Është koha të pastrojmë punët, të bashkuar në një hall, të bashkuar për të njëjtën Zgjidhje, që fëmijët nesër të mos t’a kenë këtë vend vetëm si spitalin fatkeq të lindjes dhe të ikin me rastin e parë, por t’a kenë si vendin që duan të jetojnë sepse respektohen, kanë kushte evropiane, janë të barabartë!
Nga dr. Arben TARAVARI
Para pak ditësh, pikërisht në 8 shtator ishte festa e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shteti në të cilin jeton në luks vetëm një pjesë e vogël e popullsisë dhe me sakrifica të mëdha pjesa dërrmuese, shënoi 28 vjet nga lindja e tij. Pa dashur të përcjellim data historike që fatkeqësisht lodhin dhe hutojnë, është e detyrueshme për hir të së vërtetës, që të bëjmë një retrospektivë dhe të shkojnë në 8 shtatorin e vitit 1991.
Ishte vit turbullirash dhe dinamikash të mëdha në Ballkan. Kështu në 8 shtator popujt e Maqedonisë së Veriut, u thirrën në një referendum, i cili parashtronte edhe një pyetje aspak të ndershme dhe të ndjeshme të paktën ndaj popullsisë shqiptare që midis vuajtjesh dhe përndjekjesh të regjimit të çuditshëm të ish-Jugosllavisë, ia kishte dalë të ishte ende popullsi banuese e këtyre trojeve.
Pyetja e famshme ishte: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Pra shihet qartë se shqiptarëve nuk ju ofrohej liri si zakonisht sjellë pavarësia e çdo shteti, por ju thuhej: nga skllevër të njërit pronar, do bëheni skllevër të një pronari tjetër. Shumë shqiptar asokohe, pjesa dërrmuese e tyre, e bojkotuan këtë referendum. Të lodhur nga diskriminimi i pashoq i viteve që jetonin ata si popull autokton donin organizim autonom si shqiptar duke ndërmarrë hapa që u shkruan në ujë për shkak se në atë kohë faktori sllav ishte ende shumë dominant në trojet e këtyre anëve. Pra me hir e me pahir 8 shtatori u kthye sërish në një aksion shtetëror ku shqiptarët u injoruan.
Pra, si shumë pika të errëta dhe të dyshimta që ekzistojnë dhe në politikën e freskët dhe në atë më të hershme të Maqedonisë, edhe pika e Pavarësisë e cila është një nga më të rëndësishmet e saj, mbetet e brishtë dhe lehtësisht e dyshimtë. Gjithsesi, personalisht mendoj që çdo popull, e sidomos ato të Ballkanit kanë nevojë të ecin përpara. Ndaj le të marrim të mirëqenë se Pavarësia e Maqedonisë së Veriut ka lindur në 8 shtator të 1991 dhe sot është 28 vjeç!
Çfarë ka ndodhur me të?! Maqedonia e Veriut gjendet në një gadishull sanguin dhe pasionist, fati i saj gjeografik ka shënuar edhe pasojat e saj sociale. Politikisht është ende nën thundrën e një klase sa amatore aq edhe kriminale, e cila duket se ditën që do të dalë nga qeveria do të shkojë në derë të burgut. Shumica e Oligarkisë së shtetit përbëhet kryesisht nga pushtetarë, vëllezër, kunetër e dhëndurë të tyre, të cilët nuk janë pronarë të dy apo tre shtëpive, jo, ato janë pronarë fshatrash turistikë, pronarë fabrikash dhe çfarë është më e keqja pronarë fatesh njerëzish.
