Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Ka një digë me gurë, zhavorr dhe bërthamë deltine të lartë 160 m. Diga krijon një rezervuar (Liqenin e Fierzës) me vëllim 2,7 miliardë metra kub ujë. Është më i madhi në vend dhe ka shërbyer si burim kryesor në prodhimin e energjisë elektrike, madje në disa raste duke furnizuar edhe vendet fqinje. Është i parafundit ndër hidrocentralet e ndërtuar nga sistemi komunist, dhe ka një kapacitet prodhimi prej 500 megavat (MW). Është ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, por jo më i madhi. (i pari konsiderohet HEC-i i Danubit në Serbi). Ishte tetori i vitit 1978, kur nisi punën turbina e parë e HEC-it të Fierzës, i ndërtuar me ndihmën e shtetit kinez, i cili në korrik të po atij viti do të shënonte fundin e marrëdhënieve me Qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.