Të gjithë në Maqedoninë e Veriut i kanë kthyer sytë nga Brukseli, nëse më 15 tetor do të japë datë për negociata, që do të zgjasin 7 deri 10 vjet, deri në anëtarësim të plotë. -Periudha pasuese do të jetë dramatike për Shkupin, për shkak të detyrimit për kalimin e një pjese të sovranitetit shtetëror në kompetencë të BE-së. -Shikuar nga aspekti shqiptar, një pozicion i ri i këtij shteti me mbikëqyrje nga Brukseli, do të jetë i favorshëm
Nga Ismail ARSLLANI
Pak ditë ndajnë Maqedoninë e Veriut, deri më 15 tetor të këtij viti, që t’i flakë përfundimisht dilemat nëse do të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në, që do të zgjasin 7-10 vjet, deri në integrim të plotë. Marrja e datës së negociatave, konsiderohet se do të jetë një fitore e madhe politike për qeverinë e Zaevit, e cila fillimisht sakrifikoi emrin e shtetit, pastaj bëri edhe disa koncesione të tjera të dhembshme, që të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike. Në aktualitetin tonë politik, gjithë nomenklatura pushtetmbajtëse po punon dhe po mendon për këtë “fitore” të madhe, në rastin konkret për marrjen e datës për negociata me BE-në, si dhe hyrjen e vendit në NATO, në fillim të dhjetorit 2019. Në këtë kontekst fare pak po trajtohet çështje nëse ky vend, kushtimisht thënë, mund të “humb” diçka, me integrimin në NATO dhe BE?
BE-ja DO JETË SI ZOT NË SHTËPINË E VET
Pos sigurisë politike, ushtarake-strategjike, ndihmave dhe investimeve (si fitore), Maqedonia e Veriut do të përballet me një mori ligjesh, kontrollimesh e monitorimesh, shpenzimesh materiale e të resurseve të tjera, që në periudhën kalimtare nuk do t’i shkojë fort për shtati këtij vendi me demokraci të brishtë. Mbi të gjitha, më së vështiri do t’i vijë “kalimi i një pjese të sovranitetit shtetëror në kompetencë të BE-së”, që do të ratifikohet dhe kjo s’do të ketë kthim prapa. Institucionet e BE-së do të fillojnë të veprojnë (kontrollojnë, sugjerojnë dhe qortojnë) në Maqedoninë e Veriut, sikur të kishin qenë zot të shtëpisë. Se si do ta përballojë ky shtet “humbjen” e një pjese të sovranitetit shtetëror, do të duhet të presim e të shohim!
Shikuar nga aspekti shqiptar, një pozicion i ri i këtij shteti, me mbikëqyrje nga Brukseli, do të jetë i favorshëm. Mbi të gjitha, do të kërkohet sundimi i së drejtës, çrrënjosja e korrupsionit dhe kriminalitetit, si domosdoshmëri, jo vetëm në mënyrë formale. Këto të këqija, sa kohë e këndej po i godasin kryesisht shqiptarët, sepse drejtësia për ta është me dy kute, vështirë e arritshme. Duhet shpresuar, edhe pse ky do të jetë një proces i mundimshëm dhe afatgjatë, që shqiptarët duke fituar drejtësinë në një të ardhme e cila nuk mund të parashikohet që tash, me gjasë, një ditë, do të jenë të barabartë me të tjerët.
Shteti i së drejtës dhe demokracia janë çështje ekzistenciale për Maqedoninë e Veriut. Janë këto vlera të pakontestueshme të BE-së dhe vendeve anëtare. Se sa bëri Maqedonia e Veriut në këtë drejtim, mendimet janë të ndara. Por, le ta marrim deklaratën e fundit të kryetarit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, i cili u bëri me dije liderëve të anëtarëve të këtij Unioni se “Maqedonia e Veriut ka kryer pjesën e vet të obligimit dhe tash u mbetet atyre ta kryejnë pjesën e mbetur të detyrës”. Maqedonia s’merr për herë të parë rekomandim nga Komisioni Evropian, se i përmbush kriteret për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por dy vjetët e fundit janë Franca, Holanda dhe Danimarka që kundërshtojnë këtë, për t’u kurorëzuar me fillimin e negociatave (për Francën vendos presidenti Makron, ndërsa për Holandën vendos Parlamenti). Këto vende nuk dëshirojnë që Maqedonisë së Veriut, aq më pak Shqipërisë, me të cilën janë në një paketë, që t’i jepet “statusi” i negociatorit me BE-në, për shkak se ende kanë vërejtje të mëdha ndaj rezultateve reformuese, kryesisht në përmirësimin e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.
