Një pjesë e ekonomistëve thotë se rritja eventuale e tatimeve do të ndihmonte arkën e shtetit dhe do të ulte pabarazinë në të ardhura, ndërsa ekonomistët e tjerë thonë se rritja eventuale e tatimeve do ti merrte frymën biznesit dhe ekonomisë vendore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 qershor – Ekspertët e ekonomisë në shtet janë me mendime të ndara për rritjen eventuale të tatimeve në të ardhmen si rrjedhojë e rritjes së borxheve të shtetit për tu ballafaquar me krizën ekonomike të shkaktuar nga kriza shëndetësore, por edhe të borxheve të mëdha nga vitet e mëparshme që duhet të kthejë shteti sivjet dhe në vitet në vijim. Njëherësh, edhe parashikimet për rikuperimin e ngadalshëm të ekonomisë pas zbutjes së krizës dhe kthimit gradual në normalitet të funksionimit të shtetit, do të rihapin debatin për nevojën e financimeve të reja të nevojave të shoqërisë dhe shtetit vlerësojnë ekonomistë. Një pjesë e ekonomistëve thotë se rritja eventuale e tatimeve do të ndihmonte arkën e shtetit dhe do të ulte jo barazinë në të ardhura, ndërsa ekonomistët e tjerë thonë se rritja eventuale e tatimeve do ti merrte frymën biznesit dhe ekonomisë vendore. Profesori i ekonomisë, Sami Bislimi, vlerëson se rritja eventuale e tatimeve në vitin 2021 vetëm do të ngulfat punën dhe zhvillimin e bizneseve në kushte të pavolisthme ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
“E vetmja mënyrë që të tejkalohet kjo gjendje e rëndë e shkaktuar nga krizë shëndetësore e Kovid-19 është rritja e mëtejshme e huazimeve, prolongimi eventual i pagesës së borxheve dhe kamatave të shtetit si dhe mbështetja e mëtejshme e kapacitetit prodhues të kompanive me qëllim që nesër të krijojnë më shumë vlerë të shtuar që nënkupton edhe më shumë mjete në buxhetin e shtetit”, thekson Bislimi. Sipas tij, çdo rritje eventuale e tatimeve për biznesin në kushte kur ai ballafaqohet me probleme të mëdha si falimentimet, humbjet e mëdha, likuiditetin si dhe mbijetesën në treg vetëm do të ulin fuqinë e tij konkurruese. Apo me fjalë të tjera – ekonomia vendore nuk mund të durojë rritjen e presionit fiskal për shkak se do të humbë aftësinë për të konkurruar në treg. Bislimi shton më tej se as luftimi më i madh i ekonomisë informale nuk është një nga zgjidhjet për nevojat e mëdha të shtetit për të financuar huazimet prej 1.5- 2 miliardë euro si dhe kthimin e gati 850 milionë euro të borxhit dhe kamatave për vitin 2020.
Një luftë më e madhe kundër ekonomisë gri vetëm do të rriste më tej papunësinë, varfërinë dhe do të sillte tronditje sociale dhe nuk do të ndihmonte rritjen e të ardhurave të shtetit në këtë situatë të vështirë ekonomike dhe sociale në vend, shton më tej Bislimi. Nga ana tjetër, analisti ekonomik, Branimir Jovanoviq, thotë kush do që do të vijë nesër në pushtet do të duhet të rrisë tatimet, mirëpo sipas tij dilemë kryesore mbetet se si do të zhvillohet një proces i tillë. “Maqedonia duhet të vendosë tatime më të lartë progresiv për kompanitë me fitime më të mëdha dhe për më të pasurit. Kjo nënkupton se duhet të vendoset tre shkallë të tatimeve dhe atë për të ardhurat deri më 90 mijë denarë duhet të mbetet shkalla e tatimeve prej 10 për qind, për të ardhurat prej 90 mijë deri 150 mijë denarë duhet të vendoset tatimi prej 20 për qind, dhe për të ardhurat mbi 150 mijë denarë duhet të vendoset tatimi prej 30 për qind. Njëherësh për kompanitë me fitim më të lartë se një milion euro, tatimi duhet të jetë 20 për qind”, thotë Jovanoviq.
Sipas tij, për një shtet në zhvillim, me tranzicion akoma të papërfunduar dhe me dallime të mëdha ekonomike dhe sociale, duhet të praktikojë vetëm sistem progresiv të tatimit. “Ndoshta do të kemi edhe reagime dhe kundërshtime të më pasurve mirëpo në një shtet me jo barazi të mëdha në të ardhura ,vetëm sistemi progresiv i tatimit siguron më shumë të ardhura për shëndetësi, arsim e kështu me radhe dhe gradualisht do të zvogëlojë edhe dallimet e mëdha në të ardhura”, thekson Jovanoviq.
Sipas tij, nuk guxon të lejohet as rritja e TVSH, në një vend si Maqedonia me shkallë të lartë të varfërisë, të papunësisë dhe treguesin tjetër të varfërisë së popullatës në vend , apo koeficientin Xhini që mat jobarazinë në shpërndarjen në të ardhura – që në vitin 2013 ka qenë 37 për qind, ndërsa katër vite më vonë – 34.2 për qind. Ajo tregon se 20 për qind e më të pasurve kanë gati të njëjtat të ardhura sa 80 përqindëshi tjetër. “Në kushtet tona ekonomike, assesi nuk guxon që të rritet Tatimi i Vlerës së Shtuar prej 18 në 20 për qind, ashtu siç ekzistojnë propozime të tilla në opinion, por TVSH duhet të mbetet në nivele të tanishme për shkak se atë e paguajnë të gjithë qytetarët në shtet dhe rritja eventuale e këtij tatime do të rit koston e jetesë për të gjithë shtresat e popullatës nga ato më të varfër deri tek ato më pasur, ku natyrisht më të prekur do të jenë më të varfrit dhe ato me paga më të ulëta”, shton më tej Jovanoviq. Në ndërkohë, një nga njohësit më të mirë të sistemit financiar në shtet, Rudi Llazarevski kohë më parë ka parashtruar edhe disa nga dilemat në të cilat duhet të përgjigjen partitë politike në programet e tyre zgjedhore.
Ai pyet subjektet politike se a duhet të vendosen shkallë progresive të tatimit në shtet, dhe a parashikojnë në të ardhmen të tatimojnë çdo gjë që nuk është në funksion të biznesit me shkallë progresive prej 35 për qind të tatimit personal si automjetet, banesat, shtëpitë, “byrekun në fletëpagesë të thjeshtë kontabiliste”, apo dispozita të marrëveshjeve të menaxherëve. Ai shtron çështjen se a do të tatimojë pushteti në të ardhmen edhe posedimin e më shumë se një marrëveshje për punë sipas shkallëve korporatave tatimore si dhe a do të tatimoret dividenda me shkallë prej 0-60 për qind. Llazarevski shtron edhe nevojën e përforcimit dhe ristrukturimit të organeve inspektuese kontrolluese në shtet si dhe ndërmarrjen e hapave konkrete dhe radikale për uljen e ekonomisë së pagesave me kesh dhe ekonomisë informale Në fund, por jo më pak me rëndësi, Llazaraveski pyet garuesit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, se a do të fillojnë me tatimin e sistemit bankier, sidomos në pjesën e kompensimeve, provizioneve dhe të ngjashme që me madhësinë e tyre sipas tij, e rrisin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe ekonominë gri dhe ekonominë e keshit apo të parave të gatshme në dorë. (koha.mk)