Top katër klubet e Premierligës kualifikohen në Ligën e Kampionëve, ndërsa fituesi i FA Cup, fituesi i Carabao Cup dhe klubi në pozitën e pestë në Premierligë kualifikohet në Ligën e Evropës.
Megjithatë, kualifikimi për në garat evropiane nuk është kaq i thjeshtë sa tingëllon. Fituesi i dy kupave të Anglisë zakonisht është i kualifikuar në garat evropiane përmes tabelës së Premierligës. Këtë sezon, Manchester City e ka fituar Carabao Cup, kështu që vendi në Ligën e Evropës i kalon klubit që është i gjashti në Premierligë, aktualisht Manchester Unitedit, bën të ditur Gazeta Express, transmeton gazeta Koha.
Situata komplikohet edhe më shumë kur merret parasysh fakti që fituesi i Ligës së Evropës dhe i Ligës së Kampionëve kualifikohet automatikisht në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Çfarë do të ndodhë kur Liverpooli ose Tottenhami ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve?
Tottenhami dhe Liverpooli e kanë vendin e siguruar në top katërshe të Premierligës, ndërsa njërit prej tyre, atij që e fiton titullin e Ligës së Kampionëve këtë vit, i takon edhe një vend tjetër në sezonin e ardhshëm të kësaj gare.
Kjo do të thotë se mbetet një vend shtesë në fazën e grupeve për edhe një klub tjetër. A mund t’i kalojë ky vend klubit të pestë në renditjen e Premierligës apo edhe të gjashtë nëse Arsenali e fiton Ligën e Evropës?
Jo, vendin shtesë në fazën e grupeve të sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampionëve do ta zë kampioni i Austrisë, i cili kualifikohet përmes rangimit si liga e 11-të më e mirë në listën e UEFA-s.
Në vitin 2012, Tottenhami e zuri vendin e katërt, mirëpo nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm pasi që Chelsea e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve dhe ishte jashtë top katërshes së Anglisë. Megjithatë, rregullat kanë ndryshuar dhe Tottenhami do të ishte kualifikuar me rregullat aktuale.
Deri në vitin 2005, fituesi i Ligës së Kampionëve nuk kualifikohej automatikisht në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Ky rregull u ndryshua kur Liverpooli e fitoi titullin por mbeti jashtë top katërshes.
Finalisti i mposhtur nuk e ka të siguruar vendin në sezonin e ardhshëm dhe ai duhet të kualifikohet përmes ligës vendore.
Çfarë do të ndodhë kur Arsenali apo Chelsea ta fitojë titullin e Ligës së Evropës?
Arsenali dhe Chelsea janë në finale të Ligës së Evropës dhe fituesi kualifikohet në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Nëse fituesi mbetet jashtë top katërshes së Premierligës (si rasti i Arsenalit), do të thotë që pesë klube angleze do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, nëse ata përfundojnë brenda top katërshes, atëherë Anglisë nuk i jepet një vend shtesë. Ekipi që përfundoi në pozitën e tretë në ligën e pestë të ranguar sipas UEFA-s, Franca, do të kualifikohet në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Çfarë ndodhë nëse dy klube angleze i fitojnë të dyja?
Në Ligën e Kampionëve lejohet të garojnë maksimumi pesë skuadra nga e njëjta ligë. Kjo krijon një rrëmujë të vërtetë nëse klubet angleze i fitojnë të dyja garat, por nuk janë në top katërshe të Premierligës.
Kjo gjë nuk do të ndodhë këtë sezon, pasi që Liverpooli dhe Chelsea e kanë të garantuar një vend në top katërshe, dhe do të duhet një mrekulli e vërtetë që Arsenali t’ia marrë vendin e katërt Tottenhamit.
Nëse në të ardhmen, dy fituesit e këtyre dy garave janë klube angleze dhe kanë mbetur të dyja jashtë top katërshes, atëherë klubi i katërt në Premierligës nuk do të kualifikohej për në Ligën e Kampionëve, por për në Ligën e Evropës. Pesë klube angleze do të garonin në Ligën e Kampionëve, ndërsa katër në Ligën e Evropës, tri klube angleze më shumë sesa zakonisht.