Mund të jetë e kuptueshme për Turqinë kur bën ndonjë lëvizje që duket e çuditshme, sepse Perëndimi(BE-ja) me dekada e mban Turqinë para portës së vet dhe nuk ia hapë… Por, a mund të bëjë Kosova lëvizje të tilla kur nuk është etabluar plotësisht ndërkombëtarisht duke rrezikuar marrëdhëniet me aleatin kryesor?
Nga Daut DAUTI
- LAJMI KONFUZ ME SHUMË PIKËPYETJE…
Lexojeni lajmin e mëposhtëm dhe zgjidhni të gjitha dilemat se gjitha “gënjeshtrat” mediale se Qeveria e Kosovës do ta refuzojë gazpërçuesin amerikan të para pak kohës, paskan qenë të vërteta. Paska qenë në pyetje koha kur “gënjeshtra” do të bëhet e vërtetë!
Çudi. Qeverisë Kurti duhet t’i thuhet “pirolla!” që ka guximin t’i thotë “jo!” një projekti amerikan! Aq më tepër, kur të gjitha vendet që janë të lidhura me interesat gjeostrategjike amerikane të rajonit, i kanë thënë “po” të njëjtit projekt. Citoj pjesë të lajmit: “Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane. Rizvanolli ka thënë se kanë nevojë për më shumë informacione rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës.”
Gjer këtu është e qartë, por si në ndonjë poezi hermetike ose tregim borhesian, në vazhdim citati mbetet për të analizuar çka konkretisht ka dashur të thotë “autori”: “Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”.
Nuk kuptuat gjë? Hë, merrni pak frymë, e pastaj pyetni: a është e mundur? Çudi, ndryshe nga koha e Grenellit, tash sapo ishin shtuar zërat proamerikane të VV-së. Apo, kishte qenë vetëm deklarim sa për efekt mediatik që të mbulohet me mjegull veprimi në drejtim të kundërt?!
Çdo shtet që ka probleme me furnizimin me energji ose synim sigurimin e burimeve më të lira energjetike, gazsjellësin e ka prioritet. Para disa vitesh, në mënyrë dramatike qe ndërprerë “rrjedha jugore” e gazsjellësit që duhet të kalonte nëpër Bullgari e gjer këtu, për të evituar varësinë jo vetëm energjetike, nga Rusia dhe qe gjetur mundësia për gazin e Azerbajxhanit, që e morën përsipër amerikanët. (Ndoshta në qeverinë e VV-së, mendojnë se më mirë të mos ketë fare varësi, as ruse, as amerikane, edhe pse zonja presidente Vjosa Osmani pak ditë më parë kishte thënë se është interes gjeostrategjik. Si duket nuk paska pasur informacione të drejtpërdrejta nga Qeveria! Mos po paraqitet ndonjë çarje në idilin e pakufi Osmani-Kurti?!).
Disa analistë kosovarë, tek i kërkojnë arsyet pse një qeveri kosovare të refuzojë një projekt amerikan, mendojnë se mos ndoshta qeveria ka ndonjë opsion furnizimi nga Turqia? Pikërisht kjo analogji me Turqinë, të shtyn të mendosh se mos ndoshta Kosova mendon se është pikërisht si Turqia, e cila edhe pse anëtare e NATO-s, blen raketa ruse? Ndoshta Turqia si vend i madh edhe mund t’i lejojë një luksi që të furnizohet nga tregje alternative ku i leverdis, sepse ekonomia e saj varet nga tregu rus dhe i vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik,e sidomos turizmi varet prej tyre… Mund të jetë e kuptueshme për Turqinë të bëjë ndonjë lëvizje që duket e çuditshme, sepse nga pak ndihet e lodhur dhe e mashtruar: Perëndimi (BE-ja) prej kur e mban Turqinë para portës së vet dhe nuk ia hapë… Por, a mundet ta të njëjtën gjë edhe Kosova, sidomos kundrejt aleatit kryesor? A mundet të bëjë me sy nga perëndimi, e të shikojë nga lindja siç bënte ish-kryetari maqedonas, Gjorge Ivanov?
Me supozim se megjithatë, është fjala te çmimi i projektit(qeverisë mund t’i jetë dukur i shtrenjtë), pra, që s’ka lidhje me çështje ideologjike apo gjeostrategjike, kjo na kujton një projekt të penguar nga ish qeveria e Branko Cërvenkovskit, ku faktor kryesor ishin paratë. Kjo ishte diku kah mesi i viteve 90-të, kur qe afirmuar mundësia e ndërtimit të një fabrike të automobilave në Ohër nga gjiganti gjerman “AUDI” në . Një distributor i njohur asaj kohe i grupacionit të Volksvagenit, ASIBA MG, kishte investuar miliona për këtë projekt, mirëpo, ministri i financave, Taki Fiti, ngulte këmbë se Maqedonia nuk fiton gjë prej këtij investimi, dhe e pengoi!…Po të mos ndodhte kjo, sot do të kishim industri automobilash, me qindra e mijëra të punësuar!
