Nga Emin AZEMI
Rasti i Sopotit u desh të kalojë në Prokurorinë Speciale për të marrë një epilog të arsyeshëm. Po të mos themelohej kjo Prokurori, 11 banorët e fshatit Sopot të Kumanovës, të cilët akuzoheshin për terrorizëm, për një vepër që nuk e kishin kryer, do të vazhdonin të vuanin dënimin e pamerituar në kohëzgjatje prej 150 viteve.
Dikush do ta komentonte këtë vendim si triumf të drejtësisë në Maqedoni. Por, në fakt është triumf selektiv i një sistemi që vazhdon të ketë dy imazhe: njëri (Prokuroria Speciale) që po procesuon raste mbi fakte e dëshmi relevante, që nuk kanë implikime të segmenteve të caktuara shtetërore dhe, tjetri (gjykatat dhe prokuroritë normale), që po vazhdon të jetë zgjatim i mekanizmave juridik vendimmarrës, me qasje selektive dhe prapavijë etnike.
Mbyllja e rastit të Sopotit, nuk do të konsiderohej plotësisht i mbyllur, nëse në ndërkohë nuk hapet procedure për rishqyrtimin e përgjegjësisë për ata që e inskenuan këtë rast dhe nëse vitet e kaluare në burg për të akuzuarit nuk dëmshpërblehen.
Mungesa e fakteve, që ishte kryefjala e vendimit të Prokurorisë Speciale, është shoqëruar me dëshminë e Ramadan Bajramit i cili pat deklaruar se me torture psiko-fizike është detyruar të japë deklaratë të rrejshme.
Kush janë ata që e detyruan Ramadan Bajramin me presion të pranojë fajësinë?
Pse ata duhet të ndjehen kaq komod, edhe pas ndriçimit të këtij rasti, dhe cilat instanca gjyqësore duhet ta ndjekin këtë veprim të tyre kriminal?
Çka do të ndodhte nëse këtë inskenim do të guxonte ta bënte ndonjë agjent shqiptar i shërbimeve sekrete, kurse të inkriminuarit do të ishin fshatarë maqedonas?
Përderisa në Maqedoni do të ketë gjykata e prokurori të padrejta, edhe pyetjet e mësipërme do të ishin normale. Madje, normale do të tingëllojnë edhe shumë pyetje të tjera, të cilat duhet të marrin një përgjigje të merituar, por kjo do të mund ndodhte pas një procesi të VETING-ut, nëpër të cilin duhet të kalojnë të gjitha organet e drejtësisë.
Në Maqedoni ka me dhjetëra gjykatës e prokurorë që nuk meritojnë të ushtrojnë detyrën, por filtrimi i njëmendët i sistemit të drejtësisë nuk mundet të bëhet pa një selektim shumë rigoroz e profesional të kuadrit, duke risjellë në pozita vendimmarrëse persona të liruar nga recidivat e tepruara nacionaliste. Një model i këtij ndryshimi tash më mund të shihet në Prokurorinë Speciale, funksionimi i së cilës në një të ardhme madje mund të zhvendoset në prokuroritë normale të shtetit, pa patur nevojë që këto institucione të mbajnë atributin “speciale”.
Çdo vëzhguesi të paanshëm të sistemit të drejtësisë në Maqedoni, nuk do ti duheshin shumë fakte për të zbuluar paradoksalitetin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Maqedoni. A nuk mjafton vendimi i djeshëm i Prokurorisë Speciale për të konstatuar se brenda këtij sistemi funksionojnë praktika e parime të kundërta juridike, fakt ky që e përshpejton nevojën e procesit të VETING-ut në institucionet gjyqësore të Maqedonisë. (koha.mk)