Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se jeta e 750 mijë personave në qytetin Dera në jugperëndim të Sirisë, ku regjimi i Bashar al Asadit dhe mbështetësit e tij po kryejnë sulme gjatë një jave, është në rrezik, raporton Anadolu Agency .
Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një konferencë për media nga Zyra e OKB-së në Gjenevë tha se “Kemi mësuar se të paktën 45 mijë persona janë detyruar të zhvendosen nga vendet e tyre, shumica prej tyre nga lindja e qytetit Dera dhe nga rajonet në afërsi të kufirit me Jordaninë.”
Zëdhënësi Laerke nënvizoi se personat e zhvendosur kanë nevojë për strehim dhe ndihmë emergjente humanitare. Duke u shprehur se ndjejnë një shqetësim të thellë për rritjen e incidenteve të dhunës në Dera, Laerke tha se sulmet e kryera në këtë rajon kanë vënë në rrezik jetën e 750 mijë personave.
Laerke shtoi se po vazhdojnë sulmet nga ajri dhe toka dhe se po marrin lajme se në rajon ka të vdekur e të plagosur, në mesin e të cilëve ndodhen edhe fëmijët.
Në anën tjetër zëdhënësja e Programit Botëror për Ushqim të OKB-së, Bettina Luescher, tha se numri i personave të zhvendosur mund të rritet në dyfish për një kohë të shkurtër.
Regjimi i Asadit në Siri dhe mbështetësit e tij, përgjatë një jave po kryejnë sulme të dhunshme ndaj qytetit Dera në jugperëndim të vendit. Në sulmet e djeshme kanë humbur jetën 18 civilë.