Prej kur ka dalë në shesh se po flitet për ndryshimin e kufijve të Kosovës, përmes korrigjimeve, ndarjeve apo çfarëdo termi tjetër që përdoret, është krijuar paqartësi e madhe se kush e mbështet e kush jo një ide të tillë. Tash edhe kur është krijuar delegacioni shtetëror për dialog, edhe në Bruksel pyesin se a ka ai delegacion qëllim të ndihmojë apo të pengojë realizimin e ideve për ndryshimin e kufijve
Nga Augustin PALOKAJ
Vazhdojmë të dëgjojmë porosi se ka ardhur koha e duhur për një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, se një marrëveshje e tillë “është afër” dhe se ajo është “shumë larg”, e mundur dhe po ashtu e pamundur, se dialogu do të dinamizohet dhe përshpejtohet, por ai do të mbetet edhe i bllokuar, se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë jonormale dhe se shpejt do të normalizohen. Prej kur kanë filluar zyrtarët e lartë të BE-së dhe disa diplomatë të tashëm dhe të dikurshëm të përmendin mundësinë e arritjes së marrëveshjes, nuk ka pasur asnjë takim të hairit në kuadër të dialogut. Një takim mes dy kryetarëve në vjeshtë nuk kishte ndodhur fare, edhe pse të dy presidentët kishin ardhur në Bruksel, sepse presidenti i Serbisë kishte refuzuar. Më pas ndodhi një takim i shkurtër, por pa ndonjë rezultat. Prej atëherë nuk ka pasur më takime. E kanë kaluar pesë muaj. Me këtë britmë jo deri në verë, por as pas shumë vjetësh nuk do të mundë të arrihej marrëveshje.
Por gjithmonë ekziston një dyshim, për dikë shpresë e për dikë ankth, se dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, vërtet janë duke zhvilluar edhe negociata të fshehta dhe madje se me ndihmën e njerëzve nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogherini, me gjasë edhe me përfshirjen e ndonjë zyrtari amerikan dhe rus, janë tashmë duke punuar në zgjidhje dhe duke i vizatuar kufijtë e rinj të Kosovës në hartë. Konfirmime për një gjë të tillë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Demantimet e mundësisë së tillë janë shumë të zbehta. Shtetet anëtare të BE-së thonë se nuk kanë shumë informata, së paku jo të gjitha shtetet. Edhe pse përfaqësuesja e lartë, Mogherini, mund të flasë në emër të BE-së, kësaj radhe mund të thuhet se jo të gjitha shtetet e BE-së e mbështesin idenë për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Sepse pranimi i një zgjidhjeje të tillë do të thoshte heqje dorë nga një parim të cilin shtetet kryesore të BE-së e kanë mbajtur me vite në qasjen e tyre ndaj problemeve në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ideja e tillë ka shkaktuar ndarje në Kosovë, në BE, në rajon dhe brenda shumë shteteve. Nuk dihet më kush e përkrah e kush jo idenë e tillë. Nga sjellja e presidentëve Thaçi dhe Vuçiq fitohet përshtypja se ata e shohin si reale këtë mundësi. Reagojnë si të zemëruar kur dikush del fuqishëm dhe publikisht kundër kësaj ideje, ndërsa gëzohen kur shprehet mbështetje për të njëjtën ide. Por është shumë i kufizuar numri i atyre që mbështesin idenë e ndryshimit të kufijve. Ose e mbështesin me kushtin që ky të jetë rezultat i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, ose e shohin si përmirësim të një zgjidhjeje, e cila për ta nuk ka qenë e mirë, siç është mënyra se si është shpallur Pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Në mesin e atyre që kanë menduar se ka qenë gabim shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 pa pajtimin e Serbisë ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit të Amerikës, John Bolton. E tash duket se Boltoni po i fut gishtat në punën e arritjes së një zgjidhjeje. Letra e presidentit amerikan Trump shpreh mbështetje për arritjen e marrëveshjes, por nuk saktëson se a mund t’i përfshijë kjo zgjidhje edhe ndryshimet e kufijve të Kosovës. Nëse gjykojmë në bazë të asaj se çfarë mendon dhe flet presidenti Trump për Evropën, mund të konstatojmë se dhe atij nuk i interesojnë shumë se çfarë pasojash mund të ketë një gjë e tillë për kontinentin e vjetër. E për BE-në, nëse krijon probleme, aq më mirë. Sepse Trumpi i gëzohet çdo problemi që mund t’i dalë BE-së dhe këtë nuk e fsheh.
