Konstatohet dorëheqja e Zoran Zaevit. Pas një debati të gjatë dhe reagimeve të shumta të anëtarësisë dhe udhëheqësisë së partisë, të cilët nuk pajtoheshin me largimin e tyre, dorëheqja e Zaevit është konfirmuar në dy organet më të larta partiake, së pari në Kryesinë Ekzekutive, e pastaj edhe atë Qendrore, pas çka menjëherë do të fillojë procesi për zgjedhje brendapartiake. Por, kush do të ulet në kolltukun e Zaevit pas dorëheqjes së tij?
“Anëtar aktiv. Një anëtar aktiv i cili do të jetë gjithmonë këtu në parti dhe i cili do ta shtyjë përpara partinë. Një anëtar i cili do të punojë për unitetin e partisë, të cilin sonte dëshmuam se e kemi”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Procedura për dorëzim kandidaturash filloi menjëherë, kurse kandidatët për postin – kryetar i LSDM-së kanë afat prej 7 ditëve që t’i dorëzojnë kandidaturat e tyre. Jozyrtarisht mësohet se shanset më të mëdha janë në anën e zëvendësministrit të Financave, Dimitar Kovaçevski, të cilin dje edhe vetë Zaevi e promovoi para Kryesisë Qendror si zgjidhje e mirë.
“Bëhet fjalë për një koment rreth cilësisë së një personi. Anëtarët e LSDM-së për kryetar të partisë do ta zgjedhin secilin profil i cili do të tregojë interes që t’i plotësojë kushtet e parapara me Statut dhe kuptohet profilin tjetër që e përmenda, i cili është i gatshëm të sjellë vendime shtetërore, i cili e përkrah procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe e vendos shtetin dhe qytetarët para partisë”, shtoi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Kovaçevski konfirmoi se do të paraqesë kandidaturë për kryetar të LSDM-së.
“Brenda 7 ditëve do të përpiloj program dhe do të paraqes kandidaturë për kryetar. LSDM-ja është një parti me potencial më të madh kuadrosh dhe ka numër të madh të anëtarëve të shquar të cilët do të ishin kandidatë të shkëlqyeshëm. Procedura është demokratike dhe çdokush që i plotëson kushtet, mund të kandidojë. Gjëja më e rëndësishme është se të gjithë duhet të bashkohemi për kryetarin e zgjedhur”, potencoi Dimitar Kovaçevski.
Jozyrtarisht përflitet se me kandidaturë do të dalin më shumë se tre anëtarë të partisë, gjë që “mbjell” frikë mes anëtarëve të cilët thonë se pas kësaj mund të ketë ndarje edhe më të mëdha në LSDM. Pikërisht mbi këtë temë foli edhe ish-kryetari i LSDM-së, Vllado Buçkovski në emisionin “Klik Plus” të TV21.
“Tashmë ndihet tendenca pas largimit të Zaevit se disa grupime kanë paraqitur ambicie, grupime këto të cilat deri tash nuk ishin të kënaqura nga mënyra në të cilën LSDM-ja e udhëhiqte politikën duke filluar nga Marrëveshja e Prespës e deri në ditën e sotme. Mendoj se dini për cilin grupim bëhet fjalë, grupim të cilin e drejton ish-kryetari i LSDM-së, ish-President dhe kryeministër i vendit, Branko Cërvenkovski, e ai nuk e fsheh këtë”, u shpreh ish-kryetari i LSDM-së, Vllado Buçkovski (03.11.2021).
Zgjedhjet në LSDM duhet të mbahen më 12 dhjetor. Kjo datë përkon edhe me zgjedhjet brendapartiake të opozitares VMRO-DPMNE, të cilat për herë të parë do të organizohen në Shkup.