Nga Lidhja e Odave Ekonomike kanë reaguar edhe për faktin se sa një transfer i tillë do ti përgjigjet profesioneve specifike dhe deficitare pikë së pari të profesioneve teknike dhe ngushtë të specializuara që i kërkon biznesi nga tregu i punës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 korrik – Ministria e Shoqërisë informatike dhe Administratës planifikon që procesi i planifikuar që dy vite më parë i kalimit të një pjese të administratës në sektorit privat, më në fund të fillojë të realizohet deri në fund të këtij viti. Një procesi të tillë do ti paraprijë analiza e detajuar, si dhe definimi i konceptit, kushteve, apo mënyrës së kalimit të një pjese të punëtorëve nga administrata e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, një nga katër Odat kryesore në shtet, apo nga Lidhja e Odave Ekonomike kanë reaguar lidhur me saktësimin e kritereve për kalimin e punonjësve të administratës, sa do të munden analizat të tregojnë se çfarë arsimi dhe shkathtësive posedojnë ata që do të ishin joshës për të kaluar të punojnë në administratë , si dhe me faktin se sa një transfer i tillë do ti përgjigjet profesioneve specifike dhe deficitare pikë së pari të profesioneve teknike dhe ngushtë të specializuara që i kërkon biznesi nga tregu i punës.
“Në këtë drejtim po hapen çështje me rëndësi, se si do të zhvillohet vetë procesi i modelit të kalimit nga sektori publik në atë privat që për herë të parë zbatohet në vend. A do të mundësohet rikualifikim i këtyre kuadrove dhe kush do ta kryejë të njëjtin, sa kohë do të zgjasë procesi i adaptimit në vendin e ri të punës dhe cila do të ishte shkalla e produktivitetit pas rikualifikimit për ato vende pune për të cilat ka nevojë sektori privat” , thotë kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Daniella Arsovska.
Sipas saj, në të ardhmen duhet të tejkalohen edhe sfidat e shumta siç janë mendimi i të rinjve për nivelin e lartë të atraktivitetit për punësim në administratën publike, mendimin e përgjithshëm se puna në sektorin publik ofron siguri më të madhe dhe kërkon punë dhe angazhim më të vogël . Nuk janë për të lënë anash as të dhënat që tregojnë se me përjashtim të sektorit energjetik dhe të teknologjisë informatike , edhe pagat në administratën publike në mesatare janë më të larta se pagat në sektorin privat, që krijon edhe shtrembërim apo distorzion në perceptimin apo përfytyrimin e në vendi tërheqës të punës.
Një pjesë e sindikatave në Maqedoninë e veriut ka kundërshtuar fuqishëm një transfer të tillë, nën arsyetimin se idea nuk është e qëndrueshme , dhe vështirë mund të realizohet në praktikë. Nga atje shtojnë se qeveria duhet të orientohet ndaj masave të tjera për të plotësuar vendet deficitare në sektorin privat dhe jo përmes masës së lartë përmendur.
“Qeveria nevojitet që me masa konkrete të ndihmojë punëdhënësit me qëllim që të mundësohet që sektori privat të jetë më tërheqës, ndërsa derdhja e të punësuarve të ecë sipas rrugës natyrore , dhe jo me një masë që është artificiale dhe nuk ju konvenon as punëdhënësve”,thonë nga Konfederata e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Nga ana tjetër , nga Ministria e Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës thonë se transferi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat , paraqet një koncept të ri, që mbart më shumë dilema dhe çështje të hapura që kërkojnë propozime konstruktive nga të gjitha palët e prekura. Për momentin , situata me fuqinë punëtore edhe në sektorin privat, por edhe atë publik është e paqëndrueshme , andaj jemi të vendosur që ta ndryshojmë një gjendje të tillë me punë dhe angazhim të përbashkët thonë nga ky dikaster.
Ndryshe, analizat e Shoqatës së menaxherëve të Maqedonisë tregojnë se 30 për qind e të punësuarve në sektorin shtetëror administratën shtetërore janë tepricë, ndërsa nga ana tjetër sektori privat ka nevojë për 80 mijë të punësuar të profileve të ndryshme. Sipas të dhënave të Regjistrit të administratës të vitit 2016, janë evidentuar 130 mijë nëpunës shtetëror, megjithatë sektori i biznesit vlerëson se së paku 160 mijë persona janë të angazhuar në sektorin shtetëror .
Ideja e qeverisë është që të sigurojë rroga më të larta përmes subvencioneve për ato që do të kalojnë të punojnë nga administrata publike në sektorin privat. Mbështetja financiare shtetërore parashikohet që të jetë përmes mbulimit në vitin e parë të pagës nga ana e shtetit, por me kusht që personi të qëndrojë në punë në kompaninë private për së paku edhe një vit. Në këtë mënyrë synohet që krahas rritjes së pagave të ulet edhe numri i të punësuarve në administratën publike. Njëherazi punëdhënësit të ri do ti ofrohen edhe mbështetje për rritjen dhe zgjerimin e biznesit. Pritet të ofrohen edhe masa dhe lehtësime të tjera për realizimin me sukses të këtij procesi të ndërlikuar. (koha.mk)