Zgjedhjet për përbërjen e re të institucioneve europiane mund të jenë vendimtare për të ardhmen integruese të shteteve aspirate nga zona e Ballkanit Perëndimor. Nëse fitues të zgjedhjeve dalin euro-skeptikët dhe partitë e së djathtës ekstreme, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së do të jetë më i vështirë, thonë për gazetën KOHA, ekspertë e ish-diplomatë
Destan JONUZI
Shkup, 23 maj – Përbërja e re e Parlamentit Evropian (PE), mund të ndikojë në procesin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut, paralajmërojnë ekspertët. Data shumë e dëshiruar për fillimin e bisedimeve dhe procesi i hapjes së kapitujve, varet nga ajo se cili koalicion i partive do të udhëheq me këtë institucion europian, shkruan gazeta KOHA.
Një betejë e ashpër midis populistëve dhe nacionalistëve të cilët janë euro-skeptikët dhe social-demokratët, e majta e skajshme dhe liberalët të cilët janë pro zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Nga ajo se cili do të jetë përfundimi i zgjedhjeve për deputet në PE, do të varet edhe rrugëtimi euro-integrues i Maqedonisë së Veriut, thonë njohësit e këtyre çështjeve, për të shtuar se Parlamenti Evropian merr pjesë në zgjedhjen e institucioneve tjera të BE-së dhe në këtë mënyrë e harton politikën të cilën do ta udhëheq BE-ja. Ish-ambasadori Muhamed Halili thotë se skenari më i vështirë për Maqedoninë e Veriut është që në zgjedhjet për PE të fitojë e djathta ekstreme, e cila sipas parashikimeve, ka shans të mirë që ta fitojë shumicën parlamentare.
“Platformat e tyre janë kundër migrimit dhe zgjerimit të BE-së, gjegjësisht kanë platforma ultra nacionaliste. Megjithatë në të gjitha vendet anëtare ata kanë mbështetje solide. Por, këtu janë Hungaria, Britania e Madhe, Franca dhe Holanda, ku për shembull me vite të tëra forcat e djathta janë në ngritje. Në Holandë është partia e Gert Villders, në Francë partia e Mari le Pen. Dhe pikërisht kjo është e mjaftueshme që Maqedonia e Veriut të stagnojë, pasi që këto dy vende momentalisht janë më të zëshme kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, me arsyetimin se duhet të forcohet sovraniteti i Evropës”, deklaroi për gazetën KOHA, ish-diplomati Halili.
Sipas tij është shumë e rëndësishme të shikohet se sa i ka plotësuar Maqedonia e Veriut deri më tani kriteret e anëtarësimit në BE, e veçanërisht sundimin e së drejtës. Mendoj, shprehet me tej, Halili, se ky do të jetë një problem kyç krahas problemit të sovranitetit të forcuar të Evropës.
“Jam skeptik se Maqedonisë së Veriut në qershor ose pas zgjedhjeve për PE do t’i caktohet datë. Edhe pse mund të ndodh ajo, por edhe nëse ndodh do të ndodh vetëm se me vendim politik. Nga ana tjetër Komisioni Evropian punon me vendim administrativ, se a janë plotësuar kushtet apo jo. Megjithatë fjalën e fundit do ta ketë Samiti Evropian në qershor, dhe nëse ato vendosin, edhe përkundër asaj se Maqedonia e Veriut nuk i ka plotësuar plotësisht kriteret, që ta pranojnë në gjirinë e tyre, atëherë kjo është një çështje tjetër”, theksoi Halili.
Nano Ruzhin ish ambasador në NATO, thotë se zgjedhjet për përbërjen e re të institucioneve europiane mund të jenë vendimtare për të ardhmen integruese të shteteve aspirate nga zona e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse zgjedhjet i fitojnë partitë pro-evropiane, pavarësisht se a janë të djathta apo të majta, atëherë rruga e vendeve të Ballkanit do të hapet shumë më lehtë. Të mos harrojmë se përbërja e tanishme e Komisionit Evropian është pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Nëse fitojnë me dallim të madh euro-skeptikët dhe partitë e së djathtës ekstreme rrugëtimi i vendit drejt BE-së do të jetë më i vështirë. Megjithatë duhet të jetë e qartë se për fillimin e bisedimeve nuk vendosen ato që kanë fituar në zgjedhje, por Qeveritë e vendeve anëtare”, deklaroi për gazetën KOHA, Ruzhin.
Nga ana tjetër, Zorica Strezoska, koordinatore në organizatën “Euro-Think” dhe eksperte për çështje europiane, vlerëson se zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe rezultatet e tyre shumë pak mund të ndikojë në procesin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut, apo në vendimin përfundimtar.
“Gjithnjë e më shumë po rritet impulsi pozitiv për marrjen e rekomandimit pozitiv, kështu që mendoj se nuk do të ketë asnjë ndryshim. Cilido qoftë rezultati, ndikimi mund të jetë i vogël, për arsye se BE ndër vite udhëheq politik permanente. Sido që të jetë, ato qëndrime formohen nga ana e shteteve dhe të cilat tanimë janë formuar, kështu që me ndonjë ndryshim eventual të përbërjes së Parlamentit Evropian nuk do të ndryshojë asgjë konkrete”, deklaroi për gazetën KOHA, Strezoska.
Ndërkaq, juristi i së drejtës europiane Muhamer Pajaziti thekson se në zgjedhje për Parlamentin Europian pritet të ketë një rritje të lehtë të partive të krahut të djathtë.
“Partitë e djathta, në një spektër të gjerë politik, duke përfshirë partitë populiste dhe nacionaliste, deri tek partitë neo-fashiste të ekstremit të djathtë. Po shanset e tyre janë zbehur me skandalin e fundit në Austri, ku u dëshmua se këto parti kanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe nuk janë të pritura të respektojnë parimet dhe vlerat e demokracisë evropiane. Sidoqoftë, në politikat e zgjerimit të BE me rëndësi është procesi. Maqedonia e Veriut mund të përfitoj nga ky proces nëse i nënshtrohet Vetingut për ti pastruar institucionet nga korrupsioni dhe dukuri tjera negative. Gjithasht,u duhet të merren masa për përmirësimin e standardit jetësor. Ndryshe do ta përjetojmë fatin e Bullgarisë dhe Rumanisë ku me ikjen e rinisë është zvogëluar popullsia deri më 15 për qind”, deklaroi për gazetën KOHA, Pajaziti.
Sipas anketave të mendimit publik të cilat janë bërë para fushatës zgjedhore, në rrënie është trendi i popullaritetit të social-demokratëve, ndërsa në rritje është rejtingu i partive konzervatore. Përndryshe, zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë të lira dhe të drejtpërdrejta, në to qytetarët e BE-së, votojnë në mënyrë të fshehtë. Vetëm në pesë vende të BE-së zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë të obliguara me ligj: Belgjikë, Bullgari, Greqi, Qipro dhe Luksemburg. Pas zgjedhjeve të para për Parlamentin Evropian në vitin 1979, numri i partive me prefiks nacionalist të përfaqësuara në të është rritur nga 57 në 212 sa janë tani. Hungaria dhe Polonia nuk janë vendet e vetme me besim më të ulët të qytetarëve ndaj BE-së, këtu janë Franca dhe Italia. Thuaj se në të gjitha vendet anëtare qytetarët e theksojnë migrimin si problem më të rëndësishëm, i cili është para BE-së, tregon raporti i hulumtimit të Eurobarometrit. Ka vetëm dy përjashtime në Suedi problem numër një është ndryshimi i klimës, ndërsa në Portugali, terrorizmi. (koha.mk)