Aida XHONI
Shkup, 23 nëntor – Të premten më 17 nëntor u shënua Dita botërore e lindjes së parakohshme apo prematuritetit. Lindja e parakohshme si problem publik shëndetësor është shkaku numër një për vdekshmërinë tek fëmijët nën 5 vjet dhe është në qendër të vëmendjes në botë, ndërsa kohën e fundit edhe tek ne.
Sipas të dhënave të Qendrës për shëndet publik – Shkup që funksionon pranë Klinikës Universitare për gjinekologji dhe akusheri, në Maqedoni në nivel vjetor lindjet e parakohshme arrijnë në 9% dhe paraqesin shifër më të lartë në krahasim me vitet e më hershme.
Me moton “Në ditën botërore të lindjes së parakohshme 17 nëntorit do të duam të shprehim falënderim të veçantë për të gjithë motrat medicinale dhe mjekët të cilët me respekt kujdesen për foshnjat tona të lindura para kohe”, e gjithë Evropa shënon këtë ditë ku është e kyçur edhe Organizata “Lulka”, si pjesë e rrjetit EFCNI.
Doktor Denis Al Khalili pediatër dhe kryetar i organizatës “Lulka”, për Gazetën Koha mes tjerash tha se janë kyçur në projekt me qëllim që të krijojnë standarde referente për parandalim, trajtim dhe ndjekje të këtyre foshnjave ndërsa qëllimi i projektit është që të standardizohet dhe trajtimi i fëmijëve të lindur para kohe të bëhet i njëjtë për gjitha foshnjat në Evropë.
“Besojmë se përmes sjelljes së standardeve të barabarta, në partneritet me mjekët dhe motrat medicinave do të ndikojmë ti përmirësojmë kushtet dhe të ulim vdekshmërinë. Para kohe lindin 10 dhe 15 % e të gjithë foshnjave. Vlerësohet se në nivel botëror lindin rreth 15 milion fëmijë para kohe, ndërsa vetëm në Evropë çdo vit lindin 500.000. me rëndësi është se pjesë e këtyre foshnjave kërkojnë trajtim të sofistikuar derisa janë në spital si dhe ndjekje të organizuar në vitet e para të jetës. Por përskaj ndikimit ndaj të dhënave statistike për vdekshmërinë e fëmijëve të porsalindur dhe lehonave, ky problem është i shoqëruar edhe me trauma të mëdha tek fëmijët”, tha Al Khahil.
Al Khahil tha se nuk posedojnë me të dhëna konkrete për Maqedonisë në lidhje me vdekshmërinë e fëmijëve të lindur para kohe por gjithmonë ka mundësi të parandalohen ato.
“Vdekshmëria e fëmijëve të lindur para kohe është diçka e pamundur të ndalet, por mund të zvogëlohet. Nuk ekziston një masë që do të ndikojë në uljen direkte të numrit të vdekshmërisë, por rol të rëndësishëm mund të kenë masat për parandalim të lindjes së parakohshme si për shembull ndjekje me rregull e shtatzënisë, sigurim adekuat për transportin e foshnjave që janë lindur para kohe, kuadër i mjaftueshëm i spitaleve që punojnë me raste të tilla, si dhe pajisje në sektorët intensiv për lindjet e parakohshme”, potencoi ai.
Nga ana tjetër vitin e kaluar në Republikën e Maqedonisë janë lindur gjithsej 23.199, prej të cilëve 197 kanë vdekur menjëherë pas lindjes, thonë të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë të Maqedonisë. (koha.mk)