Evis HALILI
Shkup, 19 prill – Duke respektuar trashëgiminë vlerësojmë vetveten. Kështu shënohet në botë 18 prilli – Dita botërore e trashëgimisë kulturore, që këtë vit është me theks tek nxitja e bashkësive lokale dhe banorëve për rëndësinë e trashëgimisë kulturore në jetën, identitetin dhe shoqërinë. Si të promovojnë kujdesin për diversitetin dhe dëmtimin e saj, por edhe përpjekjet për ta mbrojtur dhe konservuar atë, shkruan gazeta KOHA. Por, sa vlerësohen monumentet e kulturës dhe lokalitetet në Maqedoni? Ekspertë të kësaj fushe janë shumë skeptikë sa i takon vetëdijes kolektive, politikave që ndiqen nga institucionet shtetërore, lokale dhe nga pronarët e tyre. Përveç mungesës së një liste me objektet e kategorizuara sipas rëndësisë që kanë, ndaj një pjese të mirë të monumenteve të kulturës nuk kushtohet asnjë lloj kujdesi, ndërkohë që të tjera janë të provuara edhe nga benifitet e mundshme nga fondet e huaja. Rastet e xhamisë së Larme, e cila është e evidentuar, por që nuk jepet për t’u marrë në mbrojtje nga UNESCO, Teqesë Arabati, kontesti pronësor i cili e çoi këtë kompleks drejt shkatërrimit, kalaja e Tetovës, projekt i cili u ndërpre pa arritur të finalizohej, po ashtu si edhe shumë lokalitete të tjera arkeologjike të cilat në mungesë të ekspeditave arkeologjike, janë kthyer në “prona” të banorëve të zonës.
“Nëse dikur kam menduar se faji për neglizhencën e trashëgimisë tonë janë institucionet shtetërore, tani jam i bindur se fajtorët kryesorë jemi ne. Është si puna e kafshatës që pret të ta fusin në gojë. Jo, për këtë çështje duhet të ketë një qëndrim konstruktiv, duhet këmbëngulur për të shpëtuar dhe mbrojtur trashëgiminë. Nuk duhet të trembemi nëse xhamia merret në mbrojtje nga UNESCO, duhet të përfitojmë nga benifitetet e kësaj natyre. Në përgjithësi, kujdesi ndaj trashëgimisë është në miniaturë. I tillë është mentaliteti, qasja që kemi ne si shqiptarë ndaj saj, të pakta janë edhe kapacitetet profesionale, por edhe interesimi në nivel institucional. Të atilla janë edhe institucionet, vetëm po të shikosh se në Tetovë ka një muze që nuk e bën punën, në Gostivar një qendër konservimi me kompetenca që nuk i kalojnë kufijtë e vetë godinës, kështu edhe në Kërçovë e në vise të tjera”, thotë për KOHA, arkeologu Mixhait Pollozhani, anëtar i Këshillit Nacional të Trashëgimisë. Sipas tij, vetë qëndrimi indiferent i shqiptarëve ndaj trashëgimisë së tyre shfrytëzohet nga institucionet shtetërore duke krijuar konfuzion. Në Qendrën Nacionale të Konservimit pohojnë se lista e objekteve të trashëgimisë duhet të ketë si prioritet disa monumente të rralla, të cilat duhet të hyjnë në kategorinë e monumenteve me rëndësi të posaçme. Për momentin, ky institucion vazhdon të merret me sistemimin dhe evaluimin e të gjitha monumenteve, proces ky i cili vazhdon prej disa vitesh për shkak të mungesës së ekspertëve. Dita botërore e monumenteve është shënuar për herë të parë në vitin 1983, pas shpalljes nga UNESKO. Tema e sivjetshme sipas Këshillit Botëror të Monumenteve ICOMOS lidhet me turizmin e qëndrueshëm. “Shkëmbimi kulturor është valuta e turizmit kulturor, që forcon koekzistencën paqedashëse dhe si kurrë më parë s’ka qenë më e rëndësishme në botën që rrethohet me pasiguri. Shkëmbimi i perceptimeve për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vlerat e saj për popullsinë lokale dhe vizitorët, iniciativat për turizmin e qëndrueshëm mund të nxisin shoqërinë që ta rrisë ndjeshmërinë për vendin/lokacionin, por edhe për respektimin identitetit të tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ICOMOS.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara