Nga Adelina MARKU
Këto zgjedhje nuk sollën një rezultat për t’u lexuar si status –quo dhe hyrje ne krizë të re, sepse erdhën pikërisht si rezultat i status quo-së dhe krizës, në të cilën përfaqësuesit politikë në qeveri e sollën shoqërinë, me ç’rast e dëmtuan rëndë interesin e shtetit dhe qytetarit në të! Numrat që sollën zgjedhjet në demokraci marrin kuptimin e shenjave të rëndësishme, sepse ky sistem, pra demokracia, bazohet në fuqinë e numrave dhe jo në arsyen e së drejtës për jetë më të mirë! Prandaj, thonë se ndër sistemet më të këqija deri më tani, demokracia është zbulimi më i mirë, por jo më i pagabueshmi! Çështja e koalicionit të ri shihet si një matematikë numrash nga disa liderë e analistë, në ndërkohë shkohet aq larg sa pas numrave ata lexojnë edhe pragmatizmin politik, duke e nënvlerësuar atë me gjetjen e PR-it, duke e barazuar me taktizmin politik! Sigurisht që ky është lexim aq i paqëndrueshëm, në të shumtën e rasteve është lexim emocional me efekt PR, amator që vetëm një politikan narcis e megaloman ose ndonjë analist shpejtan mund ta bëjë për të arsyetuar dobësinë e tij /saj si lider ose analist. E thjeshtë, pragmatizmi në politikë nuk buron nga numrat! Koalicioni i ri nuk është prodhim taktizimash liderësh t’partive politike! Kjo është teza ime për të ndërtuar një gjykimin racional kur kontekstin synojmë me gabim ta shohim me subjektivizmin që syzet irracionale na i gatuajnë. Në ndërkohë, konteksti i ri në këtë shoqëri si asnjëherë më parë s’ka qenë më i lexueshëm se sa tani! Qytetari zëshëm do ekonomi stabile dhe kërkon të drejtën e natyrshme të jetë i respektuar njësoj e pa dallim nga ana e shtetit!
Pragmatizmi në politikë buron nga kapaciteti i vullnetit politik për lidership progresiv në shtet e për shoqërinë. Kjo s’ka të bëjë me ambicien e liderëve për të qenë pjesë e qeverive që lexueshëm nuk e kanë këtë synim! Gjykimi racional është ai që flet se një ekonomi e rënduar nuk mund të kamuflohet më me taktizimet politike të aktorëve të korruptuar politikë që shkatërruan ekonominë deri dje. Një gjykim racional është ai që flet se monopolizimi i deridjeshëm i institucioneve shtetërore i bërë nga liderët taktizues në politikë, nuk mund të ketë kapacitetin e shndërrimit në sistem juridiko-funksional funksional, sepse kultura politike e korruptuar nuk mund të korrigjohet me PR për një kulturë të re politike, atë që e synojmë e idealizojmë neve votuesit përmes votës së dhënë! Mbi të gjitha, vendimi pragmatik në politikë buron nga aftësia e liderit për të kuptuar kontekstin e ri që kërkon votuesi, pra ka të bëjë me të ashtuquajturën intelegjencë kontekstuale e që më pastaj kësaj t’i shtohet: kredibiliteti i aktorëve politikë, integriteti i tyre dhe linjat e karakterit që lidershipi i tyre ka përvetësuar deri më tani.
Të jemi të qartë, në Maqedoni nuk kemi kulture politike për dhënie përgjegjshmëri, prandaj është absurd të pritet, madje është pritje godoeske të vjen një e tillë përmes një qeverie të re. Dy parametra që nevojiten janë: koha dhe lidershipi progresiv! Kohë kemi para nesh, por sa progresive është cilësia e lidershipit që disponojmë, kjo është dilema e madhe e jona, por jo e liderëve! Pra, sigurisht që jam ndër ata që vazhdoj të jem besnike qëndrimeve të mija fillestare. Krizën e para-przhinos e sollën aktorët e njëjtë politikë që i fituan numrat e votuesve. Të njëjtit thirren në legjitimitet për të krijuar qeverinë e re. Por, përjashtimin këtu e krijon një aktor politik dhe ky aktor politik është BDI-ja! Në demokraci, ka vetëm një fitues, jo dy! Edhe në shoqëri multikulturore si kjo e jona, ka vetëm një fitues dhe jo dy! Maqedonia pra, sipas kushtetutës aktuale nuk synon në ndërtim të një sistemi paralel ndëretnik , por në sistem multikulturor funksional. Kjo është kushtetuta faktike, na pëlqen ose jo!
Të nderuar, BDIzmi nuk mund të jetë përjashtimi më sepse u shndërrua me pa të drejtë si rregulli në fakt. Po nuk arritëm ta pranojmë një të vërtetë se gruevizimi nuk do ishte ky që doli të jetë pa BDIzmin si parazitin/vartësin besnik, atëherë më kot kërkojmë lidership e kulture transformative politike! Si vijim thjesht, le të vazhdojmë me paskrupullsinë e taktizimit të Marrëveshjes së Majit, fituesi me fituesin bëjnë koalicion dhe le të pranojmë letargjinë që na e dikton pasioni ynë i pasinqertë për shtetbërje! Efekti është kly që e kemi në dorë tani, kur një populli dominant shkon në regres, vartësi regresohet dyfish. Ky fenomen, ka të bëjë me efektin e dominosë!
Inteligjenca kontekstuale
Unë jam nga ata që mendojnë se BDI nuk ka kredibilitetin të ftojë partitë politike shqiptare në një tavolinë bisedimi, për të ndërtuar një platformë të unifikuar qëndrimi politik shqiptar ndaj palës tjetër. Përse? Sepse, sipas kësaj logjike, duheshin ftuar edhe tre përfaqësuesit politik shqiptarë që fituan deputetllëkun në listat e një partie që në mbamendjen tonë deri dje ishte parti që përfaqësonte një verdikt ekskluzivisht etnik e maqedonas. Se sa kjo parti do arrijë të ndryshojë këtë afinitet nga një gjendje kimike në ndryshim strukturor, mbetet të shihet në tavolinën e negociatave dhe në vitet në vijim. Për më shumë, gjykoj se të gjithë ata që pranuan ftesën e liderit të BDI-së për t’u ulur në një tavolinë bisedimesh, në të vërtetë treguan për lidershipin e tyre të ngutur e si vijim të pamaturuar mjaftueshëm. Një lidership i këtij lloji brenda natës, këtyre liderëve ua zbehu qartësinë e qëndrimeve të tyre fillestare që kishin të bënin me parimin(sipas tyre), e që thoshte: ne këtë shoqëri është BDI / bdizmi ajo/ai që duhet luftuar për të mos lejuar një gruevizëm që në parim doli të jetë i dëmshëm për shtetin e shoqërinë si tërësi. Kjo situatë në të cilën ata rranë si peshqit e pandërgjegjshëm për gjendjen e lagur të ujit, lexohet si taktizim makiavelist i BDI-së: “shfrytëzojmë të gjithë mjetet për të arritur qëllimin!”. Por, cili është qëllimi i BDI-së ? Marrëveshja e Majit, në të cilën BDI-ja thirret vazhdimisht, nuk e ka fuqinë e një dokumenti juridik lokal e ku më ndërkombëtar (përse duhej të jetë ndërkombëtar pa gjene, kur është për përdorim të brendshëm! Maqedonia nuk është protektorat, mbi të cilin duhen ndërtuar parime të reja në shoqëri. Kjo marrëveshje është vetëm një NON –PAPER e asgjë më shumë ! Marrëveshje në radhë të parë nuk është pjesë ( e nuk u kërkua të bëhet pjesë kurrë në këto vite në vijim! Përse nuk u kërkua në të vërtetë?!) e Kushtetutës së Maqedonisë dhe për më shumë tanimë edhe nuk mund të konsiderohet si fuqiplote, sepse ishte edhe atëkohë një taktizim kontekstual makiavelist. Konteksti i ri shoqëror (dhe ende jo politik), që sollën zgjedhjet, flet se një aktor politik deri dje ekskluziv maqedonas, sot e zhbën pikërisht këtë taktizimi të 2006-2007: fituesi shqiptar me fituesin maqedonas krijojnë qeverinë! Ky taktizim u tregua të jetë i paqëndrueshëm në këtë shoqëri, nga vetë ata që e nxitën ose e ndërtuan si model për qeverisje! Një ri-kthim