Tashmë edhe populli maqedonas e ka kuptuar që nuk janë ndonjë racë sipërore e zbritur nga Zoti, pasi nënat dhe baballarët maqedonas nuk kanë para për të rritur fëmijët e tyre dhe për të zhvilluar jetë normale. Të gënjyer nga një politikë e cila deri dje i bëri vegël të diskriminit ndaj shqiparëve, maqedonasit sot, të lodhur dhe të zhgënjyer nuk duan më pallavra patriotiko-shoviniste, ata duan punë dhe shkolla që nuk i kanë, duan që mos t’ju vdesin fëmijët se nuk kanë para për operacion. Shqiptarët nga ana tjetër, të përballur me një tradhti brenda llojit që zgjat të paktën 17 vjet, gjenden në të njëjtën valle. Politikanë që në vend të automatikut të dikurshëm, u ulën në zyra pushteti për të firmosur fatet e shtetit, rezultuan të jenë menaxherë të paaftë! Shqiptarët i ndjek ende proverba fatkeqe që ka dalë për ta dhe thotë: Shqiptarët janë të mirë për luftë, e të këqij për paqe!
Largimi i regjimit të Gruevskit nga pushteti, u bë gjysmak dhe si në asnjë vend tjetër të botës, pasi me forcat e reja politike vazhdon të udhëheqë bashkëpunëtori më i ngushtë i Gruevskit, Ali Ahmeti. Natyrisht që ky fakt u lexua me humor dhe keqardhje dhe nga ndërkombëtarët, të cilët të veshur me diplomacinë e tyre, janë sa të habitur aq edhe të lodhur nga bëmat e këtij shteti.
Projekte me vlera marramendëse të donuara për zhvillimin e vendit janë vjedhur duke u transformuar në pushtet ekonomik dhe politik nga vendasit, të cilët mendojnë se “të huajt janë naiv”. Kjo ka sjellë dhe vendime drastike për shkurtime fondesh nga ndërkombëtarët dhe shpesh herë lakohemi prej tyre, sigurisht jo zyrtarisht, si hajdutë. Por në këtë skaner aspak të shëndetshëm 28 vjeçar, të cilin ndoshta s’do e shpjegonte as një libër i tërë, vazhdojnë jeton shumica e pafajshme e popullit. Janë ata maqedonas, shqiptarë, turq, bullgarë, romë, vllehë, grekë e Zoti e di se sa mund të jenë të palistuar, që e bëjnë këtë shtet një festë kombesh e etnish dhe një dramë sociale.
Janë të gjithë në një hall: NUK KANË PSE TË FESTOJNË! Fëmijët të ardhmen më të mirë e kanë si emigrantë. Zgjidhja politike duket se pritet gjithnjë nga të huajt, të cilët jo të gjithë kanë vullnet për të ndihmuar, shumë prej tyre kanë qëllime fisnike.
Çfarë bëjmë?! Rrimë e durojmë?! Duket se jo, sepse sipas Frojdit çdo dëshirë e shtypur fryn një top të padukshëm i cili natyrisht shpërthen duke marrë me vete çdo gjë, si çdo shpërthim. E pra për 28 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut e cila duket se rregulloi diplomatikisht punët me Greqinë por nuk po bën gjë për popujt e saj, mund të thuhet se pacienti është në gjendje kritike. Nuk është rasti për t’i thënë as jetë të gjatë madje, se po tkurret e po dobësohet përditë.
Thonë që edhe atij që nuk beson asnjëherë, kur është në luftë me vdekjen i vjen ora e Zotit, këtë e vërtetoj nga puna ime si mjek, ku kam parë se si familjarë maqedonas janë drejtuar kishave të spitalit e ata shqiptarë e turk xhamive në spital, thjesht kanë rënë në sexhde, pra ndoshta na ka mbetur vetëm Zoti?! Që Ai na ka mbetur është e sigurt, por pikërisht se kemi Zotin duhet të kuptojmë që forca e ndryshimit është në dorën tonë. Është koha të pastrojmë punët, të bashkuar në një hall, të bashkuar për të njëjtën Zgjidhje, që fëmijët nesër të mos t’a kenë këtë vend vetëm si spitalin fatkeq të lindjes dhe të ikin me rastin e parë, por t’a kenë si vendin që duan të jetojnë, sepse respektohen, kanë kushte evropiane, janë të barabartë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)