’ia imponuar vullnetin armikut apo oponentit politik. Politika është luftë, ngaqë në të luftohet për ta imponuar vullnetin parcial si vullnet universal. Politika është lufta e cila i garanton fituesit vullnetin publik dhe përdorimin e tij si vullnet privat. Këtë e dimë nga praktika.

Problemi ynë është moralizimi i politikës. Po i bëmë një tip psikanalize “djegies në politikë” ajo na shpien drejt konstruktit social të virgjërisë, gjë që padrejtësisht, politikën e maskulinizon dhe pjesëmarrja është një lloj zhvirgjërimi, si e tillë edhe humbje vlere. Njeriu i angazhuar politikisht konsiderohet, shpirt i shitur ngaqë politika është një ngrehinë e madhe pisllëqesh dhe kush do që të hyjë aty, do bëhet pisë vetë. Imponimi i këtij lloj moraliteti mbi politikën, të paktën në diskursin publik, me zhvirgjërimin, djegien dhe pisllëkun është tendencë hipokrite që dikush në këtë lojë të zhvendoset në sfond si i “mirë” dhe engjullor. Kjo është një lloj hipokrizie apologjetike. Politika si çështje publike, nëse është mëkat ndjellëse, atëherë të gjithë jemi mëkatar! Politika ka moral, por jo moral religjioz!

Megjithatë, kush mund të “digjet” politikisht?

Politika e djeg atë i cili “ruhet” dhe nuk përzihet askund me askënd. Ai, parapëlqen ta ndërtojë një kala të fildishtë, të mbyllet në atë kala dhe të krijojë imazhin e njeriut të përkryer dhe të dashur për të gjithë. Karriera profesionale, sipas tij, është më e rëndësishmja dhe paqja me gjithë secilin është mënyra më e mirë e krijimit të ekuidistancës, duke ushqyer iluzionin se do vijnë ditë më të mira. Në realitet, këta individ lëre që digjen vetë, por në mënyrë indirekte ndihmojnë që të digjen edhe të tjerët. Indiferenca e tyre përpos fatalitetit, jep mesazhin se intelektualizmi është qyqari dhe kalkulim.

Njeriu edhe po të dojë, nuk mund t’i shmang çështjet publike. Ai është pjesë e pandashme e saj. Qoftë me aktivitetin apo pasivitetin e tij ai do ketë një ndikim politik. Por ama, individi i cili është i vetëdijshëm se, res-privata e tij është krejt e parëndësishme kur res-publika është e shkatërrim e sipër, asnjëherë s’mund të digjet politikisht. Nuk mund të digjet politikisht individi, i cili i beson një lëvizja shoqërore në histori është ka amplitudat e veta. Në periudha të rëndësishme historike, si sot kur migrimi po lëkund të gjithë ekuilibrat demografik, shoqëror e politik dhe lehtësisht mund të përfshihemi në një kataklizëm shoqëror i cili vërtetë do të kërkojë nivelet më të larta intelektuale të intervenimit dhe kyçjes politike. Brenda një vetëdije të tillë, assesi se nuk digjemi politikisht.

Në nivel më lokal, kyçje aktive në politikë do të thotë të jesh anëtarë i shoqërisë civile ose anëtarë i ndonjë partie politike. Kjo e dyta është me efikase. Paçka se ç’moralizimi dhe degradimi i partisë politike është një praktikë shoqërore, e që në thelbin e saj, partia apo subjekti politik është i ndarë nga morali. Subjekti politik është ngrehinë politike e ndërtuar, fillimisht, nga një ide dhe vizion politik. Subjekti politik përpiqet që këtë ide ta bëjë gjithëpërfshirëse dhe alternativë të vetme rreth organizimit shoqëror, organizimi ky që do të realizohet përmes përfaqësimit demokratik në parlament dhe pushtetit të ushtruar në të gjitha nivelet. Partia politike në kontekstin e moralit politik është heterogjene por që ndjek një trajektore homogjene. Çdo pjesëtar i ri i cili pret të angazhohet brenda një subjekti politik asnjëherë nuk mbart dhe trashëgon mëkatet politike, papërgjegjshmërinë dhe keqpërdorimet e grupeve të ndryshme të interesit që ndodhen brenda partisë. Ai ose ajo, politikën do ta shoh një maratonë të gjatë, betejë pas beteje, në të cilën do të përpiqet që fillimisht të ndjellë mendimin si çështje lirie. Në kuptimin Kantian, gjykimi i tij nuk përforcohet duke u mbajtur në ndonjë karrocë fëmije. Ai nuk është naiv. Politikën do e shoh edhe si interes. Në vend të dogmatizmit ai frymon kriticizmin. Në vend të despozitmit i cili është censurues mendimi dhe i interesit publik, ai frymon republikanizmin ku para së gjithash vlerëson vullnetin publik para atij privat. Lufton të gjitha forcat apatike të censurimit, tkurrjes dhe forcat rezistente të çështjeve dhe hapësirës publike dhe vë në praktikë debatin e arsyeshëm mbi interesin publik si interes privat universal. Ai nuk mund të jetë veç një “idealist blegëritës” që flet përçartur por një njeri i pjekur i cili betejën dhe luftën politike nuk e sheh si të keqe por sublime. Ai është aktor në luftë dhe jo një spektator pasiv i saj.

Ne digjemi politikisht, jo atëherë kur kemi humbur zgjedhjet, e as kur kemi dështuar të menaxhojmë ndonjë institucion publik, por ne digjemi politikisht veç kur të kemi hequr dorë nga politika si çështje publike, politika si luftë sublime dhe përpjekja e pafund, si e një eremiti të vërtetë që lufton kundrejt entropisë dhe degradimit të përgjithshëm shoqëror.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)