Në ditët e fundit “Superliga” është tema më e nxehtë e futbollit europian të klubeve. Siç shpjegon “Sportmediaset”, ky kompeticion synon të marrë vendin dhe hapësirën e kampionateve në fundjavë. Projekti ambicioz i përket ECA (Shoqata e Klubeve Europiane), e cila në presidencën e saj tashmë ka Andrea Anjelin. Siç sqaron kreu i Juventusit, ideja e një “Superlige” vazhdon të jetë në planet e shoqërisë që ai kryeson, pavarësisht se zyrtarisht figuron si një projekt i braktisur. Në një deklaratë për mediat, Anjeli sqaroi:
“Tema ‘Superligë’ është braktisur zyrtarisht disa kohë më parë, por në fakt vijon të jetë rregullisht objekt diskutimi në ECA. Po flasim për një kompeticion që garanton 900 milionë euro të ardhura për klubet pjesëmarrëse. Shifra është e madhe dhe qëndron në mesin e një dueli midis ECA-s dhe UEFA-s. Edhe FIFA ka rolin e saj, megjithëse dytësor”. Anjeli ka prezantuar edhe pikat e projektit të tij, duke nënvijëzuar se organizata, të cilën përfaqëson është gati të ndryshojë rrjedhën e futbollit europian:
1. ECA ka një rol gjithnjë e më të madh në futbollin europian dhe kjo organizatë mendon se duhet të merret parasysh për vendimmarrjet e futbollit në Kontinentin e Vjetër, por edhe në botë (data kalendarësh dhe kompeticione)
2. ECA mendon se Liga e Kampioneve sjell më pak para sesa mundet, sidomos nëse e krahasojmë me evente të së njëjtës vlerë, siç është “Super Bowl”-i, finalja e kampionatit të futbollit amerikan.
3. ECA pretendon që nga 2021-shi, kur të ndahen të drejtat televizive për Champions-in, duhet të mbahen në konsideratë edhe vende si SHBA apo Kina.