Loja e trupit tetaror që vuni në skenë Vdekjen e Dantonit, edhe kur rrëshqiste në ndoj dis’hotoni eventuale kishte një linjë që të mbante në gumëzhim ndjenjat lartë. Këto ishin aktorët e rrinj që m’gëzojnë për vazhdimësinë e Teatrit shqiptar në Shkup. Vitalët që pasrevolucionet tona do i spikasin në sistem arti të gjallë për ne shqiptarët këtu! Kështu e përjetova llavën e tyne asaj nate!
Nga Adelina MARKU
Kur njeriu përjeton edhe një revolucion në jetën e tij, e kur pas një Revolucioni të larmë e jo më larg se dje, ky – njeriu i tranzicionit (ose UNË e TI!), pra gjen veten të fitojë aftësinë e përjetshme të mbarset me revolucionin e të mbetet shtatëzënë me të deri në vdekje. Është kjo një shtatëzani e gjatë e mundimshme ngase aborton veten, pra ndryshimin që do vijke pas revolucionit! Të mos pjellësh as edhe një përtej-revolucion, por të ngulesh në një farsë të sërishme qeverisje revolucionare e cila në gjuhën e Georg Buchner “s’është asgjë tjetër përveç se një despotizëm i lirisë kundër tiranisë!”, bën që jeta jonë të përjetohet revolucionarisht dhe asnjëherë me rehati për pragmë. Nga njeriu sot, nga qytetari i sotëm kërkohet që ai /ajo të kuptojë revolucionin (…duhesh kuptuar revolucionin!!!) , t’i përshkojë trupit të tij (…duhesh bërë pjesë e tij!!!), t’i dalë përtej (…duhesh me duru e pritur ndryshimin!!!) e të kërkojë përsëri revolucionin (…ngase ndryshimi s’u bë as pas një pritjeje të gjatë!!!) …, masnej të pyesë veten: “Përsëri revolucion!?”, “A paska fund revolucioni?”…dhe për më shumë të vetëkërkojë : “Vdekje revolucionit…!” dhe të shkruajë epitafe me: “Përqeshje revolucionit!”
Përjetova shfaqjen “’Vdekja e Dantonit”me një lluks e rrëndesë njëkohësisht, sepse (pa)nevojën e revolucionit kam filluar t’a lidh me mungesën e lirisë tek ata që vendosin të udhëheqin me pasrevolucionin, pra me Republikën (Qeverinë e re) . Në fakt këta nuk udhëheqin, këta lakmojnë, bëjnë afshimin e jo menaxhimin! Për habinë dhe lëngimin tim të madh, pushtetrët me vetëdije vrasin revolucionin tuj ia ngranë fëmijët atij! Kështu çlirojnë veten me gjasë tuj dasht me u xhvesh nga premtimet e revolucionit. Ky është edhe rrëfimi i dramës “Vdekja e Dantonit”, shkruar nga Georg Bychner, vënë në skenë nga Teatri shqiptar në Shkup ndërsa nën rregjinë e Dino Mustafiq, një emër ky i spikatur i teatrit ish jugosllav, e spikatur piedestalesh tani përtej jugosllavit. Katarzike ishe rregjia e tij, e ngarkuar e ngopur me qartësi mesazhi t’Bychner-it, por edhe me aso Tepri të nevojshme që në kuptimin tim sikur ishin sistemuar me qëllim në pjesën teatrore sa për të sqaruar ngarkesën e përditshmërisë së shekullit digjital, nën ambiguitetin ushtrues të të cilit rastisëm të bëjmë jetën tonë të varfër. Janë dy heronj gjithmonë, Robespjeri e Dantoni , ata që bashkë bëjnë revolucionin e që më vonë të shohin se si pikërisht idealin e revolucionit e thërmojnë ndrysh’ e për t’a shiju njëri nga to fuqinë orgazmuese prej pushtetari. I pari, Robespjeri këtë fuqi orgazmuese e vendos në kupolë pushtetare, ai betohet në vyrtyte :”Vyrtyti duhet të sundojë përmes tmerit”- dhe e shpall këtë ngjyrim diskurs politik të pushtetit të tij. Është ky sistemi i mëndjes së tij që e inspiron të shohë tek Dantoni jo më mikun e shtrenjtë me të cilin bëri revolucionin por tradhtarin e madh, sepse ky – Dantoni është hedonisti, Njeriu i Lirisë, ai që vazhdon të besojë në inspirimin e revolucionit – në punën për liri e tolerancë, për shoqëri të barabartë e për të gjithë njësoj! Kështu Robejspjeri – nga lartësitë e pushtetit e shpall Dantonin tradhtar. Me sa duket ai më lehtë e ka të arsyetojë dështimin e pasrevolucionit përmes shpalljes tradhtar Dantonin e tuj e shndru veten ngadal – ngadalë në të gjithfuqishmin, prandaj diktatorin. Diktatorët kanë aftësinë të vrasin të gjithë ata që duan të përfundojnë revolucionin e të shpallin sistemin e rrendit të qëndrueshëm si bazament shoqëror. Diktatorët inspirohen nga tmerri gjer në spikamë vyrtyti e kështu bëhen të pakontestueshëm . Për këta të gjithë janë të kontestueshëm e e kontestueshme është edhe liria e tyre , prandaj Robespjeri e çon në giljotië mikun e tij të ngushtë Dantonin! Tuj e giljotinu Dantonin, ai në fakt i prêt kokën lirisë.
