“Pastrimi” i vërtetë i gjyqësorit, siç është paralajmëruar, nuk mund të bëhet nëse nuk bëhet riprocesimi i të gjitha rasteve të montuara, duke marrë në pëgjegjësi edhe ata që i montuan, dhe krahas saj edhe marrja në përgjegjësi e atyre gjykatësve e prokurorëve që morën instruksione për të deformuar proceset gjyqësore, ku viktimë ishin dhjetëra shqiptarë, të cilët ende po vuajnë dënime kapitale, si pasojë e gjyqësisë selektive
Nga Emin AZEMI
Ministri i ri Drejtësisë ka paralajmëruar “pastrim” të gjyqësorit me qëllim të rritjes së efikasitetit në këtë sektor mjaft të ndjeshëm. Siç bëhet e ditur, deri më tani janë kryer kontrolle në dhjetë gjykata, ndërkohë që në periudhën që vijon pritet të bëhen kontrolle edhe ne 24 gjykata tjera. Janë paralajmëruar edhe masa përgjegjësie kundër gjykatësve. Në shënjestër të këtij aksioni do të jenë kryesisht gjykatësit të cilët pa ndonjë bazë kanë ndikuar në vjetërsimin lëndëve.
Modeli i ri për pastrimin e gjyqësorit, ashtu siç është paralajmëruar nga ministri i ri Drejtësisë, do t’i nxjerr në pah të gjitha dobësitë, me qëllim të krijimit të një pasqyre më reale në detektimin e deformimeve në sistemin e drejtësisë te ne. Përpos punës së gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët pritet të jenë nën thjerrëz, është paralajmëruar gjithashtu që në të ardhmen të fillojë edhe verifikimi i prejardhjes së pasurisë së tyre.
Sigurisht që Gjykata Penale e Shkupit, si një prej institucioneve me angazhime dhe përgjegjësi më të mëdha, do të jetë objekt mbikëqyrjeje, por askush nuk e di se sa mund të jetë efikase kjo punë dhe cilat sfera do t’i prekë.
Sikundër dihet, në Maqedoni, këto tridhjetë vite pluralizëm, gjykatat kanë qenë kanali që ka prodhuar më së shumti ndotje në ambientin tonë demokratik, ku proceset e montuara, ikja e të dënuarve nga dora e drejtësisë,vjetërsimi i lëndëve, kanë qenë alfa dhe omega e veprimtarisë së tyre.
Në Maqedoni, gjithkush mund të futet në birucë,vetëm politikanët jo. Dy ish-kryeministra të ngarkuara me vepra penale, Buçkovski dhe Gruevski, dhe dhjetëra të tjerë që gëzojnë privilegjin e të qenit ‘të paprekshëm’, janë shembull shkollor që ilustron shkollën e pamoralshme juridike të Maqedonisë. Në Hungari, Greqi, Serbi e shtete tjera ndodhen plot shtetas të Maqedonisë, të kërkuar me mandat arrest, të cilët assesi nuk po mund të nxirren para gjykatave të këtushme.
Këtu shumë shpejt shpallesh i pafajshëm, edhe pas keqpërdorimit të miliona eurove, sepse sistemi i drejtësisë është i ngritur mbi parimin e selektimit të fajësisë, ku më keq kalon ai që më pak ka faj(!). I pafajshëm (ose me dënim joadekuat) mund të shpallet edhe një i akuzuar tjetër, siç ishte rasti i Boban Iliqit, si vrasës me paramendim i Almirit të vogël nga Kumanova.
Të pafajshëm shpallen gjithashtu ata që montuan rastin e Sopotit, rastin Alfa dhe të gjithë ata që morën pjesë në përgatitjen e kurthit në Kumanovë, më 9-10 maj 2015.
Në rastin e Sopotit janë afishuar disa emra punonjësish në segmentet e sigurisë së shtetit, të cilët me paramendim dhe me djallëzi e kanë kurdisur këtë rast, duke vendosur mina në rrugë me pasoja fatale për jetë njerëzish (dy pjesëtarë të trupave të NATO-s dhe një përkthyes vdiqën nga shpërthimi i minave) dhe duke marrë në qafë disa shqiptarë të pafajshëm nga ky fshat, të cilët vuajtën kot së koti disa dhjetëra vite burg(!).
Ramadan Bajrami, bie fjala, mbi 10 herë ka dëshmuar në gjykatë për rastin “Sopoti”, por ai ende i ka të freskëta kujtimet se si në vitin 2003 është detyruar me dhunë të jep deklaratë kundër të vërtetës.
“Ashtu siç më ka diktuar njëri nga inspektorët, ashtu edhe e kam nënshkruar deklaratën e parë, në rast kundërshtimi, jam kërcënuar se do të më zhdukin”, pat deklaruar për mediat, Ramadani.
Me një sistem të tillë drejtësie të çoroditur, shanset për t’u bërë kriminel potencial janë shumë të mëdha, kurse ata që mundohen të jetojnë me nder dhe të fitojnë me djersë, duhet të paguajnë faturën e mosdënimit të kriminelëve.
Këto dhe raste të tjera, që janë shembull i keq i gjyqësisë selektive, tash më janë shndërruar në cirk, ku mungojnë të akuzuarit e vërtetë dhe shpiken të akuzuar të rrejshëm, kurse prokurorët dhe gjyqtarët në vend se të japin dorëheqje për paaftësitë e tyre, madje edhe të shkojnë në përgjegjësi penale, janë rikandiduar dhe avancuar në pozita të ndryshme(!).
“Pastrimi” i vërtetë i gjyqësorit, siç është paralajmëruar, nuk und të bëhet nëse nuk bëhet riprocesimi të gjitha rasteve të montuara dhe krahas saj edhe marrja në përgjegjësi e atyre që i montuan këto raste, bashkë me gjykatësit e prokurorët që morën instruksione për t’i deformuar proceset gjyqësore, ku viktimë ishin dhjetëra shqiptarë, të cilët ende po vuajnë dënime kapitale, si pasojë e gjyqësisë selektive. (koha.mk)