Nga Afet JASHARI
Në vitin 2005-2006, Qeveria e Maqedonisë ka punësuar 99 përkthyes, të cilët kanë vijuar edhe një trajnim nëntëmujor për t’u licencuar dhe për t’u punësuar si përkthyes nëpër organet gjyqësore dhe institucionet e ndryshme shtetërore, si ministritë, drejtoritë, etj. Detyra e tyre do të ishte për të përkthyer dokumentacionet në institucionet shtetërore nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Ky projekt, i financuar nga Këshilli Britanik ishte një obligim që dilte nga Marrëveshja e Ohrit. Përkthyesit u licencuan, u shpërndanë nëpër institucione, por asnjëri, sa i përket atyre që janë në administratën shtetërore (ministritë, drejtoritë, etj), nuk e kanë bërë këtë punë. Shkaku? Sistematizimi i vendeve të punës nuk parasheh vend pune përkthyes. Madje, që atëherë, as nuk është ndërmarrë ndonjë hap për të ndryshuar aktet përkatëse. Të gjithë ata “përkthyes”, u sistematizuan nëpër vende dhe pozicione të ndryshme të punës. Përjashtim bëjnë përkthyesit që u sistematizuan nëpër organet gjyqësore, ku sado pak gjen zbatim përkthimi. Të përkujtojmë se në qeverisje në periudhën 2002-2006 ka qenë LSDM-BDI, pastaj më 2006-2008 – VMRO-DPMNE – PDSH dhe prej 2008 deri më sot, VMRO-DPMNE –BDI. Sot në vend që të flasim për zhvillim ekonomik dhe prosperitet, aktorët politik luajnë ping-pong me thashethemet e tyre. Nëse do të ishte respektuar vendi i punës “përkthyes” në çdo institucion shtetërorë, sot nuk do të ishte temë dite pasi që çdo dokument do të ishte rregulluar sipas kërkesës së qytetarit.
REKOMANDIMET E UNIONIT EVROPIAN
Në bazë të rekomandimeve të Unionit Evropian për Republikën e Maqedonisë janë bërë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për nëpunës shtetëror dhe, sipas një analize të kryer ndaj këtij Ligji, i njëjti parasheh: përfshirjen e administratës shtetërore, identifikimin e kompetencave punësimin e nëpunësve shtetëror, mobilitetin, avancimin e tyre etj. Sipas të njëjtit Ligj konsistohet në sigurimin e një administrate shtetërore moderne, profesionale dhe efikase në funksionim të gjenerimit të të drejtave të qytetarëve që do të thotë të zbatohet edhe gjuha të cilët e flasin mbi njëzet për qind e qytetarëve, pa ndikime politike. Arritja e këtyre standardeve do të kontribuonte jo vetëm në rritjen e efektivitetit dhe kualitetit nëpër institucionet por edhe në kualitetin e standardit jetësor të të punësuarve. Mirëpo, është një fakt i pacenueshëm për t’u plotësuar këto standarde! Së pari duhet kuptuar disa premisa të patjetërsueshme nga vet institucionet e shtetit që duhet t’i plotësojnë gjegjësisht obligojnë që jo vetëm me anë të legjislativit t’i harmonizojnë këto premisa por të gjykojnë edhe me një qasje profesionale dhe pa paragjykime. Kjo përgjegjësi e institucioneve ndaj resurseve njerëzore duhet të mbështet sidomos në një planifikim strategjik, seleksionim, trajnim dhe perfeksionim profesional, vlerësim (notim) real, delegim të detyrave, udhëzim për komunikim, trajnim dhe këshilldhënie, zhvillim karriere, përgjegjësitë etj. Më saktë të kuptuarit e sjelljes njerëzore fillon me një vështrim të përgjithshëm mbi premisat bazë duke i vëzhguar nëpërmjet disa koncepteve sikurse që janë: vlerat, qëndrimet, cilësitë, perceptimi dhe mësimi.
ZGJIDHJE PËR ADMINISTRATORËT SHQIPTARË QË RRINË NË SHTËPI
Më tepër se dhjetë vjet, një numër i konsiderueshëm i administratorëve shqiptarë, spekulohet për mbi një mijë e pesëqind, akoma nuk janë shpërndarë nëpër vende pune. Ata, për më se një dekadë, paguhen nga shteti dhe figurojnë si të punësuar në administratën shtetërore, por faktikisht nuk kanë asnjë ditë përvojë pune. Edhe pse rasti i këtyre administratorëve është unik për Maqedoninë, pra nuk e gjen askund tjetër në botë, nuk është vonë që për ta të gjendet një zgjidhje e pranueshme dhe e kapshme për të gjithë. E para, që këta “administratorë shtëpiakë” ta ndjejnë veten të dobishëm duke kryer punën për të cilën paguhen, dhe e dyta, që pushteti të mos jetë më cak i akuzave të shumta për paaftësinë e tyre për menaxhim me kuadrin administrativ. Nëse, këta administratorë trajnohen (ndoshta jo të gjithë, varet nga përgatitja e tyre shkollore), për të bërë punën e përkthyesit, jo vetëm që do të ishte zgjidhje më e mirë për të gjithë, por edhe në secilin institucion shtetëror do të kishte nga një përkthyes dhe më këtë do të respektohej marrëveshja e arritur në vitin 2005, që ka qenë obligim ligjor i dalë nga Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar në vitin 2001 nga aktorët e atëhershëm politikë. Nëse kjo nuk arrihet, Maqedonia vazhdimisht do ketë kriza të rrejshme dhe gjithmonë shqiptarët do të jenë fajtorë.