Mediat amerikane kanë raportuar dje se Koreja Veriore ka dërguar specialistë të raketave në Siri, së bashku me disa pajisje të cilat mund të përdoren për prodhimin e armëve kimike. Në raportin e 27 shkurtit, thuhet se ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur më shumë se 40 transporte të paraportuara të furnizimit me këto pajisje në Siri nga vitit 2012 deri më 2017.
Materialet të cilat thuhet të jenë dërguar ilegalisht në Siri kanë përfshirë pllaka rezistente ndaj acidit, pajisje rezistente ndaj korozionit dhe termometra. Raporti i papublikuar nga OKB-ja, që shqyrton nëse Koreja Veriore po vepron në përputhshmëri me rezolutat e organizatës, tregon se si një anëtar ka vërejtur teknikë të Phenianit në hapësirat e armëve kimike dhe raketave në Siri. Në raport përmendet edhe se Damasku u ka thënë ekspertëve të OKB-së, se verikorenët që kanë qenë prezent në Siri janë trajnerë dhe atletë. Supozimet kanë ardhur pas raportimeve për përdorimin të gazit të klorit nga forcat siriane drejt civilëve. Qeveria siriane e kundërshton një gjë të tillë. Ekspertët kanë thënë se Koreja Veriore, e cila aktualisht është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të programit të saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike, ka ofruar një kohë të gjatë trajnime për përdorim të këtyre armëve në gjithë botën, në këmbim të të hollave.
Ndërkohë, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, deklaroi se përskaj armëpushimit humanitar, në Siri edhe më tej vazhdojnë përleshjet e armatosura. “Gjendemi në një situatë ku çdo fjalë është e tepërt. Nga dita e parë e luftës në Siri, ne kërkojmë fundin e konfliktit të armatosur. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së injorohen plotësisht”, tha Dujarric në konferencën për media në selinë e OKB-së në New York. Ai gjithashtu kujtoi fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili më parë tha se është koha për t’i dhënë fund ferrit në Gutën Lindore dhe se rezoluta e fundit e KS të OKB-së për një armëpushim një mujor në Siri do të kishte kuptim vetëm nëse zbatohet plotësisht.
Dujarric përsëriti se nevojitet që të gjithë aktorët e përleshjeve në Siri, si dhe vendet që i mbështesin, të përfundojnë përleshjet dhe në këtë mënyrë të ndërpresin vuajtjet e popullit sirian. Krahas rezolutës së miratuar të KS-OKB-së për vendosjen e armëpushimit një mujor në Siri, forcat lojale të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad edhe sot sulmuan vendbanime në Idlib. KS i OKB-së fundjavën e kaluar miratoi reziolutën me të cilën kërkohet vendosja urgjente e armëpushimit një mujor në Siri.