Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 janar – Ndryshmet dhe plotësimet e ligjeve me të cilat rregullohet vlerësimi ekstern i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme, nuk janë reflektuar me jehonë kushedi sa të madhe në pjesë të veçanta të atyre ligjeve, e që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e procesit, shkruan gazeta KOHA. Kohë më parë Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP) shpalli thirrje publike për mbikëqyrës të jashtëm të testimit ekstern 2016/2017, në përgjigje të obligimeve ligjore të cilat burojnë nga ndryshimet në fjalë. Mirëpo, për këtë kategori janë siguruar deri tani vetëm 70 persona nga 140 që kërkoheshin me shpalljen publike të QSHP-së. Kriteret, sikurse sqarojnë nga kjo Qendër, nuk kanë qenë aspak të rënda. Sepse, “në rolin e mbikëqyrësve mund të jetë çdo person i moshës madhore, që ka kryer arsimin e mesëm dhe që nuk është në ndonjë proces të ndjekjes penale”, thonë ato. Profesioni i kandidatëve, sikurse shpjegohet më tej, nuk është aspak i rëndësishëm. Një mbikëqyrës mund të ketë çfarëdolloj profesioni, mjafton të mos ketë probleme me drejtësinë dhe mund të jetë pa asnjë problem pjesë e realizimit të vlerësimit ekstern të nxënësve. Roli i tyre në këtë proces është vetëm mbikëqyrës, pra të vëzhgojnë nxënësit dhe testatorët (mësimdhënësit) se si sillen gjatë procesit të testimi. Nëse vërejnë probleme në komunikim, kopjim dhe devijime të ngjashme, puna e mbikëqyrësve është të raportojnë për të njëjtat në procesverbalet përkatëse të cilat mbahen për këtë qëllim. Drejtoresha e QSHP-së, Mirushe Ameti, konsideron se jehona e vakët e konkursit për mbikëqyrës të testimit ekstern mund që të jetë e lidhur me mungesën e informimit. “Përveç mungesës së informimit, nuk shoh ndonjë arsye tjetër që njerëzit nuk kanë shfaqur interesim të madh për mbikëqyrës të testimeve eksterne”, shprehet ajo. Sigurimi i vetëm gjysmës së mbikëqyrësve të paraparë, sipas Ametit, nuk duhet parë si problem, të paktën në këtë fazë. “Në janar do të kemi testimin ekstern vetëm të maturantëve, të cilët edhe ashtu janë grup i vogël nxënësish nëse i krahasojmë me numrin e nxënësve që do të testohen në fund të vitit shkollor, por të nxënësve nga klasa e gjashtë fillore deri në vitin e parafundit të arsimit të mesëm”, shpjegon drejtoresha e QSHP-së. Pra, nisur nga sasia numerike e nxënësve, 70 mbikëqyrësit e siguruar deri tani do të mjaftojnë për testimin ekstern të maturantëve që do të organizohet nga 23 deri më 27 maj. Në ndërkohë, Ameti thotë se QSHP-ja do të nxirret Konkurs plotësues për sigurimin e mbikëqyrësve tjerë, të cilët do t’i nevojiten procesit në muajit maj-qershor. Në janar, pritet që procesit të vlerësimit të jashtëm të njohurive ti nënshtrohen mbi 18 mijë maturantë, për të cilët janë publikuar rreth 85 000 pyetej për të gjitha lëndët, në të cilat do të organizohet testimi ekstern. Për lëndët të cilat mësohen nga një orë në javë, janë hartuar nga 50 pyetje, për lëndë me nga dy orë mësimi në javë nga 100 pyetje, kurse për lëndët që mësohen nga tri orë në janë nga 150 pyetje. Përgatitja e pyetjeve bëhet nga Byroja për Zhvillimi e Arsimit (BZHA) për lëndët e përgjithshme si dhe nga Qendra për Arsim Profesional (QAP) për lëndët profesionale. QSHP-ja vetëm drejton realizimin e eksternes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.