Nga Arben RATKOCERI
Pa dashur të futemi në shkaqet, një dihet se shqiptarët e Maqedonisë thuajse në të gjitha segmentet shoqërore kanë nevojë për “ndërhyrje” buxhetore, thjesht për mbijetesë. E vërtetë është se, pothuajse asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri nga pjesa e politikës maqedonase për një ndarje reale të mjeteve të përbashkëta, po edhe një e vërtet tjetër është sa edhe ato që janë ndarë, a kemi ditur ne si shqiptarë ti orientojmë drejt nevojave tona imediate. Pra, a ka pasur ndonjë debat paraprak ku do dëgjohej edhe fjala e grupeve të ndryshme të interesit, ose do analizoheshin edhe kapacitetet implementuese të shoqërisë shqiptare të asaj që politikisht arrihet, por në praktik është e pamundur të implementohet. Shembulli më i mirë është telenovela e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, ku po bëhet një decenie që mjetet ndahen nga buxheti, por mungojnë kapacitetet politike për ta implementuar. Arsye e fajtorë ka plotë, po dorën në zemër – është zor të gjesh një projekt që kalon, p.sh vlerën e 10 milionë eurove dhe strukturat politike shqiptare kanë arritur ta implementojnë në tersi, pa vonesë e pa skandal korruptiv…
Duke ndjekur këtë logjikë, dyshoj që edhe ai Ansambël që me aq pompozitet u paralajmërua, do funksionalizohet brenda një kohe normale. Do ta ndjekë fati i Bibliotekës dhe Tetarit të Tetovës. Asnjë analizë, asnjë debat e asgjë tjetër… veç u publikua në media se do themelohet edhe një institucion shqiptar! Larg asaj që ndokush nuk i gëzohet shtimit të numrit të institucioneve shqiptare, sidomos atyre të kulturës, por a do mundemi ta bëjmë, selia ku do jetë dhe pse aty, apo kuadro ku do gjenden etj etj.. Të ndalemi vetëm te kjo e fundit dhe një pyetje shumë e thjeshtë: Ky ansambël, logjikisht do të ketë edhe grupin e valltarëve të përbërë së paku nga 30 veta (gjysma meshkuj e gjysma femra), ku do i “pjellim” p.sh. 15 valltare profesioniste femra? A duhet të kenë ato ndonjë edukim profesionist, siç është shkolla e baletit apo do të krijojmë një institucion shkel e shko, të cilin do ta mbushim me aktivistë partiak e që “vallëzojnë mirë nëpër dasma me daulle e dajre”. Mos do ishte më mirë të debatohej njëherë për nevojën apo mundësin e pastaj të vendosej. Ndoshta nga ky debat ndokush, duke mos anashkaluar veten, do të kishte propozuar që njëherë të bëjmë një Shkollë të Baletit, e më pas të shkohet me themelimin e Ansamblit.
Pra, punët të merrem me radhë dhe mjetet e parapara për Ansambël të shkonin në një Shkollë Baleti e më pas, pse jo – të krijohej një ansambël siç i ka hije. Me para mund të blejmë anije kozmike, por ku ti marrim kozmonautët. Apo teatro po ndërtojmë, por askush nuk analizon se a kemi publik për ti mbushur sallat dhe mos do të ishte më mirë edhe këtu që, paraprakisht të përmirësonim cilësinë e arsimit përmes së cilës do “rekrutonim” edhe spektatorë teatri.
Kjo logjikë e punës pa plan, pa debat, pa analizë pragmatike, për prioritetet buxhetore po na shoqëron thuajse në gjitha segmentet tjera shoqërore. Infrastrukturë, universitetet, ambiente sportive, media…
Pse është kjo situatë, nuk do shumë mend për ta detektuar. Delegimi i njerëzve pa kurrfarë kualifikimi arsimor e profesional nëpër institucione shtetërore, po edhe arsimore – sidomos atyre universitare, ka sjell një situatë që edhe gjatë negocimit politik të buxhetit, nuk dimë se çfarë kërkojmë apo cilat janë prioritetet e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Dhe në situatë të këtillë, atëherë zgjidhet rruga më e shkurt ku veprohet me inercion, të tipit nëse pala maqedonase ndanë për vete mjete për X projekt, atëherë më çdo kusht edhe ne të insistojmë në 25 përqindëshin për të bërë një “kopil” të projektit maqedonas. Duhet të kemi të qartë se për shkak të historisë, traditës, dallimeve kulturore… nevojat e shqiptarëve dhe të maqedonasve nuk janë të njëjta, andaj dhe politika buxhetore duhet reflektuar nevojën imediate e jo inercionin se ky mori kaq për atë, ndërsa unë insistoj po aq për këtë. (koha.mk)