Në Evropë dhe SHBA, bujqësia kryesisht bazohet në ekonomitë familjare, për shkak se puna e familjes është fleksibile, tejkalon orarin e zakonshëm të punës dhe ka një besnikëri dhe motiv më të madh ndaj fermës familjare
Nga Fisnik PASHOLLI
Një proverb e vjetër polake thotë nëse fshatari është i varfër, edhe shoqëria është e varfër. Nëse ndjekim historinë e shteteve në rajon, dhe shuarjen graduale të më shumë ekonomive familjare bujqësore në Maqedoni mund të vërejmë se nga viti në vit, jo vetëm që humbet me të madhe interesimi i të rinjve që të vazhdojnë traditën e marrjes me bujqësi, por mund të vërehet edhe ulja e fitimit që sjell bujqësia dhe blegtoria. Mjafton vetëm të shfletojmë titujt e gazetave, apo vetëm të kujtojmë pamjet e kronikave televizive, që tregojnë hallet dhe problemet e bujqve me shitjen e prodhimeve të tyre. Në kohën e transformimit të vështirë të bujqësisë jo vetëm në Maqedoni, por edhe tërë rajonit të Ballkanit perëndimor, plakjes së fshatit, ikjes së të rinjve jashtë, parashtrohet pyetja, se a kanë mundësi fermat familjare apo ekonomitë bujqësore familjare që të mbijetojnë dhe të avancojnë punën e tyre drejt një biznesi të leverdishëm. Fati i tyre në kohën e konkurrencës së madhe dhe tregut të hapur të ekonomisë moderne, është ngushtë i lidhur me mbijetesën e fshatit, zbutjen e shpërnguljes së madhe, përmirësimin e kushteve të jetesës në vendbanimet rurale, mundësinë që një pjesë të madhe të prodhimeve bujqësore ti prodhojmë këtu, në vend se ti importojmë nga jashtë, sigurimin e lëndës së parë për industrinë përpunuese që do të sigurojë edhe eksport dhe jo import të ushqimit….
Edhe në Evropë dhe SHBA, bujqësia kryesisht bazohet në ekonomitë familjare, për shkak se puna e familjes është fleksibile, tejkalon orarin e zakonshëm të punës dhe ka një besnikëri dhe motiv më të madh ndaj fermës familjare. Një model i tillë i punës ka treguar edhe rezistencë edhe aftësi që të mbijetojë me shekuj dhe të tejkalojë problemet e ndryshme. Në vitin 2014 , sipas të dhënave zyrtare statistikore amerikane, bile 97 për qind e fermave janë familjare, ku pronari i fermës dhe të afërmit e tij posedojnë shumicën e biznesit.
Me fjalë të tjera, numri i përgjithshëm i fermave dominohet nga fermat e vogla familjare, që kanë të ardhura vjetore nën 350.000 dollarë në vit , ndërsa punojnë edhe 52 për qind të tokës në SHBA, mirëpo kontribuojnë për vetëm 23 për qind të prodhimtarisë bujqësore amerikane. Ferma me madhësi të mesme janë 6 për qind dhe ferma me madhësi të madhe janë 3 për qind.
Në total ,fermat familjare të llojeve të ndryshme së bashku përbënin 98.8 për qind të fermave dhe 90 për qind të prodhimit në vitin 2016. Fermat e mëdha familjare prodhojnë gjysmën e derrave dhe dy të tretat e qumështit dhe pemë perimeve. Fermat e mëdha dhe të mesme dominojnë me 83 për qind të prodhimit të pambukut dhe 74 për qind të drithërave. Fermat e vogla amerikane prodhojnë 59 për qind të prodhimtarisë amerikane të pularisë dhe gjysmën e jonxhës. Gjithashtu fermat e vogla dhe të mëdha prodhojnë edhe dy të tretat e prodhimtarisë blegtorale që ndërlidhet me lopët.
Në Bashkimin Evropian, punojnë mbi 12 milion ferma familjare, ku janë të punësuar mbi 25 milion njerëz , apo çdo i njëzeti banor i Evropës.
