Kryeministri Edi Rama lajmëroi në fundjavë lëvizjen e ë ministrave në kabinetin e tij si përpjekje për të tejkaluar një krizë politike disa javore. Opozita këmbëngul se protesta do të vijojë deri sa të dorëhiqet vetë kryeministri. Ikja e ministrave u përshkruan si një “rrufe në qiell të pastër”. Ministrat Tahiri dhe Beqaj kanë qenë sistematikisht më të anatemuarit nga opozita, por njëkohësisht dhe më të mbrojturit nga kryeministri Rama. Dy ministrat e tjerë, Çuçi apo Klosi, duken se kanë lëvizur për “sfond” të këtij veprimi të beftë të kreut të qeverisë.
RAMA: NDRYSHIMET JANË POLITIKE
Hamendësimit mediatik se vendimi i Ramës ishte “shkarkim” apo “dorëheqje” e ministrave, ju përgjigj vetë kryeministri të dielën pasdite, ku me fjalë të zgjedhura të një pronocimi të parapërgatitur me kujdes, tha gjatë mesazhit me zë dhe figurë në Facebook, se bëhej fjalë për ndryshime. Ai bëri lavde për katër ish-bashkëpunëtorët e tij në kabinet, dhe e cilësoi ndryshimin jo të diktuar nga protesta e opozitës apo nga ndonjë kërkesë që i kish bërë aleati i tij në mazhorancë Ilir Meta. Sipas Edi Ramës ndryshimet e qeverisë, të cilat do ja bëjë prezentë Presidentit të Republikës, nuk reflektojnë asgjë tjetër veçse domosdoshmërinë “që udhëheqësit tanë politikë të fushatës të qershorit të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë. Duke nisur nga Tirana ku Tahiri është kryetari i partisë sonë dhe ambicia jonë është të ngrihemi mbi rezultatin e fitores shembullore të vitit 2013. U bëj sot thirrje të gjithë socialistëve dhe mbështetësve të lidershipit e skuadrës të ngrihen në këmbë dhe të trokasin derë më derë pa pushim për të hapur siparin e një beteje të re për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.
BASHA: NUK LARGOHEMI PA U DORËHEQUR RAMA
Lëvizjet në qeveri janë përcjellë me skepticizëm nga opozita. Duke e konsideruar si një meritë të saj këto vendime të kryeministrit, Basha tha se kauza e opozitës do të vijojë, me kërkesat e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për PD dhe aleatët e saj nuk mund të ketë zgjedhje me standarde me kryeministër Edi Ramën. “Nuk jemi mbledhur këtu as për ‘koka turku’, as për ‘koka kecash’, as për ‘delesh’. Jemi mbledhur këtu për një mision: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Si mendon ai se ne do ja vëmë fajin Lindita Nikollës për kanabizimin e Shqipërisë? Apo ndonjë personi tjetër. Ky ka qenë produkt i vendimeve politike që Rama ka marrë për të sjell krimin në pushtet. Ai nuk kishte besim se qytetarët do të ngriheshin. Ngritja popullore rritet nga ora në orë. Nuk jemi këtu për të ngrënë sapunin për djathë apo Tahirin për Ramën. Ne nuk largohemi nga këtu pa u dorëhequr Edi Rama”. Jonila Godole, pedagoge e komunikimit politik në Departamentin e Gazetarisë në Universitetit të Tiranës mendon se largimi i ministrave që ata të jenë në shërbim të zgjedhjeve për PS-në në zonat elektorale, duket jo bindës dhe i sforcuar. Shkarkohen ministra, të cilët paskan bërë një punë të shkëlqyer?!, pyet Dr. Godole. Komunikimi politik i qeverisë është i sforcuar dhe lë shteg për abuzim mbi arsyet e vërteta të zëvendësimeve të fundit, shprehet ajo në intervistë për Deutsche Welle-n. “Duke parë qetësinë e ndërkombëtarëve këto ditët e fundit, dyshoj se pas kuintave janë ata që kanë sugjeruar largimin e ministrit të brendshëm për t’i hedhur dorashkën opozitës. Kështu që të dyja palët po rishikojnë pozicionimet e tyre që të mos tradhtojnë vetveten. Personalisht më duket se si pozitës ashtu edhe opozitës u është prishur busulla, dhe po bëjnë lëvizje të pamenduara mirë, hapa afatshkurtër të ndikuar nga oshilacionet e njëra-tjetrës. Nuk shoh një dialog të mirëfilltë mes të dy palëve që të dojë të zgjidhë situatën, por një lojë të njohur mes tyre, hedhje topi nga njëra portë te tjetra, më shumë për të penguar sesa për të ndihmuar procesin”.