Gjaku i kafshëve, zakonisht ai i lopës, derrit, dhisë, qengjit, pulave e me radhë është përdorur në gatimet tradicionale etnike në të gjithë globin dhe gjatë gjithë kohës. Por duket se jo vetëm në kuzhinën tradicionale, gjaku i kafshëve është duke u bërë pjesë edhe e kuzhinave moderne, jo vetëm në restorante, por edhe në përdorime shtëpiake. Në sajë të albuminës dhe proteinave që përmban, gjaku i kafshëve është një ingredientë që në kuzhina të ndryshme kryen funksione të caktuara, për shembull në Francë përdoret për trashjen e salcave; në Indi gjaku i kafshëve është një gjellë e zakonshme dhe ndërkohë në të gjithë botën supat e gjakut mund të gjenden lehtësisht. Përdorimet e gjakut në kultura të ndryshme janë të shumëllojshme, ndërkohë që pyetja që shtrohet është a është ky përbërës i shëndetshëm? Të dhënat në dispozicion lidhur me përmbajtjen e lëndës ushqyese të gjakut janë shumë të pakta. Sipas disa burimeve, ai ndihmon shumë në kurimin e anemisë për shkak të përmbajtjes së lartë të hekurit. Por sipas Shërbimit të Sigurisë Ushqimore dhe Inspektimit (USDA) gjaku i mishit duhet të jetë i certifikuar dhe duhet të vijë nga kafshë të inspektuara para dhe pas therjes, në mënyrë të tillë që të evitohet përhapja e sëmundjeve te ndryshme.