Edukata kërkon të jetojë, siç ka jetuar edhe më parë, madje edhe më mirë, por me përmbajtje bashkëkohore. Ajo kërkon realizues të mirë e të suksesshëm. Mësuesi nuk është njeriu i çdo gjësë dhe boshllëkut, ai është njeriu që vrapon drejt dijeve për të edukuar mire e drejtë. Pra nuk është e drejt që të ndërpritet edukimi dhe të mësuarit për të edukuar
Nga Xheladin MURATI
Edukata është fenomeni më i vjetër njerëzor që njihet, por sot gjendet në vështirësi, në krizë. Përpjekjet për bashkëkohësimin e saj janë të vazhdueshme, por dinamika e jetës reflekton në cilësinë e saj. Të gjithë ata që merren me edukimin, në një apo mënyrë tjetër, parashtrojnë pyetjen: A është edukata ende e mundshme? Pse kjo dilemë? Madje kjo dilemë vjen e forcohet tek ata që nuk merren me procesin e edukimit sepse sipas tyre edukata nuk ka arritur sukses dhe individi vetvetiu edukohet. Pyetja e parashtruar në titull është sa sfiduese për studiuesit, po aq provokuese për ata që merren praktikisht me realizimin e edukimit.
Kjo ndodh jo se mungon aftësia dhe nevoja për të edukuar, por kjo pyetje dilemë shtrohet për shumë arsye të tjera. Në fakt, edukimi nuk është proces që kryhet vetëm në familje dhe në shkollë, por ky proces ka kaluar në institucione më të larta. Në radhë të parë, këtë dyshim e nxit komunikimi masiv, rrjetet sociale, teknologjia informative, rruga, kafenetë, bastoret etj. Këto në fakt e kanë marrë përparësinë e ndikimit tek njeriu, fëmija, nxënësi dhe mendojnë ashtu. Të gjithë këto shtrojnë dyshimin se a është edukata ende e mundshme mbase nëpërmes tyre fëmijët, rinia, nxënësi ballafaqohet me informacione, veprime, ide , skema, situata krejtësisht të pafiltruara. Të gjithë këto bëjnë që jeta të mbushet me gjëra jo estetike, jo të moralshme, jo njerëzore, jo sociale e të ngjashme. Këtu ndeshemi edhe me pyetjen: a sjellin ndryshimet gjithnjë pozitivitet, frymë të re në edukim?
Ndryshimet reflektojnë qenësisht risi, përparim dhe ato duhet pranuar me kujdes dhe jo në formë të servuar. Por këto ndryshime sjellin edhe koncepte e qasje të reja, pra edhe në edukim. Këto ndryshime sollën në liberalizimin e procesit të edukimit, sollën sjellje të papërshtatshme, ato shfuqizojnë karakteristikat e fisnikërisë së edukimit. Ndryshimet janë më të fuqishme sesa edukata që fëmijëve u jepet në familje, në shkollë. Ato reflektojnë në rrënimin e autoritetit të prindërit, të familjes, të mësuesit e të edukatorit. Prandaj edukimi i nënshtrohet ligjeve të shijes dhe të modës që ofrojnë tjerët nëpërmes ndryshimeve. Kësisoj edukatorët (prindërit, mësuesit etj.) vihen përballë frikës që ngjallin ndryshimet dhe që ofrojnë teknologjitë informative.
Mjafton të theksohet se teknologjia po ecën me ritme marramendëse dhe ajo reflekton edhe në misionin dhe funksionin e edukimit, në qëllimin dhe format si dhe në përmbajtjen e saj. Në botën inovative digjitale rezultojnë shumë qasje në edukim, ku ka gjithmonë edhe gjëra pozitive, por edhe të atilla që e zvogëlojnë dhe e zbehin rolin e edukimit, nëpërkëmbin faktorët e edukimit, shpërfillin autoritetin e edukatorëve, krijojnë pseudoedukim. Mediat digjitale shpërndajnë informacione të rreme, përfshi këtu edhe për edukatën, ndërsa grupmoshat e reja nuk dine të përcaktojnë saktësinë dhe besueshmërinë e tyre dhe bien pre e modeleve të gabuara të të menduarit dhe të vepruarit, të sjelljes, të koncepteve të edukimit. Në fakt, mediat digjitale na largojnë nga logjikja e edukimit, kuptimi dhe synimi i të cilës është formimi i individit pozitiv mbase edukata hap dyert e perspektivave të individit. Ajo e bën bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Nga ana tjetër, përkundër zbehjes së edukimit, sundon mendimi për përforcimin e rolit të edukatës mbase mungesa e saj reflektohet negativisht në formimin e vlerave njerëzore. Mungesa e edukatës, që është art i veçantë reflekton në përmbysjen e vlerave të mirëfillta humane, humbjen e garës në edukimin e individit, krijimin e krizave në raportet njerëzore, nxitjen e frikës për humbjen e natyrës njerëzore, dhe ajo që është më e rëndësishme sjell erozion shpirtëror e social, krijon krizë në shoqëri, ndodh shkatërrimi i vlerave, dehumanizimi i njeriut e të ngjashme. Pra edukata është në krizë, është duke e humbur garën me teknologjinë. Prandaj është e kuptueshme pse vihemi përballë frikës dhe pse e parashtrojmë pyetjen: a është edukata ende e mundshme?
