Studimet tregojnë se njerëzit më tepër preferojnë “padrejtësi të drejtë sesa drejtësi të padrejtë”. Të provosh të krijosh një botë ku pasuria do të ishte barabarësish e shpërndarë, do të ishte në kundërshtim me perceptimin e njerëzve rreth drejtësisë, dhe një shoqëri e tillë do të çonte drejt destabilitetit
Dallimi mes të pasurve dhe të varfërve kurrë nuk ka qenë me i thellë. Besohet se 1% E botës posedon mbi 50 % të pasurisë së globit. Për ta zgjidhur këtë problematikë, duket të jetë një sfidë për botën, mirëpo a është kjo mënyra si duhet ti shikojmë gjërat? Disa studiues tregojnë se të ardhurat jo të barabarta nuk janë problemi kryesorë në tregun e punës, mirëpo padrejtësitë që njerëzit përjetojnë, i bënë që të ketë një dallim të madh në të ardhura. Për ta luftuar pabarazinë, sipas studiuesve, së pari duhet ta kuptojmë se çka në të vërtet paraqet termi pabarazi.
Sipas një hulumtimit më të ri të publikuar në gazetën “Natyra dhe sjellja njerëzore”, një grup studiuesish tregojnë se njerëzit që në moshë të fëmijërisë preferojnë të jetojnë në një botë ku ka pabarazi. Mbase kjo gjë mund të duket kundër intiutive, mirëpo nëse do të jetonim në një botë absolutisht të barabartë, njerëzit të cilët punojnë shumë do të ishin të pakënaqur me ata të cilët nuk japin shumë mundë në punët e tyre. “Në perceptimin publik ekziston ideja se njerëzit nuk e duan pabarazinë, mirëpo çka ata nuk duan në të vërtet është padrejtësia”, thotë psikologja Christina Starmans e “Yale University”. Sot, njerëzit më tepër se kurrë janë të shqetësuar se pse ekziston e gjithë kjo pabarazi dhe janë konfuz nëse në të vërtet kemi pabarazi apo padrejtësi, për shkak se njëra e ushqen tjetrën. Starmans, profesoreshë universitare, thekson se studimet tregojnë se njerëzit më tepër preferojnë “padrejtësi të drejtë sesa drejtësi të padrejtë”.
Të provosh të krijosh një botë ku pasuria do të ishte barabarësish e shpërndarë, do të ishte në kundërshtim me perceptimin e njerëzve rreth drejtësisë, dhe një shoqëri e tillë do të çonte drejt destabilitetit. Një shoqëri që nuk ka varfri – tingëllon utopike, mirëpo nëse ajo shoqëri është e barabartë, por e padrejtë – atëherë gjasat janë të mëdha që të dështojë. Gjëja që më tepër i shqetëson njerëzit është kur dikush shpërblehet njëjtë sikurse ai që ka dhënë shumë mundë për një punë të caktuar: “njerëzit përtac dhe që nuk kanë motiv për punë, nuk duhet të shpërbëhen njëjtë sikurse ata që japin shumë nga vetja e tyre”.
Por, si ta definojmë pabarazinë? Ekspertët thonë se duhet të pajtohemi me termin pabarazi dhe atë se çfarë paraqet ajo. Për këtë temë ekzistojnë tre ide kryesore. E para është se njerëzit duhet të kenë “mundësi të barabarta” në shoqëri, pa marrë parasysh gjininë, etninë, ngjyrën, e kështu me radhë. Ideja e dytë është se, “shpërndarja e drejtë”, që nënkupton se meritat dhe benefitet duhet të ju jepen atyre që kanë dhënë më shumë mund, pra duhet të jetë me meritë. Ideja e fundit është “barazia në të ardhura”, kur njerëzit duhet të kenë të ardhura të njëjta pa marrë parasysh rrethanat.
Secila prej këtyre tre ideve paraqet një perspektivë ndryshe në mënyrën se si të luftohet pabarazia, pasi të kuptuarit e këtyre tre koncepteve është thelbësore në të luftuarit e pabarazisë. Shumica e ekspertëve pajtohen se ne duhet më tepër të orientohemi tek çështja se si ti nxjerrim njerëzit nga varfëria, sesa se si bëjmë të pasurit më pak të pasur.
Pabarazia ekonomike është e përhapur kudo nëpër botë dhe ka implikime të ndryshme kulturore, ekonomike e politike. Mirëpo, të kuptuarit e formave të ndryshme të pabarazisë – sidomos atë të “pabarazisë në mundësi”, është e qartë se jo secilit i ofrohet mundësia e njëjtë për sukses, edhe nëse punojnë më tepër. “Çfarëdo bindje politike që ne mund të kemi rreth asaj se si duhet të shpërndahet pasuria, një gjë duhet ta kemi të qartë: varfëria dhe pabarazitë gjithmonë do të ekzistojnë. Do të ishte e dobishme që ta zhvendosnim debatin nga pabarazia tek ‘padrejtësia dhe varfëria'”, i cili është thelbi i shqetësimit tonë” thekson profesori Starmans. (Përgatiti: Hekuran Jashari)