Pajtimi politik brendamaqedonas që do të reflektohej në klimën e përgjithshme, nuk do të mund të bëhej pa lëshime të dhimbshme nga të dyja palët. Por është në dorën e kryeministrit Zaev që të inicojë këtë pajtim, me të gjitha elementet legale e legjitime të kompromisit, ku nuk do të përfshiheshin të inkriminuarit e ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit
Nga Emin AZEMI
Maqedonia ka nevojë për pajtim e jo për zgjedhje të parakohshme. Pajtimi duhet të jetë parimor e përmbajtësor, kurse produkt i këtij pajtimi duhet të jetë krijimi i parakushteve për një klimë konstruktive politike, me protagonist bashkëpunues që do ta bënin vendin gati për integrime euro-atlantike.
Thelbi i çdo pajtimi është ndërprerja e armiqësive pararendëse. Në politikë kjo është vështirë të arrihet, por vendimet e mëdha historike, sikundër dihet, janë bërë pikërisht mbi këtë parim, kurse kompromisi ka qenë vegla më e përshtatshme që e ka bërë të funksionojë një shoqëri a një shtet.
Maqedonia është përplot me armiqësi. Në njërën anë armiqësitë po e pengojnë komunikimin normal në mes të LSDM-së dhe VMRO-së, kurse në anën tjetër jo pak animozitete ka edhe në kampusin politik shqiptar.
Në kushtet e krijuara pas referendumit, po shkurtohet distanca kohore kur duhet të merren vendime të mëdha. Tani për tani janë në lojë të gjitha opsionet, përfshi pazaret për sigurimin e numrave të mjaftueshëm në Parlament, por edhe zgjedhjet e parakohshme. Njohësit e rrethanave juridike kanë shprehur skepticizmin e tyre se zgjedhjet e parakohshme janë përgjigja më e duhur ndaj krizës aktuale. Për një sërë segmentesh që ndërlidhen me reformën në drejtësi si dhe me rekomandime të shumta të Pribes, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme konsiderohen si frenues të kursit reformues që duhet ta mbaj vendi deri në qershorin e ardhshëm kur pritet fillimi i negociatave me BE-në.
Një pengesë tjetër që paraqitet në dëm të idesë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme është edhe mosdefinimi i numri të përgjithshëm të popullsisë, që për rrjedhojë ka edhe defektet e shumta në përpilimin e regjistrit qendror të zgjedhjeve.
Askush nuk do të donte të reprizohej ajo që ndodhi më 30 shtator, kur referendumi pësoi deformim edhe për shkak të listave me votues që ose kishin vdekur, ose ishin tretur në diasporë, ose nuk figuronin fare.
Pajtimi politik brendamaqedonas që do të reflektohej në klimën e përgjithshme, nuk do të mund të bëhej pa lëshime të dhimbshme nga të dyja palët. Por është në dorën e kryeministrit Zaev që të inicojë këtë pajtim, me të gjitha elementet legale e legjitime të kompromisit, ku nuk do të përfshiheshin të inkriminuarit e ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit. Në të kundërtën, kriza do të thellohet, kurse faktorët destabilizues do të imponojnë skemat e tyre të zgjidhjes së problemeve, që në fakt nuk janë kurrfarë zgjidhje por vetëm një prapaktheu në pozitat e palakmueshme të status-quos, larg NATO-s e BE-së dhe larg perspektivës ekonomike e sociale. (koha.mk)