Skriningun do të duhej kuptuar edhe si detergjent që përdoret për të pastruar rrobat para se të hyhet në BE. Maqedonia ka shumë rroba të pista dhe i takon politikës dhe institucioneve të bëjë dezinfektimin e gjithçkasë që paraqet burim infeksionesh edhe për vendet e tjera. Mbetet të shihet nëse politika vendore ka detergjent të mjaftueshëm për t’u dukur gjithçka paqt në qershorin e 2019-tës
Nga Emin AZEMI
Komesari për zgjerim dhe fqinjësi Johanes Hahn vjen sot në Shkup si inkurajim për fillimin e pjesës teknike të procesit të skriningut. Komisioni Europian pritet të caktojë një renditje prioritetesh sipas kapitujve që do të hapen, ndërkohë që institucionet vendore duhet t’i sigurojnë të dhënat e kërkuara.
Para se të vizitojë Shkupin, Han ka deklaruar se skriningu është një rivlerësim i gjendjes në terren, ku parasegjithash, në rend të parë është sundimi i së drejtës, i përfshirë në kapitujt 23 dhe 24.
Jo rastësisht edhe kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar se pikërisht kapitujt 23 dhe 24 do të hapen të parët në qershor të 2019-tës. Duke u nisur nga rëndësia që kanë këta kapituj, Maqedonia duhet në një afat rekord t’i sigurojë të gjitha parametrat verifikues, në mënyrë që harmonizimi me legjislaturën e BE-së të rrjedhë si një proces normal, pa kurrfarë hezitimi dhe taktizimi.
Kapitulli 23, sikundër dihet, ka të bëjë me gjyqësorin dhe me të drejtat fundamentale, që nënkupton instalimin e gjyqësisë efikase dhe të pavarur dhe luftën efikase kundër korrupsionit. Me kapitullin 24 rregullohen çështjet që kanë të bëjnë me kontrollin kufitar, vizat, migrimi i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, bashkëpunim në luftën e antidrogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor për çështje penale dhe civile.
Raporti i skrining-ut përmban katër pjesë: Sqarim dhe shpjegime lidhur me të drejtën e Unionit Evropian që përmban kapitulli në fjalë, rezultatet nga Skrining-u, me informata të dhëna nga ana e vendit kandidat , dhe vlerësimin e bërë nga ana e Komisionit, konkluzione dhe sugjerime nga Komisioni, kurse në pjesën e fundit, Komisioni i sugjeron Këshillit nëse duhet të fillojnë bisedimet për sfera të caktuara dhe nëse jo-cilat janë rregullat që duhet të përfillen dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen.
Skrining-u zakonisht zgjat një vit dhe i njëjti realizohet në bazë të një orari ose agjende të përgatitur nga ana e Komisionit apo Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim (Directorat général pour l’enlargement, fr*) në konsultim me drejtori të tjera kompetente. Aktiviteti realizohet sipas sferave apo kapitujve, ku përjashtim bëjnë kapitujt 34 ‘Institucionet’ dhe kapitulli 35 ‘Çështje të tjera’, që në fakt janë temë negociatash që i përkasin fazës së fundit të procesit të hyrjes së vendit në Union. Në këtë drejtim, së pari mbahen takime dhe mbledhje që kanë të bëjnë me sqarime, në të cilat përfaqësuesit e Komisionit në mënyrë të detajuar bëjnë prezantimin e të Drejtës Evropiane ndërsa më pas mbahen takime bilaterale me secilin vend / shtet. Më pas Komisioni përgatit raport për Skrinung-un e realizuar të cilin ia prezanton Këshillit. Pas përmbylljes së Skrining-ut të sferave apo kapitujve të caktuar, me rekomandimin e Komisionit, Këshilli vendos për kohen e fillimit të bisedimeve.
Në vendet e ndryshme të rajonit procesi i skriningut ka patur dinamika të ndryshme. Në Serbi, bie fjala, skriningu ka zgjatur një vit e gjysëm.
Filozofia e ndryshimit të ambientit politik e social, nuk është një proces i thjeshtë që bëhet brenda natës. Por, krahas këtij procesi mjaft të rëndësishëm, duhet të ndodhë paralelisht edhe një proces tjetër që ka të bëjë me pastrimin e institucioneve (gjyqësore, administrative, politike ) nga kuadrot që janë pengesë e reformave e që kanë qenë shkaktar kryesor të ngcjeve në të kaluarën. Një proces i tillë do të duhej të përfshijë gjithsesi gjyqësorin, sepse atje ndodhi rënia morale e profesionale e standardeve, që për pasojë kishte një mori procesesh të montuara me dhjetëra vjet burg.
Ndonëse Skrining-u paraqet operacion formal me karakter teknik që realizohet nga ana e Komisionit Evropian , në fakt ka për qëllim përgatitjen e mirëfilltë të bisedimeve për anëtarësim që në esencë paraqet prezantim analitik të gjendjes në vendin kandidat që ka të bëjë me sferat e interesit nga e Drejta e Unionit Evropian. Si proces, ai ka për qëllim që në njërën anë të mundësojë që Komisioni dhe vendet anëtarë të vlerësojnë në mënyrë korrektë shkallën e përgatitjes për bisedime të vendeve kandidat, dhe në anën tjetër të njëjtët të jenë të informuar në mënyrë të mirëfilltë për planet e tyre të ardhshme si dhe të firojnë ose marrin drejtime apo të dhëna preliminare lidhur me çështjet ose pyetjet që do të jenë më aktuale gjate negociatave.
Skriningun do të duhej kuptuar edhe si detergjent që përdoret për të pastruar rrobat para se të hyhet në BE. Maqedonia ka shumë rroba të pista dhe i takon politikës dhe institucioneve të bëjë dezinfektimin e gjithçkasë që paraqet burim infeksionesh edhe për vendet e tjera. Mbetet të shihet nëse politika vendore ka detergjent të mjaftueshëm për t’u dukur gjithçka paqt në qershorin e 2019-tës. (koha.mk)