Të gjithë i kemi hulumtuar të paktën një herë simptomat e sëmundjeve. Posa ndihemi keq e kërkojmë këshillën nga dr. Google.
Duke i kërkuar simptomat përmes internetit, kryesisht hasim në sëmundje malinje ose bizare, me ç’rast simptomat tona përkeqësohen. Interesante, apo jo?
Fatkeqësisht, hulumtimi i sëmundjeve dhe simptomave të tyre përmes internetit është bërë jeta jonë e përditshme, transmeton koha.net.
Edhe pse shumë herë jemi bindur se lodhja e papritur, lemza ose dridhja e qepallës nuk do të thotë se vuajmë nga ndonjë sëmundje e rëndë, megjithatë na pëlqen të hulumtojmë. Po, na pëlqen! Sepse po të mos na pëlqente, nuk do ta bënim (përveç nëse jemi mazohistë).
Prandaj, relaksohuni dhe zbuloni kërkimet më të shpeshta të pyetjeve në Google, kur bëhet fjalë për shëndetin:
Pse ndihem kaq i lodhur?
Ka shumë arsye se pse ndiheni të lodhur. Me siguri nuk keni fjetur sa duhet ose në ju ndikon moti, përkatësisht moti i keq.
Ekziston edhe mundësia që ju mungon hekuri ose nuk e toleroni glutenin.
Nëse lodhja bëhet kronike dhe zgjat më shumë se disa ditë, kërkoni ndihmën e mjekut. Mjekut të vërtetë.
Pse gromësij vazhdimisht?
Edhe pse nuk ka diagnozë specifike, mund të keni çrregullime të tretjes si urthi. Nëse keni ndonjë shqetësim më gjatë se 3 javë, mund të keni gastrit ose bëhet fjalë për diçka më serioze.
Pse më bien flokët?
Humbja e flokëve mund të kushtëzohet gjenetikisht ose të shkaktohet nga ndryshimi i hormoneve, alopecia, lupusi dhe një varg i gjërave të tjera.
Nëse e vëreni se humbja e flokëve është më intensive se zakonisht, kërkoni këshillën e mjekut.
Pse më vonohen menstruacionet?
Është e mundur që jeni shtatzënë ose thjesht jeni shumë e stresuar. Nëse ju vonohen menstruacionet më gjatë se 2 javë, caktoni një kontroll tek gjinekologu.
Kur fillojnë të përzierat e mëngjesit në shtatzëni?
Të përzierat e mëngjesit zakonisht shfaqen në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë dhe ndalojnë mes javës së 16-të dhe 20-të. Të përzierat mund të paraqiten në çdo kohë të ditës. Disa femra nuk kanë fare të përziera, gjë që është plotësisht normale.
Çfarë të bëj nëse ndiej ankth?
Shkaqet e ankthit janë individuale, por shkaku më i zakonshëm janë emocionet e forta, ndryshimi i proceseve kimike në tru, keqpërdorimi i drogës apo alkoolit dhe pirja e duhanit.
Për ta shëruar ankthin dhe ansksiozën, kërkoni ndihmën e psikiatrit ose psikologut.
Çfarë të bëj nëse ndiej dhimbje gjoksi?
Dhimbja e gjoksit mund të theksohet nga aktiviteti fizik ose stresi emocional. Gjithashtu mund të shfaqet edhe si simptomë e urthit, zënia pick e disqeve të shtyllës kurrizore, inflamacioni i muskujve apo anksioza.
Nëse ndjeni dhimbje të papritur dhe të rëndë të gjoksit, të pasuar me frymëmarrje të shkurtuar, e cila zgjatë më shumë se 15 minuta, telefononi ndihmën e shpejtë. Dhimbja e tilla e gjoksit mund të jetë simptomë e sulmit në zemër.
Pse kam kokëdhimbje?
Shumica e kokëdhimbjeve nuk janë serioze dhe zakonisht ndodhin për shkak të tensionit, stresit, qëndrimit të keq trupor ose dehidrimit.
Kokëdhimbja mund të shkaktohet nga migrena, e cila zakonisht shoqërohet me nauze dhe vjellje.
Në raste të rralla, kokëdhimbja mund të jetë simptomë e sulmit në tru, meningjitit ose tumorit në tru. Në rastin e këtyre sëmundjejeve serioze, kokëdhimbjet në përgjithësi janë jashtëzakonisht të fuqishme dhe vështirë kalojnë. Nëse keni probleme me kokëdhimbje të tillë, kërkoni ndihmë mjekësore.
Pse më dridhet qepalla?
Nëse e ndjeni dridhjen e qepallës, mos u shqetësoni. Kjo është e zakonshme dhe ndodh kryesisht për shkak të lodhjes.
Dridhja e qepallës mund të zgjasë nga disa sekonda deri në disa minuta, ndërsa shkaku është i panjohur.
Sidoqoftë, nëse vëreni se qepallat ju dridhen në mënyrë të tepruar ose ju mbyllen pa dashje në njërin apo të dy sytë, vizitojeni mjekun.