Ajo që e thellon dallimin se a është edukimi ende i mundshëm, më saktësisht a do të mbijetoj edukata në të ardhmen është dilemë normale. Në rrethanat e komunikimit masiv dhe teknologjive është e natyrshme të trajtohet kjo dilemë mbase pikërisht frika nga tjetërsimi i natyrës njerëzore e shton dilemën. Kjo e forcon idenë se duhet bërë diçka më shumë që edukimi të mbetet si faktor qenësor i cili e mbron individin nga erozioni shpirtëror dhe social.
Megjithatë, këto ndryshime në ambientin që na rrethon, dhe në faktin e pranishëm se edukata e humb ndikimin që ka, pa mëdyshje duhet luftuar që edukatës t’i kthehet forca, esenca, objektivat, misioni dhe funksioni. Kjo mbase edukata ka aftësi për rrezatim pozitiv tek individi dhe shoqëria. Mbaj mend që dikur kishte programe të caktuara mbi edukimin dhe rritjen e vlerave njerëzore duke filluar që nga programet e fëmijëve në radio e televizion, faqe apo rubrika të veçanta mbi edukimin nëpër gazeta. Sot këto mungojnë. Pse? Këto dhe shumë elemente të tjera na japin të drejt për të dhënë përgjigje afirmative, në favor të rolit dhe të forcës së edukimit se nuk duhet pranuar dilema: a është ende e mundshme edukimi? Mjafton të provojmë dhe afirmojmë dëshirën dhe nevojën e njeriut për edukim dhe domosdoshmërisë për vazhdimin dhe intensifikimin e edukimit.
Pra, a është edukata ende e mundshme? Padyshim që po. Edukata është ndjenjë dhe veçori më e bukur në jetë, është ndjenjë dhe veçori që ia vlen të shkruhet e të punohet. Madje, në momente zhgënjimi e dhimbje edukata e drejt dhe e mirëfilltë është ilaçi më i mirë i shpirtit. Edukata në një kuptim është drejtësi. Prandaj njeriu çdo veprim a sjellje të tij duhet ta bëjë me drejtësi. Ai i cili nuk vepron në këtë mënyrë i bën dëm vetes dhe të tjerëve. Në këtë kontekst, edukatë do të thotë: Të kthehesh nga drejtësia, të largohesh prej të gabuarës, çdo edukim të mirë t’ia japësh tjetrit. E kundërta është e paedukatë, jo njerëzore dhe e dëmshme. Në këtë aspekt edukata është e mundshme dhe do të mbetet proces i mundshëm. Botën mund ta ndryshojmë vetëm nëpërmjet edukimit. Edukimi është e vetmja armë e mësuesit për të ndryshuar botën dhe jetën, për të përvetësuar vlera dhe për të afirmuar anët e mira të jetës. Në këtë kontekst, familja, përkundër krizave shoqërore dhe vështirësive, mbetet një ambient i qëndrueshëm i edukimit që siguron kujdes, përkushtim dhe inkurajim të zhvillimit të fëmijës, mbase pikërisht familja është oaza e edukatës.
Edukata kërkon të jetojë, siç ka jetuar edhe më parë, madje edhe më mirë, por me përmbajtje bashkëkohore. Ajo kërkon realizues të mirë e të suksesshëm. Mësuesi nuk është njeriu i çdo gjësë dhe boshllëkut, ai është njeriu që vrapon drejt dijeve për të edukuar mire e drejtë. Pra nuk është e drejt që të ndërpritet edukimi dhe të mësuarit për të edukuar. Në qoftë se e braktisim edukatën do të gjejmë vetë të keqen. Gjëja më e mirë për afirmimin e edukatës është ndërgjegjësimi i shoqërisë, përmes familjes, shkollës, televizioneve, institucioneve të ndryshme për ngritjen e edukatës në nivelin e merituar. (koha.mk)