Omer XHAFERI
Ndonëse zhvillimet e fundit në sferën e gjyqësorit lënë përshtypje se reformimi i sistemit juridik në Maqedoni është duke ndodhur, megjithatë vendimet e miratuara nga Qeveria aktuale, aspak nuk dallojnë nga mënyrë e funksionimit të pushteteve të mëhershme. Si zakonisht, pas çdo ndërrimi të pushtetit, përgjatë 26 viteve të pavarësisë së Maqedonisë, iniciativa e parë, në emër të reformave në gjyqësor, ka qenë shkarkimi i kryeprokurorit. Kësaj radhe fillimi i procedurës për zëvendësimin e Marko Zvërlevski, gjithsesi ishte një hap i pashmangshëm i shumicës parlamentare.
Por, premtimet e kryeministrit Zoran Zaev, se sistemi gjyqësor do t’i nënshtrohet një reformimi të plotë, deri më sot fare pak janë realizuar. Në realitet, reformat e paralajmëruara nga Zaevi, me fjalë të tjera, synojnë prishjen piramidës së ndërtuar nga ish ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski. Themelet e anarkisë momentale, e cila mbizotëron në gjyqësor, me theks të posaçëm në Gjykatën Penale të Shkupit, janë vendosur në vitin 2006 dhe të njëjtat janë përforcuar përgjatë pesë viteve tjera, deri në vitin 2011, atëherë kur edhe përfundoi mandati i dytë i Manevskit. Faktin se sistemi gjyqësor nuk shkon drejtë reformimit transparent, e vërteton pranimi i kandidaturës së prokurorit Lubomir Jovevski, për kryeprokuror të ardhshëm të shteti. Qeveria reformatore, e cilësuar si e tillë nga vetë pjesëtarët e saj, pra u përcaktua për këtë prokuror, i cili vite me radhë ka qenë zëvendës i Marko Zvërlevskit. Kryeprokurori i ardhshëm (nëse deputetët shqiptar vendosin “për”) përskaj Zvërlevskit, ka qenë protagonist edhe gjatë periudhës kur janë proceduar një sërë rastesh, të kategorizuara nga opinioni si procese politike.
Këshilli i Prokurorëve Publike, pjesë e të cilit është edhe vetë prokurori Jovevski, pas shqyrtimit të 23 kandidaturave për kryeprokuror, vendosi që në garën finale për kryeprokuror të futen, anëtari i tyre dhe profesoresha universitare, Elena Andreeska. Kjo përzgjedhje ndodhi, edhe pse në garë ishin profile të ndryshme të juristëve, në mesin e të cilëve kishte edhe tre shqiptarë.
Rastet “Monstra”, “Gjorçe Petrov”, “Lagja e Trimave” dhe lënda gjyqësore e zhvilluar në fillimin e 90-ta, ndryshe e njohur si “Afera e armëve”, nëse jo në mënyrë direkte, atëherë në mënyrë indirekte kanë kaluar edhe nëpër duart Jovevskit.
Hiç më i mirë nuk ishte edhe zgjedhja e kryetari të ri të Gjykatës Penale të Shkupit, Ivan Xholev, i cili betimin para Këshilli Gjyqësor e dha pothuajse para një salle të zbrazur, respektivisht njohësit e mirë të zhvillimeve në gjyqësore thonë se ai është vendosur në atë pozitë, vetëm për guximin e tij, por jo edhe për nivelin e tij profesional.
Për në fund, nëse dëshirojmë të shohin se sa punohet në reformimin e sistemit gjyqësor, në respektimin e pushtetit gjyqësor, mjafton të analizohet deklarata e fundit e kryeministrit Zoran Zaev, në rastin e Edmond Temellkos. Vërejtjet e parashtruara nga opozita se kryetari i Pustecit, në paraburgim është duke qëndruar pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësor, u pranuan nga kryeministri, i cili tha se nuk e ka ndërgjegjen e pastër për gjendjen shëndetësor. Kësisoj, ai i apeloi gjykatës që t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese dhe ajo me automatizëm brenda dy ditëve vendosi që Temellko, i akuzuar për prishje të rendit zgjedhor, nga paraburgimi të dërgohet në arrest shtëpiak. (koha.mk)