Një fillim sezoni si protagonist te Reali i Madridit dhe mbi të gjitha ai dygolësh në fitoren fantastike 3-0 të Spanjës ndaj Italisë në eliminatoret e Botërorët, kanë bërë që të gjithë reflektorët të ndriçojnë mbi të. Francisko Alarkon Suarez, i njohur nga të gjithë si Isko po kalon një moment me të vërtetë të artë. Duke parë shifrat e shpenzuara në këtë merkato nga PSZH për blerjet e Nejmar dhe Mbappe, Reali i Madridit ka vendosur të mos rrezikojë me 25-vjeçarin i cili është shumë i kërkuar nga klubet e tjera evropiane, duke e blinduar Iskon me një kontratë të re deri në 2022. Por lajm nuk përbën marrëveshja e re e mesfushorit me Los Blancos as paga prej 6 milionë Eurosh në sezon që do të përfitojë ish mesfushori i Malagas, por klauzola që Reali i ka vendosur në kontratën e re.
Nëse PSZH, Barcelona, Mançester J. Mançester S. ose Çellsi do të tentojnë blerjen e Iskos në të ardhmen duhet ti bëjnë mirë llogaritë sepse për t’ia rrëmbyer mesfushorin tashmë duhet të derdhin në arkat e klubit merengues shifrën stratosferike të plot 700 milionë eurove. Është kjo klauzola e çmendur që presidenti Florentino Perez ka vendosur në kontratën e re të mesfushorit duke larguar në këtë mënyrë të gjitha sirenat e merkatos që kanë të bëjnë me yllin e përfaqësues La Roja. Rinovimi i Iskos nuk ishte i vetmi në shtëpinë e Realit sepse me Los Blancos ka zgjatur marrëveshjen aktuale edhe mbrojtësi i krahut të majtë Marselo. Braziliani i cili konsiderohet si një lojtar i pazëvendësueshëm nga trajneri Zidan për shpejtësinë, teknikën dhe klasin e lartë që zotëron ka rinovuar gjithashtu deri në vitin 2022 me Realin e Madridit.