Policia turke, që po heton intensivisht zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i ka zgjeruar kërkimet e saj edhe në pyll. Autoritetet mendojnë se trupi i gazetarit mund të jetë hedhur në pyllin pranë konsullatës saudite në Stamboll. Khashoggi është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite më 2 tetor, por nuk është parë të dalë prej andej.
Turqia dyshon se ai është vrarë nga një grup agjentësh sauditë brenda konsullatës, por Arabia Saudite thotë se ai u largua nga konsullata. Por, sipas Turqisë, ekzistojnë audio dhe video që vërtetojnë se Khashoggi është vrarë.
Ndërkohë ky është Salah Muhammed A. Tubaigy, personi kryesor i dyshuar për zhdukjen e gazetarit 60-vjeçar.
Sipas gazetës Bild, 47-vjeçari është masakruesi i gazetarit, që dëgjonte muzikë me kufje teksa kryenet krimin.
Thyerësi i kockave ishte në krye të komandos së dërguar në Stamboll. Mësohet se Tubaigy ka qenë student në Gllasgou. Pasi u kthye në Riad, u bë shef i mjekësisë ligjore pranë shërbimit sekret.
Ai formoi një njësi autopsie të lëvizshme për raste luftash ose sulmesh terroriste.
Në një gazetë britanike ai kishte deklaruar në vitin 2014 se i duhen vetëm shtatë minuta për të përcaktuar shkakun e vdekjes së dikujt. Në fakt kaq minuta iu deshën për të torturuar, vrarë dhe copëtuar trupin e gazetarit.
Misterioze është historia e Meshal Saad Albostani, njërit nga anëtarët e ekipit që vrau gazetarin. Ai është vrarë në një aksident të çuditshëm rrugor. A ishte e qëllimshme që ta bënin të heshte?