Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 mars – Nxënësit shqiptarë të rrethit të Velesit janë lënë thuajse krejtësisht në mëshirën e fatit, e sa u takon shkollave ku ata mësojnë – duket që as fati nuk është në anën e tyre. Jo vetëm shkollat që gravitojnë në Komunën e Velesit, por edhe ato në Komunën e Çashkës janë shumë larg përmbushjes së të drejtave elementare për shkollim në gjuhën amtare, shkruan gazeta KOHA. Fshatra të tërë si Banjica, Vranivca e Poshtme, Starigradi, Sogleja, Ellova apo Novosella për dekada me radhë nuk kanë shkollat e tyre, edhe pse kanë numër të konsiderueshëm fëmijë të moshës shkollore. Ndërkaq arsimi fillor nëntëvjeçar siç dihet – është i detyrueshëm. Të mbetur jashtë vëmendjes institucionale, prindërit shqiptarë të këtyre fshatrave janë të detyruar ti dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkollat maqedonase, të cilat rastësisht ose jo – funksionojnë nëpër fshatra maqedonase. Për shembull, nga Vranovca dhe Starigradi nxënësit shqiptarë duhet të shkojnë në shkollën e Izvorit, i cili edhe pse fshat më i vogël se dy të parat, ka shkollë fillore qendrore si subjekt juridik. Rasti i njëjtë është edhe për shqiptarët e Sogles, të cilët shkojnë në shkollën qendrore “Petar Pop Arsov” të fshatit Bogomillë, ku gjithashtu është një shkollë fillore qendrore. E njëjta praktikë vlen për nxënësit shqiptarë nga Banjica, Ellova, Kollozinca, Busillca dhe Novosella të cilët mësojnë në shkollën qendrore “Todor Janevski” të fshatit Çashkë. Në të gjitha këto shkolla mësohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe në pjesën më të madhe të tyre – paralelet maqedonase mbahen gjallë me nxënës shqiptarë. Arsyeja përse nuk formohen paralele me mësim në gjuhën shqipe ka të bëjë me ruajtjen e vendeve të punës për kuadrin maqedonas – qofshin ato mësimdhënës apo personel teknik dhe drejtues i atyre shkollave, të cilat janë qendrore edhe pse me numër të vogël nxënësish, siç kemi rastin me shkollat e Izvorit dhe Bogomiles. Në fshatin Çashkë – numri i nxënësve është pak më i madh, mirëpo edhe këtu – pavarësisht numrit të madh të banorëve shqiptarë, përsëri nuk formohen paralele në gjuhën shqipe. Nxënësit e fshatit Çashkë udhëtojnë çdo ditë për në shkollën e fshatit Jabollçishtë i Epërm. Në Komunën që mban emrin e fshatit Çashkë, janë katër shkolla qendrore fillore prej të cilave vetëm ajo e Jabollçishtës është në gjuhën shqipe. Më konkretisht, në shkollën fillore “Liria” të këtij fshati, ku tradicionalisht mësojnë edhe nxënësit nga fshati Vranovc i Epërm, në vitin shkollor 2016/2017 ka 605 nxënës, apo dy-tre herë më shumë nxënës se të tre shkollat tjera qendrore me paralele maqedonase. Kjo mund të thuhet se është institucioni i vetëm arsimor i konsoliduar deri-diku, pasi në të gjitha fshatrat tjerë – pa përjashtim, problemet arsimore janë tepër të rënda. Këtë fat kanë jo vetëm fshatrat e Çashkës, por edhe ato të fshatrat që gravitojnë në Komunë e Velesit si Slivniku, Kllukovesi apo Buzallakova. Talljet me paralelet shqipe në Kllukovec kanë arritur deri aty sa, pasi u adaptua një klasë prej 9 metra katror për paralelet e klasës së parë, 13 nxënësit e saj i kanë lënë sot e kësaj dite pa mësues. Në Slivnik gjithashtu punohet me improvizime, ndërsa në Buzallakovë – pavarësisht numrit të konsiderueshëm të nxënësve, shkolla nëntëvjeçare nuk ka fituar pavarësinë juridike. Nuk është aspak më e mirë situata në shkollat e qytetit të Velesit. Në gjimnazin “Koço Racin” për paralelen e vitit të katër ka vetëm një profesor shqiptar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.