Pas shkarkimit të Jose Mourinhos si trajner i “Djajve të Kuq”, gazeta e madhe e këtij qyteti, “Manchester Evening News” raporton se shumica e lojtarëve janë të lumtur pas këtij veprimi të klubit. Sipas kësaj gazete, e cila ka si referencë burime brenda skuadrës së Manchester United, ndryshimi i trajnerit u bë kryesisht për të kthyer buzëqeshjen në fytyrat e lojtarëve.
Tani, me zyrtarizimin e Solskjaer si trajner i përkohshëm, do të shohim nëse mund të ketë një ndryshim të situatës dhe humorit te futbollistët në “Old Trafford”. Sipas lojtarëve, Mourinho e humbi mbështetjen e skuadrës pas ndeshjes kundër Southampton, më 1 dhjetor. Pavarësisht barazimit, trajneri portugez hodhi akuza kundër lojtarëve të tij dhe kryesisht ndaj “viktimës” së tij kryesore, Paul Pogba.
Nga ky moment, më shumë se 90% e lojtarëve ishin kundër trajnerit, çka iu bë me dije edhe drejtuesve të klubit. Te pjesa prej 10%, që mbështesnin portugezin, bënin pjesë Lukaku dhe Marcos Rojo, ndër të tjerë. Me pothuajse asnjë mbështetje në dhomën e zhveshjes, Mourinho mbijetoi vetëm katër ndeshje të tjera, që nga barazimi kundër Southampton. Prandaj, shkarkimi i “Luso” mund të sjellë një kthesë 180 gradëshe te skuadra dhe lojtarët.