Një njeri i njohur si Ramirez, ose ndryshe “El Sniper”, është dënuar me nëntë vjet heqje lirie. Ramirez është vënë pas hekurave pasi ka folur edhe publikuar fotografi me “sulme fallco” ndaj “yjeve” të Real Madrid. Ramirez e kishte zakon të vendosej në dalje të qendrës stërvitore Valdebebas dhe të bënte fotografi me snajperin e tij. Në qendër të fokusit të snajperit ishin lojtarë të tillë si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Isco, Marcelo, Sergio Ramos, Karim Benzema, ish-trajneri Carlo Ancelotti dhe presidenti Florentino Perez. Real Madrid e raportoi këtë fakt dhe policia arrestoi personin në fjalë. Kur policia e arrestoi gjeti në apartamentin e tij imazhe të njerëzve të famshëm të artit dhe sportit që kishin përfunduar në qendër të shënjestrës së tij. Ramirez nuk qëllonte me plumb, por fotografonte me shënjestrën e snajperit, që e kishte pa leje. Ai u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe persekutim nga njerëzve të famshëm. Gjykata e Madridit e dënoi me 9 vjet heqje lirie, duke futur mes akuzave edhe një postim të Ramirez në rrjetet sociale, ku shkruante: “Sot vrava Ronaldo dhe Perez” përkrah fotografisë që portugezit dhe presidentit të Real Madrid të mbuluar nga kryqi i snajperit.