Shkup, 26 mars – Qeveria miratoi dekret për orët online, por duket se të njëjtat ende po zhvillohen mbi baza vullnetare.
Ardiana Dauti është absolvente e biokimisë në Universitetin e Tetovës. Si gjithë studentët e tjerë edhe ajo po qëndron në shtëpi, sepse universitetet janë të mbyllura.
Për të kompensuar ligjëratat e humbura, tashmë kanë filluar ligjëratat në distancë apo online, por në grupin e Dautit mësimi nuk po shkon siç duhet.
“Mësimi online do të fillojë në ora 2 e gjysmë dhe shpresoj se do ta mbajmë”, tha Dauti.
TV 21: Pse shpreson, a ka mundësi që të anulohen?
“Nuk e di, ndoshta, sepse në disa lëndë janë anuluar këto ditë që kanë kaluar, për shkak të ngecjeve dhe nuk dinin ta përdornin rrjetet sociale si që duhet dhe i ndaluan ligjëratat faktikisht. Thanë se prej javës së tjetër do të fillojnë me rregull”, deklaroi Dauti.
Ardiana po thotë se ka raste që profesorët as nuk dinë të kyçen në rrjete sociale, prandaj, ato për momentin po përdorin vetëm aplikacionin “Google classroom” .
“Në “Google classroom” vetëm postojmë materiale dhe ne i marrim ato i mësojmë faktikisht. Por, deri tash nuk kanë postuar ndonjë material për ta marrë ne. Kurse kjo tjetra është me video – call, ku profesorët bisedojnë dhe ne i dëgjojmë. Por sa është efikase kjo? Shumica e studentëve vetëm kyçen as nuk dëgjojnë dhe e ndalojnë kamerën, ndërkaq vetëm profesori flet. Do të thotë as nuk e kanë mendjen aty”, theksoi Dauti.
Ardiana deri tash ka mbajtur vetëm dy orë online, por thotë se ato nuk mund ta kompensojnë, sepse eksperimentet s’kanë se si i demonstrojnë në praktikë.
Mungesën e demonstrimit të eksperimenteve e alarmoi edhe asistentja e biokimisë në “Nënë Tereza”, Nora Limani. Megjithatë, ajo tregon shembuj se si mund të tejkalohet edhe kjo zbrazëtirë.
“Për shembull po e marr një rast konkret, po kyçem për punën e laboratorit. Gjatë mësimdhënies konvencionale mësimdhënësit e demonstrojnë eksperimentin, kurse studentët e shikojnë dhe kyçen në atë eksperiment. Faktikisht unë më herët e paraqita të njëjtën me video nga një laborator i një shteti evropian dhe është e njëjta procedurë sikur kur shkon në fakultet”, pohoi Limani.
Asistentja Limani megjithatë, thotë se më mirë të vazhdohet me këto lloj mësime se sa të rrihet kot.
“Duke e pasur parasysh gjendjen momentale të shoqërisë nëpër të cilën po kalojmë, është më mirë të bëjmë diçka se sa mos të bëjmë fare dhe të rrimë kot. Aq më shumë në këtë kohë kur kemi mundësi të bëjmë mësime online”, theksoi Limani.
Që të dyja shpresojnë se nevoja për mësimin online të mos zgjat më shumë dhe vlerësimi të mund të realizohet siç është realizuar, me demonstrim të eksperimenteve. Studentja Dauti insiston që orët e humbura të kompensohen të shtunave.
Orë online janë duke u mbajtur edhe në arsimin fillor dhe të mesëm. Për atë fillor është hapur platformë nacionale, ku siç mund të shihet, futja e materialeve është duke shkuar shumë ngadalë.