Në Kroaci prej vitit të kaluar është në fuqi edhe ligj i veçantë kushtuar fermave familjare ekonomike, që sipas legjislacionit kroat paraqesin formë të organizuar të punës së fermerëve për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm sigurinë e ushqimit, ruajtjen e resurseve bujqësore dhe rritjen e konkurrencës së bujqësisë.
Sipas , agronomëve, një ligj i tillë në detaje riorganizon prodhimtarinë bujqësore në Kroaci , dihet saktësisht se kush dhe çka prodhon, ndërsa konsumatori pritet të jetë i sigurt për origjinën e ushqimit që e konsumon. Me fjalë të tjera, pritet që përmes masave dhe mekanizmave të ndryshme , që më në fund të fillojë të marrin ”frymë”, fermat familjare , ti kthehen ardhmërisë , të fitojnë perspektivë, ndërsa të rinjtë të motivohen të mbesin në bujqësi.
Në Maqedoni si sfidë në të ardhmen, pas ndihmesës së madhe që patën në vitet e kaluara , subvencionet në ruajtjen e interesimit për tu marrë me bujqësi, mbajtjen gjallë të prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale, mbetet targeti i modernizimit të bujqësisë dhe rritjes së konkurrencës së saj, përmes mjeteve në rritje të IPARD-it për fabrikat e ushqimit dhe investimin në zhvillimin rural.
Gjithashtu, duhet të punohet edhe më tej në sigurimin e kushteve më të mira të jetesës në vendbanimet rurale.
Nga ana tjetër, gruaja në vendbanimet rurale në Maqedoni, nuk ka qasje deri tek të mirat sociale dhe kulturore, i mungojnë informacionet publike, dhe nuk ka të drejtë në pushim mjekësor. Bile ka edhe gra që tërë jetën kanë kontribuar për shoqërinë , ndërsa tani nuk mund të realizojnë të drejtën për pension, thotë kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska.
Një hulumtim lidhur me fermat familjare i publikuar në vitin 2017, nga ana e ekspertit Vasko Haxhievski tregon se ekonomitë familjare bujqësore si kërkesa më të mëdha kanë plasmanin më të sigurt , subvencionet më të larta, çmimet më të ulëta të prodhimit, trajnimet… Sipas autorit, përgjigjet për këto pyetje, i ngjasojnë edhe një liste dëshirash të shtetit, për të cilat në fakt, bujqit mundet pjesërisht të gjejnë realizimin e tyre , përmes organizimit në forma të ndryshme të punës. Kjo për shkak se biznes ambienti në shtet, në një pjesë të madhe varet edhe nga rrjedhat ekonomike rajonale, marrëveshjet për tregti të lirë, konkurrencës me kufi të hapur, dhe faktorët e tjerë që ndikojnë negativisht që fermerët e vegjël , dhe të paorganizuar si duhet dhe sa duhet , që në një pjesë të madhe ekonomizojnë punën e tyre bujqësore në kuadër të familjes. Një nga zgjidhjet është edhe qartësimi më në fund se çka në Maqedoni do të njihet zyrtarisht forma e punës si ekonomi familjare bujqësore që në fund edhe do të mbështetet me masa të ndryshme të përkrahjes nga ana e shtetit, si rrugë më të mira qasëse, infrastrukturë më e mirë, lidhje më e mirë me fabrikat e ushqimit, ndërlidhja me turizmin rural….
Ndoshta në këtë drejtim do të ndihmonte edhe një kornizë e qartë ligjore kushtuar vetëm fermave familjare , pasqyra apo evidentimi i tërë prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale sipas hapësirave bujqësore, strukturës së prodhimit dhe prodhuesve, ndjekja më e madhe e tregjeve rajonale, dhe ndërkombëtare lidhur me ofertën dhe kërkesën , masa që do të orientojnë prodhimtarinë bujqësore lidhur me llojet dhe sasitë e prodhimit, ndërlidhja më e madhe me shkencën… (koha.mk)