Prej kur ka dalë në shesh se po flitet për ndryshimin e kufijve të Kosovës, përmes korrigjimeve, ndarjeve apo çfarëdo termi tjetër që përdoret, është krijuar paqartësi e madhe se kush e mbështet e kush jo një ide të tillë. Tash edhe kur është krijuar delegacioni shtetëror për dialog, edhe në Bruksel pyesin se a ka ai delegacion qëllim të ndihmojë apo të pengojë realizimin e ideve për ndryshimin e kufijve. Zyra e Mogherinit do të donte që ky grup të shfrytëzohet për të mbështetur presidentin Thaçi dhe të neutralizoj atë që zyra e saj e konsideron si ndikim negativ të kryeministrit Haradinaj. Por ka shtete që mendojnë se Haradinaj po bën mirë që po del kundër ideve të ndryshimit të kufijve. Në kushtet kur BE-ja është e ndarë rreth një ideje, atëherë Kosova është ajo që ka pasoja të kësaj mungese të unitetit. Kështu ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe me mospajtimin e 5 shteteve me pavarësinë e Kosovës.
Mogherni, në përpjekje që të qetësojë disa shtete që nuk duan zgjidhje, e cila mund të shkaktojë më shumë probleme sesa t’i zgjidhë, ka krijuar edhe më shumë paqartësi rreth asaj se cila mund e cila jo të jetë zgjidhja. Ajo tash po thotë se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me vlerat e BE-së, dhe të jetë e pranueshme për të gjitha vendet e BE-së. Një zgjidhje, e cila do t’i plotësonte të gjitha këto kushte është e vështirë edhe në teori e lëre më në praktikë.
Zgjidhja e tashme, pra pavarësia sipas Planit të Ahtisaarit e shpallur më 17 shkurt 2008, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, nuk është në kundërshtim as me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por nuk ka qenë e pranueshme për Serbinë dhe për 5 shtete të BE-së. Nëse tash do të ndodhte një ndryshim i kufijve të Kosovës për t’ia bërë qejfin Serbisë, kjo do të mundë të shkaktonte problem për disa shtete, të cilat janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës dhe e kanë njohur atë në kufijtë e tashëm. Pra, ideja për ndryshimin e kufijve është një rrezik apo së paku një rrugë në drejtim të panjohur për Kosovën. Për shumë shtete të BE-së kjo është një ide e keqe dhe atë nuk e bën të mirë as mbështetja e presidentit të Amerikës, Donald Trump, nëse ai vërtet e mbështet një ide të tillë. Është pikëpyetje edhe se cili është qëndrimi i faktorëve tjerë amerikanë, sepse politika e jashtme e këtij shteti, ndonëse përfaqësohet nga administrata e presidentit, koordinohet edhe me Kongresin dhe Senatin Amerikan. Nuk dihet po ashtu se a është Administrata Amerikane ajo që po kërkon nga Kosova, që të pranojë ndryshimin e kufijve të saj apo po kërkojnë vetë kosovarët që amerikanët të mbështesin një ide të tillë. Këto dilema vazhdojnë të jenë të pranishme edhe pas krijimit të grupit shtetëror për negociata dhe pas vizitës së parë të këtij ekipi në Bruksel para një jave. (koha.net)