Disa sporte kanë rregulla të ndryshme për atletët meshkuj dhe femra. Për shembull, rrjeta është më e ulët te volejbolli për femra, koshat e basketbollit janë më të vegjël, shtizat janë më të lehta dhe pengesat e vrapit më të ulëta. Tani, një studim kontrovers kërkon të ndryshojë mënyrën e lojës së tenisit për femrat dhe meshkujt. Sipas këtij studimi, rrjetat në tenisin e femrave duhet të jenë më të ulëta dhe topat duhet të jenë më të lehtë, në mënyrë që ndeshjet e grave të jenë më konkurruese. “Ulja e rrjetave dhe luajtja me topa më të lehtë mund të zgjidhë ndryshimet psikologjike dhe t’i ndihmojë gratë të jenë më konkurruese, të kenë pikë më të afërta me lojën e meshkujve”, thotë doktor Mosi Rosenboim nga Universitetin Ben Gurion në Izrael. “Është e rëndësishme të theksohet se pabarazia aktuale nuk lidhet me nxitjen e konkurrencës. U atribuohet zakonisht ndryshimeve në forcë dhe shpejtësi, veçanërisht gjatë shërbimit të topit”, shpjegon ai. “Ndërsa loja e zakonshme te burrat karakterizohet nga shkëmbime nervore të topit sa në një fushë në tjetrën, te loja e grave topi qarkullon më pak dhe setet janë më të shkurtra”, tha Rosenboim.
Ndryshimet midis pikëve
Në studimin e publikuar në revistën Ekonomisti i Sportit, kërkuesit analizuan ndryshimet midis pikëve të turneut te burrat dhe gratë. Ata analizuan 24 turnetë kryesorë të meshkujve dhe 23 turnetë të femrave të sezonit të vitit 2010. Pastaj vlerësuan se sa konkurruese ishte loja krahasuar me afërsinë e pikëve të kundërshtarëve. Setet e burrave ishin më të ngushta në rezultat (6-4 ose 7-4) ndërsa setet e grave kishin diferencë më të lartë si për shembull 6-2 ose 6-1. “Analiza e bazuar te setet që përfshin fuqinë fizike, jo konkurrencën, është përgjegjëse për numrin e ndryshëm të lojërave për set”, thotë doktor Offer Moshe Shapir nga Universiteti i Nju Jorkut në Shangai. Kur kërkuesit kanë rianalizuar turnetë e vitit 2010 dhe kontrolluan karakteristikat fizike, si gjatësia dhe indeksi i masës së trupit, hendeku gjinor në pikët finale u zhduk plotësisht. Duke krahasuar ndeshjet e burrave dhe grave që ishin po aq të ngjashme për nga tiparet e trupit rezultoi se nuk kishte dallime gjinore në numrin e lojërave për set. “Ky është një subjekt shumë i debatuar i botës së tenisit”, thonë kërkuesit. “Niveli i konkurrencës është një nga faktorët më të rëndësishëm në industrinë e sportit, ku rezultatet e pasigurta prodhojnë më shumë interes nga tifozët dhe shitje më të larta të biletave. Ky argument ka kontribuar gjithashtu në një hendek fitimi mes lojtarëve profesionistë gra dhe burra. Pasi analizuan setet e 3844 burrave dhe setet e 3034 grave, Rosenboim dhe kolegët e tij Krumer dhe Shapir, zbuluan se pikët e burrave ishin më të afërta. Për shembull, kur Novak Djokovic mundi Rafael Nadal në finalen e meshkujve në Australian Open në vitin 2012 me pikë 5-7, 6-4, 6-2, 6-7, 7-5, loja zgjati thuajse gjashtë orë. Një ditë më parë Victoria Azarenka mundi Maria Sharapovën me 6-3, 6-0 për një orë e 22 minuta. “Nëse nuk bëhen ndryshime, loja në të njëjtat kushte për tenisin e burrave dhe grave do të ndryshojë plotësisht mënyrën si e perceptojmë tenisin”, thotë Rosenboim.
“Burrat duhen paguar më shumë”
Disa muaj më parë, Novak Djokovic dhe Serena Uilliams ishin në anë të ndryshme të një trazire seksizmi në tenis për pretendimet se gratë duhet të fitojnë më shumë. Tenisti më i mirë i burrave tha se ata duheshin paguar më shumë se gratë, sepse “shisnin më tepër bileta”. Tenistja më e mirë, Uilliams tha se kjo deklaratë ishte ofenduese dhe se gratë meritonin pagesë të barabartë. Por të dhënat më të fundit treguan se amerikania në fakt fitoi 870 dollarë për minutë më shumë sesa Djokovic në turneun Grand Slam të vitit të shkuar. Burrat luajnë deri në pesë sete, ndërsa gratë deri në tre sete, që do të thotë se ndeshja e burrave zgjat më tepër. Megjithatë, pagesa ka qenë e barabartë për të dyja gjinitë në Grand Slam që nga viti 2007 pas një ankimi nga Shoqata e Grave Teniste. Në vitin 2015 Djokoviç dhe Uilliams fituan tre çmime Grand Slam. Por atij iu desh të luante 4000 minuta që të fitonte një total prej 9.5 milionë dollarësh, ndërsa ajo luajti 2412 minuta dhe fitoi 7.9 milionë dollarë.