Nuk dihet nëse rekomandimi i kreut të BE-së, do të ndryshonte diçka në pikëpamjet skeptike të këtyre vendeve më lart të përmendura ndaj zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut. Vendet e BE-së janë shumë pragmatikë. Ato nuk nisen nga animet apo emocionet për shtete të ndryshme, që aspirojnë të hyjnë në BE. Janë shumë rigorozë në qëndrime, sepse çdo shtet i papërgatitur për anëtarësim mund të implikojë probleme në aspektin ekzistencial të BE-së, e cila i ka vendosur shtyllat e ekzistimit mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.
DEPONIMI “DRAMATIK” I PJESËS SË SOVRANITETIT NË BE
Bashkimi Evropian është ngritur në parime të bashkëpunimit konstruktiv, kohezionit, kompromisit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe atributeve të tjera civilizuese, është një projekt kompleks që mbështetet në më shumë shtylla, mbi të gjitha secili shtet jep një pjesë të sovranitetit që kalon në kompetenca të BE-së. Pikërisht për këtë shkak, çështja e shtetit të së drejtës shndërrohet në një nga shtyllat ekzistenciale. Është imediate që në këtë rrafsh të ngrihet edhe mirëbesimi ndërmjet shteteve, nëse kanë vendosur që të ekzistojnë në baza demokratike dhe ta ndajnë pushtetin me të tjerët, si dhe të përcaktojnë format e funksionimit praktik të tyre.
Në këtë aspekt, shtrohet me të drejtë pyetja se sa është e gatshme Maqedonia e Veriut në këtë moment që me sukses të kyçet në këtë familje të madhe demokratike dhe në një sistem kompleks të funksionimit. Kjo e fundit është paksa delikate dhe e ndjeshme për këtë vend ballkanik, i cili si shtet i ri ende ka paragjykime mbi sovranitetin, të cilin nuk dëshiron t’ia japë askujt, pos ta mbajë për vete. Me hyrjen në BE, kjo do të ndodhë dhe nuk dihet se si do të sillet ky vend, kur në njëfarë dore vendet e BE-së do t’i përzihen, madje edhe në “punët e brendshme”, të cilën gjë do ta firmos vetë para se të integrohet.
Shkupi duhet ta ketë të qartë se Brukseli ka mjete efikase për përkujdesje ndaj shteteve aspirantë, në mënyrë që këto që u përmendën më lart mos të kontestohen kur të vijë koha e zbatimit të tyre. BE-ja në të kaluarën ka bërë disa lëshime ndaj vendeve të Evropës juglindore gjatë procesit të integrimit dhe këtë gabim e ka parë më vonë, prandaj tash i ka ashpërsuar kriteret dhe gjithçka dëshiron të zgjidhë gjatë procesit të negociatave paraqasëse, sepse kur shtetet aspirantë bëhen anëtare, atëherë është shumë më vështirë që të intervenohet.
Gjasat janë më se të sigurta që në monitorim do të përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, e cila viteve të fundit ka bërë një kthesë pozitive, por që nuk mjafton në këtë rrugë të integrimit të saj në BE, sidomos në aspektin e sundimit të ligjit. Ndoshta për shkak të situatës delikate gjeopolitike në të cilën gjendet ky vend, Brukseli do i mbyll nga pak sytë, që të mos i shkaktojë probleme shtesë këtij vendi që sapo doli nga një krizë e “shtetit të kapur”, ndaj dhe pritet të japë datën për fillimin e negociatave, që do të ishte një justifikim për politikën që po e zhvillon kryeministri aktual i vendit. (koha.mk)