Strugë, 13 janar – Gjatë vitit 2016, në Repartin obstretiko-gjinekologjik në Spitalin e Strugës kanë lindur 840 fëmijë, 40 më shumë se viti 2015, shkruan gazeta KOHA. Kryesisht fëmijët vijnë nga prindër që për vendbanim kanë Komunën e Strugës, ndërsa pjesa tjetër janë fëmijët me prindër nga Dibra dhe Qendër-Zhupa. Prej vitesh, duke e krahasuar numrin e lindjeve të kryera, Reparti i gjinekologjisë pranë Spitalit të qytetit në Strugë është shndërruar në një qendër të vërtetë rajonale të gjinekologjisë, duke mbuluar një hapësirë të madhe me një numër mjaft të madh të popullatës në rajon. Muhamet Asani, shefi i repartit obstretiko-gjinekologjik në Spitalin e Strugës potencon se pas funksionalizimit të Spitalit të Ohrit, volumi i punës në repartin e tij tashmë është normalizuar dhe po rikthehet në parametrat e vitit 2009. Asani potencon se e gjithë kjo ngarkesë po përballohet me sukses falë angazhimit dhe përkushtimit maksimal nga të gjithë të punësuarit. “Gjatë vitit 2016 kemi pas 840 lindje të suksesshme, prej të cilave një pjesë kanë qenë lindje me intervenime kirurgjikale, dhe pa pasoja për nënën dhe fëmijën. Janë kryer gjithashtu një numër i madh i intervenime dhe shërbime të tjera të fushës së gjinekologjisë si dhe kontrolle “, thekson për KOHA, Asani. Ndërkohë nëse krahasojmë lindjet me vitin 2013 vit në të cilin në Spitalin e Strugës kishin lindur 881 fëmijë, kemi një zvogëlim minimal, por kjo shifër vjen e zmadhur, sepse përveç nënave nga Struga, Dibra një pjesë e lindjeve në këtë vit janë realizuar nga nënat me banim në qytetin e Ohrit. Në vitin 2009 në Spitalin e Strugës ka pas vetëm 615 lindje, në vitin 2010, ky numër është shtuar dhe në Strugë kanë lindur 905 fëmijë, ndërsa në vitin 2011 kanë lindur 1.283 fëmijë, që ka dyfishuar numrin e lindjeve në krahasim me vitin 2009. Trend që ka vazhduar edhe gjatë vitit 2012 në të cilin kanë lindur 1300 fëmijë .Ndërkohë, nëse krahasohet numri I lindjeve sipas përkatësisë etnike kemi një stabilizimi të lindjeve te shqiptarët pas zvogëlimit rapid të numrit të lindjeve në vitet 90 të shekullit të kaluar si pasoj e migrimit. Ndërkohë, lindshmëria të maqedonasit prej shumë vitesh është pa ndryshime thelbësore. Ndërkohë me më shumë natalitet në Strugë rezultojnë romët duke krahasuar numrin e vogël te tyre me numrin e lindjeve. (P.L)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.