Gjenialiteti i Bychner-it është pothuajse iritues për mua, sepse drama që ky shkroi në vitin 1835 është po ajo që kish mundur t’a shkruajë në vitin 2018. Përjetësia e veprës së tij është madje e frikshme, revolucioni nuk po mer fund, ai dështon vazhdimisht e me qëllim sepse nuk mund të jetojë pa veten , pa vetënxitur një revolucionin të ri! Kështu ne vazhdojmë të jetojmë në një dimension revolucionar e të mundimshëm, pa e kry kurrë veten deri në fund. Ky dhe është thelbi i dramës së Bychnerit, ” Vdekja e Dantonit”është moskrymja e vetes sonë!
I/e nderuar lexues/e, ju ftoj t’i ktheheni një teatri të këtillë, le mos t’ju ikë mrekullia difuze e fantazisë së Bychner-it përmes trajtës së sistemimit nga Mustafiq . Kompozimi, gjetja e këtij shpesh merte modelin e filmit tuj i ik tradicionales së teatrit. Për mua, ky ishte një përjetim i ri e i pazakontë , “i hapt… dhe i mbusht”! Dantoni përmes lojës së Refet Abazit e kapte deri në fije empatie të puthtë organikën e karakterit të Bychner-it tuj e lanë t’i rrjedhëlum vetja mes trajtash arti të padiciplinum, ndërsa porcelan’ja e plastikës së lojës së Luran Ahmetit në rolin e Robepjerit të bënte që pritesh gjak tehut të saktësisë që buronte nga aktrimi i tij . Një bardhzezonë kjo maestrale! Muzika e shfaqjes disi e dendun e e ngopt’, por për mua merte kuptimin e asaj që e shkrova më lartë, Teprisë së nevojshme- që sikur projektonte ngarkesat vulgare të jetëve tona në këtë shekull të digjitalizum. Herë të dyndte gjer n’ mishrim vajtus e herë në tranim ekstazus! Skenografia e thjeshtë, Urë e Qiell! Hej, aq janë edhe elementet e jetës sonë , një urë që definon (ç) ekuilibrin e jetës sonë drejt një Qielli (përfundimi) që e përcakton cilësia e atij (ç) ekuilibri! Skenografi minimaliste por me shumë gojë! Videogjetjet kulmonin me vibrime nga hapësirat e brendive tona plot ankth ndërsa adaptimi i tekstit te Bychner-it me realitetin akut tonin, bënin që drama e tij të projekton ditët tona me dënesje pafund. Kostumet që ngjisnin dy botë, pushtetin e hekurosur tejmëtej dhe bluzat e përditshmërisë sonë që lypin lirinë, vllazërinë e barazinë ndërsa vallja e dansi , koreografia – sikur më sillnin fuqinë e gravitetit në formë mbispikame të gjithë lëvizjeve tona të mundimshme në jetë!
Loja e trupit tetaror që vuni në skenë Vdekjen e Dantonit, edhe kur rrëshqiste në ndoj dis’hotoni eventuale kishte një linjë që të mbante në gumëzhim ndjenjat lartë. Këto ishin aktorët e rrinj që m’gëzojnë për vazhdimësinë e Teatrit shqiptar në Shkup. Vitalët që pasrevolucionet tona do i spikasin në sistem arti të gjallë për ne shqiptarët këtu! Kështu e përjetova llavën e tyne asaj nate!
Me sa duket, tek vrisja mendjen pas’ Dantonit, revolucioni nuk e njeh lirinë mjaftueshëm, prandaj refuzon atë t’a sistemojë në formë standardi institucional për t’i shërbyer qytetarit! Ose, këtu qëndron edhe problemi i demokracive tona kaq të thyshme, pikërisht në mosdijen(prandaj mosdashjen) e pushtetarit për të vendosur lirinë e qytetarit në një sistem të qëndrueshëm e stabil ku do sundonte ligji dhe e drejta. Prandaj revolucionet tona mbeten të pakry e të pakryme, ato vetiu pjellin revolucionin e ri, sa për të fshehur gjurmët e mistershme e të pandriçume të të vjetrit.
Ah, dhe ne vazhdojmë të pyetemi… po ne, ne që tani i dijmë të gjitha misteret e revolucionit por edhe motivet e pasrevolucionit, me ne çka do bëhet ? Të paskemi fatin e Dantonit edhe ne?! ose t’a kryejme revolucionin!? Por, si kryheshka revolucioni???
Do thoja pa Robespjerin e pa Dantonin ! Ndoshta pa ata që e bëjnë atë…
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)