Një veprim i çuditshëm! Pse? Sepse, s’do të kalojnë shumë vite, kur do të vijë Nikolla Gruevski kryeministër, për të sjellë investime nga jashtë, u ofronte kompanive të huaja beneficione tepër fleksibile: troll të RM-së me çmim “bagatellë”, lirim tatimi disa vjet, rrymë pa pare, rroga të ulëta për punëtorët…, vetëm që të hapeshin vende pune ku do të punësoheshin qytetarë të Maqedonisë. Ato fabrika ende janë këtu. Sigurisht që AUDI mund t’i kishte sjellë Maqedonisë shumë më tepër përfitime se sa këto kompanitë e Gruevskit… por mbetëm kështu si mbetëm, falë një vlerësimi të gabuar të qeverisë së asaj kohe…
Kur kostoja mujore e një qytetari të një shteti evropian me rrjet gazi, është më e vogël se e një familjeje kosovare ose të Maqedonisë, vetë refuzimi i një mundësie për ta futur në vendin tënd kur të ka ardhur te fqinjët, është gabim i pafalshëm, sepse është një vonesë e panevojshme për të ardhur pas disa vitesh te e vërteta që e di gjithë bota se kundrejt rrymës së termoelektranave ose ngrohjes me mazut, gazi është edhe më i lirë edhe më ekologjik… Besoj se Kosova nuk ka ndonjë burim më të mirë e më të lirë, as si alternativë e të ardhmes se gazi natyror. A është çështje e preteksti me ngjyrë ideologjike, apo ka rrugë të tjerë çfarë mund t’i lejojë vetes Turqia për arsyet e veta?
Mund të jetë vonë kur Kosova të zgjohet, sepse cenimi i një projekti nga vendi kryesor aleat, nuk është një porosi e mirë në periudhën kur Kosova nuk i ka aq mirë pozitat ndërkombëtare.
- SHPIKJE TEZASH TË PAQËNDRUESHME
Më parë nuk kishte shumë TV-ja, kishim Shkupin, Beogradin Një dhe Dy nga i kthenim sytë, dhe Prishtinën, nga mundoheshin prej kulmeve t’ia drejtojmë antenën për të kapur. Nëpër zonat kufitare, premi e kishin Tiranën…Ah, Tiranën dhe propagandën e Xhaxhit e përpinim si të vërtetë absolute…Nejse, nuk dua t’u bëj analizë ideologjike as periudhe, e kisha më tepër te numri i TV-ve që kishim në dispozicion, e ku, do të thotë dikush, kishte një farë rendi…Dihej. E çka…E dihej…
Tash, kur kemi këtë shumësi televizionesh nga operatorët poashtu jo të paktë kabllovikë ose IPTV, është shtuar edhe nevoja për më shumë fytyra, sepse trendi e do, që krahas lajmeve që japin dhe programeve tjera, të kenë edhe analistë që të na tregojnë se nga cila anë lind dielli e perëndon hëna! Dhe trendi tjetër, të grumbullohen nëpër studio mendim ndryshëm, të cilët kur mbeten pa argumente, të vetmin argument e kanë të ngrenë zërin dhe pastaj asgjë nuk kupton. Ama tema nuk është as kjo, por te numri. Prapë numri. Kaq shumë mendimdhënës, e pak mendim! Një paradoks, apo jo…
Një nga këto shpikjet e fundit të tezave, me të cilën merren shumë prej tyre, në garë për të gjetur ndonjë behane në diçka, si p.sh. në rastin konkret te marrëveshja për reciprocitet Kosovë-Serbi, është pikërisht teza se me këtë është poshtëruar Kosova pasi largimi i forcave speciale, është kushtëzuar me largimin e bandave që kanë bllokuar rrugët.
Nëse do të ishte ky qëllimi i marrëveshjes, pra, i tërheqjes së grupeve të serbëve në veri të Kosovës dhe kjo u arrit me largimin e forcave speciale, atëherë njeriu thotë “ka logjikë”. Por, këta analistë nuk i hynë përmbajtjes së marrëveshjes dhe thelbit, e kjo është se Kosova praktikisht atë që e bëri duke aplikuar targat “plotësuese” për qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë, njësoj siç ka bërë dhe do të bëjë më tutje Serbia, tash e përligj, që domethënë, vë reciprocitet. Pra, Kosova nuk ka si të dalë as humbëse e as e poshtëruar, siç thonë këta nasihatçinj që i shoshitin që nga politikat e qeverive të vendit të tyre, ato ndërkombëtare e gjer te të mbjellat e vonuara vjeshtore në bujqësi…Për të arsyetuar qëndrimet e tyre, këtu nuk ndihmon as ndërrimi i tezave, e as urrejtja që mund të kenë ndaj ndonjë subjekti politik, kur shihet qartë se logjika e vetme është ajo e të kërkuarit qime në vezë!
Rezultati është i dukshëm: Serbia në Bruksel është pajtuar me reciprocitetin rreth përdorimit të targave, gjë që është një situatë e re. Si Serbia për veturat e Kosovës, ashtu Kosova për veturat e Serbisë…Për mendimin tim, kjo ka më shumë rëndësi simbolike se sa ndonjë përfitim real (ndryshe do të ishte reciprociteti i harruar nga Qeveria Kurti për mallrat serbe), por në këtë kontekst, duhet thënë se edhe simbolika ka rëndësinë e vet, edhe pse qeveria kosovare nuk duhet të ketë kujdes që duke dashur të arritje përfitime të vogla simbolike, të mos harrojë objektivin e madh, e ai është dialogu me Serbinë nuk duhet të zvarritet me çështje simbolike, por sa më parë të arrijë te njohja.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)