Siç ishte paralajmëruar Microsofti e ka lansuar pakon e nëntorit të azhurnimit për sistemin operativ Windows 10. Përdoruesit të cilëve vetë sistemi operativ nuk ua ofron azhurnimin me kohë, ata mund ta bëjnë këtë manualisht.
Për arsye sigurie, pakoja e nëntorit për azhurnim do të ofrohet automatikisht në të ashtuquajturat valë, rrethin e kufizuar të përdoruesve, shkruan KOHA Ditore. Në krye të listës së prioriteteve janë përdoruesit e versioneve të mëparshme të Windows 10, mbështetja e të cilave do të skadojë së shpejti pas një viti e gjysmë të përdorimit.
“Update” i sjell disa funksione të reja kyç në mjedisin Windows 10, pas një azhurnimi problematik pranveror, dhe livrohet si një pako kumulative e azhurnimit. Të gjithë ata që e kanë instaluar tashmë pakon pranverore 1903, do të shohin se 1909 është në fakt një pako më e vogël azhurnuese, ndërsa përdoruesit e versioneve më të vjetra si 1803 ose 1809 do të kalojnë pak më shumë kohë gjatë instalimit.
Shumica e ndryshimeve janë në fakt përmirësime “prapa skenës”, të llogaritura për t’i përmirësuar performancat e përgjithshme të sistemit operativ, si dhe efikasitetin e baterisë në pajisjet mobile. Gjithashtu, janë implementuar disa përmirësime që kanë të bëjnë me programerët e aplikacioneve dhe administratorët në mjedisin e punës. Risia është që përdoruesit e asistentëve zanorë nga ky version do të mund të komunikojnë me pajisjen edhe kur ekrani i Windows 10 është i mbyllur. Përdoruesit e versionit të ri 1909 do ta marrin browserin e ri me bazë Chromium Edge në janar të vitit të ardhshëm.
Le të theksojmë gjithashtu se Windows 10 ver.1903 dhe 1909 janë versionet e vetme zyrtare me mbështetje dhe optimizim zyrtar për shfrytëzueshmëri më të mirë të arkitekturës multi-bërthamëshe të gjeneratës së 10 të procesorit Intel Core bazuar në bërthamat Ice Lake, Comet Lake dhe Cascade Lake-X, si dhe serisë së procesorit AMD Ryzen 3000.