Arbitri Marko Guida dhe asistentët e tij bënë një ndeshje shumë pozitive, por i vetmi dyshim i madh, të paktën duke parë edhe ndihmën që vjen nga sistemi “VAR”, njollë e errët mbetet vlerësimi i aksionit të minutës së 20-të, kur një përplasje që u duk shumë e ashpër nga mesfushori i Milanit, Lukas Bilia, në të vërtetë ka qenë një faull tepër i ashpër edhe nga ana e internistit Razha Naingolan. Nëse për argjentinasin e kuqezinjve, kartoni i verdhë mund të lidhet për gjestin e ashpër dhe ndërhyrjen që fatmirësisht nuk solli dëme për të, në të vërtetë, pamjet vizive treguan se ka qenë Naingolan ai që ka mbështetur shumë ashpër këmbën në kaviljen e Bilias dhe të paktën edhe interisti meritonte të ndëshkohej me të verdhë, por u fal nga Guida dhe ndihmësit e tij në sistemin “VAR”, pa u kuptuar mirë, edhe pse më pas la fushën e lojës. Ndërkohë, për sa u përket dy vendimeve të tjera, ishte i drejtë anulimi i golave të Ikardit dhe Muzakios, ashtu sikurse shpërndarja e kartonëve të verdhë.
Naingolan rrezikon – Razha Naingolan rrezikon të mos grumbullohet me Barcelonën. Mesfushori belg u zëvendësua në minutën e 30-të të pjesës së parë kundër Milanit, pak minuta pas një përplasjeje të ashpër në mesfushë dhe ndërhyrjes në rrëshqitje të Lukas Biljas. Belgu dhe argjentinasi u përplasën mes tyre dy herë brenda 7 minutash lojë (mes të 20-ës dhe të 27-ës), por edhe pse dhimbjet dukeshin të forta për të dy lojtarët, në fund ai që kërkoi zëvendësimin ishte vetëm interisti.
Menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë kanë ardhur informacionet e para se Naingolan ka pësuar një ndrydhje të kaviljes së majtë, e cila do të vlerësohet më saktësisht pas rezonancës magnetike, që do të kryhet mëngjesin e sotëm. Gjithsesi, mundësitë janë shumë të mëdha që lideri i mesfushës së Interit të humbë përballjen e të mërkurës, në Ligën e Kampioneve, kundër Barcelonës në stadiumin “Kamp Nou”. Belgu shfryn në postim – Ka vijuar me tone të ashpra, në përfundim të derbit, reagimi i “Ninxhës”: i indinjuar me tifozët kuqezi, “fajtorë” të koreve kundër tij. “A mos duhej të vdisja në fushë!!! Po tani? Pres kërcënime etj…”, ka qenë postimi i publikuar nga mesfushori në profilin e tij zyrtar “Instagram” menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë.
https://www.youtube.com/watch?v=kbDCH5WuFcE