Shkup, 26 mars – Shkolla Fillore “Liria” festoi 95-vjetorin e themelimit. Me këtë rast u përmend dhe u lartësua edhe figura e veprimtarit, atdhetarit, themeluesit dhe drejtorit të parë të kësaj shkolle, Azem Marana. Drejtori i shkollës Talat Sadiku, u shpreh se duke kujtuar këto figura dhe veprimtarinë e tyre të bujshme, u bëhet me dije gjeneratave të reja se me sa mund dhe sakrificë janë themeluar shkollat shqipe, transmeton Shenja.
“Azem Marana nuk ka qenë vetëm mësues, themelues, por ai me punën e vet, me kontributin e vet, sidomos në angazhimin në NDSH ka dhënë kontribut të veçantë për tërë kombin shqiptar…Ai la pas vetes një punë që sot duhet të nderohet dhe respektohet në mënyrë më të denjtë. Vetë Azem Marana dha një kontribut të çmueshëm në themelimin e shkollës, por megjithatë ne sot jo vetëm që do ta kujtojmë si themelues, por edhe si veprimtarë të veçantë”, thotë Talat Sadiku, drejtor i Shkollës “Liria”.
Aktivitetin solemn të këtij përvjetori e kishte mundësuar Komuna e Çairit. Në një fjalë rasti, kryetari Visar Ganiu u shpreh se gjithmonë duhet që t’i kemi të freskëta kujtimet e veprimtarëve të shquar siç është Azem Marana.
“Përvjetori i 95-të i Shkollës Fillore ‘Liria’ është moment historik që na bashkon sot për të vazhduar ta ruajmë të përjetshëm dhe të freskët kujtimin frymëzues për shumë gjenerata të misionoerëve të arsimit kombëtar që mbajtën në këmbë themelet e kësaj shkolle. Emrat e tyre në faqet e lavdishme të historisë janë shkruar me shkronjat e sakrificës dhe mbahen mend në përqëndresën heroike e persekutimeve të sistemit të atëhershëm”, tha në fjalën e tij, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
95-vjetori u kremtua me një program festiv nga nxënësit e shkollës “Liria” duke recituar poezi dhe vallëzuar këngë. Po ashtu u vendosën lule tek pllaka përkujtimore e NDSH-së si dhe u bë zbulimi i imazheve të Azem Maranës në objektin e shkollës.