pas në historinë e re të këtij shteti, pikërisht në konfliktin e 2001 na rikujton kthesën brenda natës që bëri lideri i UÇK-së në Maqedoni, Z Ahmeti, me Komunikatën numër 6, e cila në fakt shndërroi qëllimin parësor të konfliktit në “sub-qëllim”. E derrogoi narrativën e saj, nga Komunikata numër 6-të në një të ridefinuar, që fliste se konflikti nga kryengritje sovrani, u shndërrua në kryengritje integruesi. Çka dua të them me këtë argument që po e vë para jush? BDIzmi është një fenomen kameleonesk që në këtë shoqëri u instalua me themel nga lideri Ahmeti dhe lukunia e njërave të cilët dikur iu takonin partive me ideologji të qarta. BDI është parti pa ideologji, ende, prandaj kjo organizatë politike që ekzistencën e vet e bazon në dy shtylla: figurën e liderit dhe në financa partiake nuk mund të ketë kredibilitet për të negociuar as parime politike, për të sinkronizuar as ideologji e ku më për të unifikuar interesin shqiptar në Maqedoni!
Prandaj, dhënia kredibilitet kësaj organizate e për të unifikuar qëndrim shqiptar ( cili është ai, si e ka emrin, në çka synon?!), është po aq i paqëndrueshëm sa vetë kapaciteti i institucioneve të shtetit për bërjen e një KTHIMI të madh! BDI dhe BDIzimin duhet lënë në mëshirën e vetëkorrigjimit, por edhe legjitimimit të dobësimit të kërkuar nga vetë votuesi i deridjeshëm i saj.
Duke lexuar pengesat qartë …
Duke lexuar pengesat qartë, mund të ndërtojmë një strategji shpëtimi për shoqërinë dhe diktimi të re për vetë shtetin. Nevojitet fillimisht strategji shpëtimi e frymës që ka ngelur për t’u shpëtuar dhe utilitarizuar që më pastaj mbi të, të ndërtohet një strategji zhvillimi. Cila do ishte zgjidhja? BDI nuk është më partnere e shqiptarëve dhe VMRO nuk është më përfaqësuese e fuqishme e verdiktit të popullit maqedonas! Ky është konteksti i ri !Duam aftësi liderësh që e lexojnë qartë kontekstin e ri të shoqërisë. A po zhduken partitë etnike? Kjo është pyetja e re (e pëlqyer ose e papëlqyer) që këto zgjedhje sollën në një MOMENTUMIN TË RI SHOQËROR. Sa ka aftësi të utilitarizojë shoqëria jonë këtë momentum? Përgjigja është e qartë: JO! Ky momentum ishte më shumë rrethanor, sesa cilësor. Por , nëse ky momentum shndërrohet në modus vivendi për qeverisje të re, humbet me automatizëm nevoja për taktizim të mëtutjeshëm të tipit: fituesi me fituesin! Këto zgjedhje, miqtë e mi, në të vërtetë barazuan FAJIN me SHPRESËN njëkohësisht! Nëse ky barazim arrin të ngazëllejë guximin që faji të dënohet dhe si i tillë të mos jetë më pengesë për qeveri të re, ajo do ngre krye dhe do shndërrojë kohën përpara nesh në mjet për ta përdorur shpresën si emërues të përbashkët për të ndërtuar vizionin për jetë më të mirë. Se cilët janë aktorët në këtë qeveri të përkohshme shpëtimi nacional, për mua është më se e lexueshme: të gjithë pa pardon!
Zgjedhjet e serishme janë gjithmonë opsion i shëndoshë pas një jetëshkurtësie të qeverisë së shpëtimit nacional, por përse jo edhe qasja e re ndaj kushtetutës në frymën e “LIVING CONSTITUTION” ose në përkthim marrëveshje e re për qytetarinë, shtetin do ta rimëkëmbte dhe ri-vendoste në gjeografinë që e ka !