Ministrin e ri të Kulturës nuk mundet askush ta obligojë, së paku në bazë të Ligjit aktual të Qeverisë, që të heqë dorë nga autonomia e vendimmarrjes dhe së këndejmi na duket absurde kjo dëshirë e kryeministrit që me çdo kusht të “lehtësojë” punët e ministrave shqiptarë thua se ata janë zgjedhur për të qenë të koordinuar jo nga politika e bashkëqeverisjes, por nga teket e individëve që sa here që ngelin pa punë bëhen koordinatorë nacional
Nga Emin AZEMI
Tash e tutje ministër të ri të kulturës do të kemi një kuadër shqiptar. Po thonë se kultura tash e tutje do të trajtohet shumë seriozisht nga shteti, sepse është shtuar edhe një zyrë që do t’i koordinojë punët e pambaruara të Ministrisë së Kulturës. Shef i kësaj zyre do të jetë ministri i deritanishëm i Kulturës dhe po presim që të ndodhin mrekullira në këtë shtet të lodhur nga buxhetet e harxhuara kot. Me një pagë gati sa të ministrit, koordinatori i ardhshëm nacional i kulturës, do ta udhëzojë pasuesin e tij se si të menaxhohen politikat kulturore dhe resurset që e bëjnë një vend të ketë identitet të vetin nacional, etnik, e civilizues.
Kryeministri mund të ketë koordinator nacional edhe për ngrohjen globale, por ndikimi i klimës në ambient do të jetë i pazvogëluar edhe pa këtë koordinator. Fundja, a ja vlen në ditë të sodit të bëhesh ministër, kur e di se prapa dere të qëndron një kujdestar, si tip mbikëqyrësi dhe në këtë sens humb kuptimi i të qenit udhëheqës i një dikasteri, që ke edhe njëfarë stafi dhe një far rregullore pune. Prandaj ia vlen të luftosh të bëhesh koordinator nacional në qeveri, sepse vetëm kështu nuk mund të zëvendësohesh më nga askush. Por është një kusht. Duhesh të jesh maqedonas patjetër. Në të kundërtën nuk vlen hiq ky funksion. Sepse po të ishte ndryshe, deri më tani do të kishim ndonjë koordinator nacional shqiptar.
Shpikja e funksioneve të tilla nuk është ndonjë risi. Si stil pune është e njohur përvoja dhe kur ndonjë qeveri s’ka qenë e disponuar të kryejë punë, ka hartuar strategji, ka formuar komisione dhe ka shpërblyer aktivistë të ndryshëm partiak me poste që mund të përkthehen edhe si kompensim meritash për punët që kanë kryer në dobi të partisë. Dhe fund,as punët janë krye dhe as individët e caktuar janë begatuar me ndonjë biografi të hairit.
Tash së fundmi do të kemi një Angjushev të ri në Qeveri dhe ai gjatë gjithë kohës do të merret me koordinim të politikave kulturore në vend. Deri më tani partitë shqiptare, pjesëmarrëse në pushtet, nuk e kanë kundërshtuar këtë far praktike, sepse kanë menduar se është vetëm improvizim i kryeministrit për ta paraqitur Qeverinë sa më interesante në sytë e publikut. Por në fakt, ky dublifikim funksionesh, që në të shumtën e rasteve bëhet për të “lehtësuar” punë e ministrave shqiptare, nuk lë shije të mirë në publikun shqiptar, i cili nuk ka votuar që obligimet e ministrave shqiptarë t’i kryejnë koordinatorët e ndryshëm maqedonas.
Koordinatori nacional për kulturë nuk ishte parapa si vend pune më pare. Ky sistemim erdhi tani, posa në postin e ministrit të Kulturës u vendos një kuadër shqiptar. Ky i fundit mund të paragjykohet, apo të mbiçmohet për aftësitë që mund ti ketë në drejtimin e këtij dikasteri, por atij nuk mund t’i mohohet e drejta kushtetuese ligjore për të qenë i plotfuqishëm në vendimet tija. Ministrin e ri të Kulturës nuk mundet askush ta obligojë, së paku në bazë të Ligjit aktual të Qeverisë, që të heqë dorë nga autonomia e vendimmarrjes dhe së këndejmi na duket absurde kjo dëshirë e kryeministrit që me çdo kusht të “lehtësojë” punët e ministrave shqiptarë thua se ata janë zgjedhur për të qenë të koordinuar jo nga politika e bashkëqeverisjes, por nga teket e individëve që sa herë ngelin pa punë bëhen koordinatorë nacional. (koha.mk)