“A mund të bësh një twerk?”, akuza për seksizëm në ceremoninë e “Topit të Artë” (VIDEO)

DJ i njohur francez, Martin Solveig ka kërkuar ndjesë, ndërkohë që ka mbetur i befasuar nga furia e reagimeve në botën “online”, pasi i kërkoi si “pa të keq” fitueses së parë të “Topit të Artë” për femra, Ada Hegerberg, nëse mundej të bënte një “twerk” (tundje të pasmesh) drejtpërdrejt në podiumin e skenës.

Bashkë-prezantuesi i ceremonisë së çmimeve prestigjioze në Paris provokoi një “lumë” ankesash për seksizëm pas pyetjes së tij mbi kërcimin sugjestionues erotik, që në fakt mori një “Jo” të prerë nga sulmuesja e palëkundur norvegjeze.

Incidenti rezultoi të ishte pika kyçe e diskutimeve të ceremonisë, edhe pse në fakt duhej të ishte arritja e Hegerberg, e cila bëhet e para femër fituese e “Topit të Artë”, një trofe që iu është dorëzuar futbollistëve meshkuj që prej vitit 1956.

Solveig, një muzikant dhe prezantues radiofonik, i kërkoi falje edhe personalisht Hegerbergut, e tha se kishte mbetur i habitur nga reagimi.

“Jam paksa i habitur, madje i çuditur nga çfarë po lexoj në internet, – tha ai në një video të publikuar në Twitter. – Sigurisht që nuk pata qëllim të ofendoja dikë… Ajo ishte një shaka, me gjasë jo e pëlqyeshme, ndaj dua të kërkoj ndjesë për këdo që mund të kem ofenduar”.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com