Mbi 200 mijë qytetarë që vazhdojnë të kenë të bllokuara llogaritë bankare nga ana e përmbaruesve për shkak të mos pagesë së borxheve të mbetura të faturave energjetike, ujit, bërllokut, faturave ndaj operatorëve të telefonisë fikse dhe celulare si dhe operatorëve kabllovikë, me miratimin e propozim ligjit të ri për shlyerjen borxheve dorëzuar nga partia opozitare VMRO do të lirohen nga pagesa e kamatave të borxheve të vjetra më shumë se 10 vite dhe do të mund të paguajnë vetëm borxhin bazë
Zejnulla VESELI
Shkup, 11 qershor – Të gjitha borxhet e vjetra, që janë në proces të përmbarimit, të energjisë elektrike, ujit, bërllokut dhe shërbimeve tjera të operatorëve telefonik dhe kabllovikë, përfundimisht me vitin 2017, qytetarët e Maqedonisë do të mund t’i shlyejnë pa mos paguar kamatë apo harxhimet plotësuese, shkruan gazeta KOHA.
Kështu parasheh Propozim-Ligji për shlyerjen e borxheve të vjetra përgatitur nga partia opozitare VMRO-DPMNE i cili pritet së shpejti t’i dorëzohet Parlamentit të Maqedonisë për shqyrtim dhe miratim. Sipas opozitës propozim ligji në fjalë ka të vetmin qëllim të shlyejë të gjitha borxhet e vjetra të mbetura nga qytetarët e Maqedonisë deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2011. Nga partia opozitare thonë se nëse ky ligj pranohet edhe nga deputetët e shumicës parlamentare, një numër i konsiderueshëm të qytetarëve që kanë borxhe të vjetra deri në fund të vitit 2011 do të përfitojnë sepse do t’iu shlyen të gjitha kamatat llogaritura nga ana debitorëve.
“Kushti i vetëm për t’u fshirë borxhi është pagesa e borxhit bazë, pa kamatat dhe harxhimet e përmbarimit, që shpesh herë kamatat dhe taksat e llogaritura nga përmbaruesit për procedimit e lëndës e kanë tejkaluar shifrën bazë të borxhit për dhjetë herë më shumë. Bëhet fjalë për periudhën e borxheve të lëshuara nga kreditorët deri te qytetarët nga dita e parë e deri në ditën e pagesës, që do të thotë se qytetari do të lirohet tërësisht nga pagesa e normës së interesit të llogaritura deri në fund të vitit 2011. Lidhur me shpenzimet e përmbarimit propozohet zvogëlim prej 50%, që gjithashtu është shumë e konsiderueshme dhe këto dy faktorë deri më tani ishin arsyeja për mijëra qytetarë me borxhe pa fajin e tyre t’u nënshtrohen shpenzimeve të larta në bazë të normës së interesit”, thonë nga partia opozitare VMRO-DPMNE.
Në pajtim me zgjidhjet ligjore për borxhet e vjetra më shumë se një dekadë për të cilat qytetarët nuk kanë pasur njohuri janë të detyruar të paguajnë për dhjetë herë më shuma më të larta se borxhi bazë.
“Deri më sot nuk ka ekzistuar ndonjë mënyrë se si të mbrohen qytetarët nga keqpërdorimet që u bëjnë kreditorët si dhe përmbaruesit. Kreditorët dhe përmbaruesit në mënyrë të shkëlqyer e kane shfrytëzuar këtë periudhë dhjetëvjeçare në dëm të qytetarëve duke u kërkuar atyre të paguajnë borxhet e vjetra bazë, të cilat pas llogaritjes së kamatave nga ana e kreditorëve dhe përmbaruesve nga 1000 denarë të shkojë e të bëhet 30 mijë denarë”, thonë nga partia opozitare maqedonase.
Këtë propozim ligj me sa duket do ta mbështesin edhe deputetët e LSDM-së.
“Për të gjitha institucionet kreditore të cilat janë të themeluara nga Qyteti i Shkupit, nga komunat, propozim ligji qartë parasheh se do të shlyhet norma e interesit. Do të thotë se kemi dy lloj borxhlinj. Disa që atë do ta bëjnë në bazë vullnetare, ndërsa ata janë kreditorët privatë, siç është EVN dhe kreditorë para së gjithash për shërbime komunale”, thonë nga LSDM.
Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se mbi 200 mijë qytetarë vazhdojnë të kenë të bllokuara llogaritë bankare nga ana e përmbaruesve për shkak të mos pagesë së borxheve të mbetura të faturave energjetike, ujit, bërllokut, faturave ndaj operatorëve të telefonisë fikse dhe celulare si dhe operatorëve kabllovikë. (koha.mk)